Gjithnjë e më pak votues mendjelehtë!

“Edhe atëherë kur ju gjuajnë me gurë, kur ju shtyjnë mënjanë, ju tërheqin prapa, ju vazhdoni  drejt qëllimit tuaj, duke ecur ngadalë bashkë me poshtërimet që ua bëjnë – suksesin e keni afër. Pastaj kur ta ktheni kokën pas,  serish do t’i shihni ata të mjerë,  të cilët janë akoma në të njëjtin vend dhe ua bëjnë të njëjtën gjë do tjerëve. Ndërkaq juve do t’u lartësojnë, duke thënë se janë pikërisht ata meritor për suksesin tuaj. ”

Ky citat i mrekullueshëm i një shkrimtari ballkanik, në mënyrë mjaft reale e përshkruan realitetin tonë mental. Së pari  do t’ju ngritinderi gjer në qiell, qoftë edhe për gënjeshtra,  e pastaj do t’ju hedhin prej atje për të vërtetat. Por, një shpërblim – ndëshkim i tillë duket të jetë një humbje kohe, madje me plot vuajtje. Dhe tani Gruevski befasohet se si salla që dikur nuk i nxente, në tubimin e fundit ishte gjysmë boshe. Sepse vet ai bëri një shoqëri të çuditshme, ku të varfërit ndjeheshin gjithnjë e më të ngopur nga premtimet, kurse të pasurit gjithnjë e më të uritur për para. Prandaj, këto ditë gruevistët na “shpërlyen” me lloj-lloj perlash – qesharake, të çuditshme, idioteske, gjithsesi të rreme.

Perla qesharake – “Qeveria e batakçinje e Socialdemokratëve e solli ekonominë në shkatërrim.” E për çfarë ekonomie flasin ata, të cilët për njerëzit janë kujdesur mu ashtu sikur ujku për delet? Vallë për atë ekonomi, e cila u shpall ndërkombëtarisht si ekonomia e pestë më e keqe në botë !? Për atë të cilën në çdo çast e kanë reketuar, ate nga e cili kishin grumbulluar harraç pa masë, të cilën e kishin përdhunar  (me njësi speciale)? Ose për atë ekonomi, për të cilën kishin hudhur mbi 150 milionë euro të pakthyeshme kompanive të huaja,  të cilëve u kemi paguar gjithçka pa mos marrë asgjë (përveç ndonjërit personalisht)!

Perlë e çuditshme – “Politikat tona kanë kontribuar më së shumti në integrimin në UE dhe NATO, ndërkaq politika e LSDM-së është një gjunjëzim”. A të gjithë e dinë se po të mos vinte Gruevski në pushtet, ne do të kishim anëtarsimin në NATO që në vitin 2008, ndërkaq UE në vitin 2011. Samiti i Bukureshtit dështoj vetëm për shkak të patriotizmit të rremë të Gruevskit, që më pas edhe çdo gjë tjetër të dështojë, madje edhe shumë jetëra e fate. Arritëm deri në atëpikë që në tubimet e VMRO-së, NATO të shpallet organizatë terroriste! Betejat e fituara me shumë mundim u shndërruan në humbje të përgjithshme. Çështja e emrit kishte shans që të shembet vetvetiu, por dikush kishte nevojën për të mbushur zbraztirat e mëdha të krijuara nga politika e zbrazët e drejtuar nga shpirtra të zbrazëta dhe koka akoma më të zbrazëta. Dhe tani thotë: “E gjithë puna për ndryshimin e qeverisë është bërë për ta zgjidhur emrin sipas qejfit të Greqisë!” Shigjeta helmuese që e godasin racionalitetin mu në zemër!

Perla qesharake – “Erësirën që tani ia bën pushteti i tanishë Maqedonisë, do të përfundojë më 15 tetor të këtij viti, e cila dë të sjell një epokë e re me VMRO-DPMNE”. Është e çuditshme se si forcat e errësirës dhe mendjet e errëta na flasin për shëndritjen! Ata që të drejtit i shkelnin, ndërkaq mëkatarët i shpërblenin, tani na ofrojnë një “Epokë të Re”, një epokë e cila do t’i gjasojë asaj kur të uriturit preferonin më shumë një sanduiç sesa lirinë e dinjitetin! E sllogani nga kjo epokë preferohet të jetë – “Bëhunui  të lumtur që patë ferrin”.

