Çeta e profetëve-Pjetër Bogdani

Pjetër Bogdani është figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare.Me veprimtarinë e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet “Çeta e profetëve”, Pjetër Bogdani me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare.

Pjetër Bogdani ka hyrë në historinë e patriotizmit shqiptar dhe të kulturës shqiptare jo vetëm me veprimtarinë e vet kombëtare për të organizuar kryengritjen e përgjithshme antiosmane, por edhe me veprën e tij diturore-letrare “Çeta e profetëve” (Cuneus profhetarum), që e botoi në Padovë, më 1635 me ndihmën e një miku të vet.

Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike, me mendimet e tij përparimtare iluministe e atdhetare, me punën e gjatë këmbëngulëse më se tridhjetëvjeçare, Bogdani i dha letërsisë shqiptare dhe popullit shqiptar një vepër madhore, që kurorëzoi traditën e mëparshme letrare e kulturore dhe që paralajmëroi një periudhe të re të zgjimit gjithkombëtar.

Bogdani është një njeri erudit. Nga leximi i veprës së tij mësojmë se përveç gjuhës amtare, ai dinte edhe italishten, latinishten, kroatishten, armenishten, greqishten, arabishten, hebraishten, dhe sirishten.

Vepra e tij ” Çeta e profeteve” është shkruar me një kulturë të gjerë, në të ka informacion të pasur nga historia e popullit tonë, nga filozofia dhe shkencat e natyrës. Vepra e tij nuk është përkthim. Legjendat biblike që janë në themel të saj, ai i ka përpunuar në mënyrë të lirë dhe herë pas here fut ide, arsyetime dhe argumentime me karakter filozofik, historik, politik, shkencor-natyror.

Lajme të ngjashme

Back to top button