Këtu ka edhe shumë perla të tjera të rreme – për “prioritetet strategjike” që iu kujtuan pas 11 vitesh vonesë, pasi shumë vite kishin bredhur pa busull njësoj si Odiseu, por ai kishtë bredhur pa Itakën e tij. Në një vend normal, një parti e tillë do të ishte fshirë nga regjistri. Në një parti normale, një udhëheqës i tillë do të dëbohej me shqelma. Por, një udhëheqës normal nuk do të shfaqej më në publik. Ose ndoshta ne jemi jonormalët!

Se ne jemi jonormalë, ose ashtu na trajtojnë, shihet edhe nga ajo që u lavdërua Gruevski – “VMRO-ja më shumë ka bërë për Shqiptarët”! “Ka hapur 30,000 vende pune në Pollog …”! Ata madje shpikën edhe funksionin “nënkryetari i komunës së Shkupit” që askund s’ekziston duke ofruar ndonjë shqiptar të VMRO-së! Por, besoj se ka ardhur koha e votuesve të mençur. Tani më politikanët e këqinj prej votuesve të mençur e marrin vetëm atë që e meritojnë, ndërsa nga votuesit budallenj atë që ata duan. Ndërkaq gjijhtnjë e më pak votues budallenj.

Për dy javë ne duhet të vendosim – nëse duam të jemi të lirë e normalë ose do t’u lejojmë sërish të na trajtojnë si bagëti? A duam që të rinjëve dhe brezat të ardhshëm t’u sigurojmë  një jetë më të denjë, ose do t’i japim ata për robër të një familjeje famkeqe!? A duam shëndetësi normale apo shëndetësi të sëmurë!? A duam t’i kthejmë miliardat e vjedhura ose do t’i lejojmë sërish të na plaçkitin deri në palcë?! A do të shitemi sërish për një thes miell dhe një paketë vaj!? A është ai çmimi që do ta flijojmë fatin tonë dhe të pasardhësve tanë?! Ne duhet të kuptojmë se ne kemi nevojë për të jetuar, e jo për të mbijetuar!

Qeveria e re duhet të vazhdojë me reformat e dhimbshme. Duke i zgjidhur problemet që janë krijuar dhe akumuluar për vite të tëra. Reformat substanciale nuk janë as të lehta, as tërheqëse, por janë të domosdoshme. Qeveria e re bën hapa gjigantë në planin e jashtëm, por lëviz ngadalë në planin e brendshëm. Është fakt se nuk është e lehtë nga një shtëpi krejtësisht e rrënuar dhe deri në fyt me borxhe, të bëhet një shtëpi funksionale, por është e rëndësishme të lëvizim dhe t’u përmbahemi parimeve, drejtësisë dhe moralit. Ajo nuk është aspak e lehtë kur bëhet fjalë në zgjedhjen midis gënjeshtrës shtrejt të veshur dhe të vërtetës së zhveshur. Është e mundur që ndonjë tender të jetë plotësisht i drejtë, por vet fakti që jemi pushtet, kundërshtohet me moralin. Megjithatë, te ne tenderët akoma asocojnë në abuzime, edhe pse jo gjithmonë duhet të jetë ashtu. Transparenca do të duhet të na mësojë të kundërtën.

Duhet më pak të shohim të kaluarën, ndërkaq më shumë të ardhmen. Abraham Linkoln ka thënë: “E di se kush ishte gjyshi im, por sërish më shumë më intereson se çfarë do të bëhet me nipin tim”. Ne gjithashtu duhet të dekontaminojmë edhe gjuhën, sepse gjuha është më e rrezikshme edhe se vetë helmi. Helmi mund  të vrasë një njeri, por gjuha mund të bëjë helmim masiv. Prandaj, zemra e udhëheqësit duhet të jetë në kokën e tij. Pushteti do të jetë i mirë kur do të praktikohet ashtu siç Paganini  ka praktikuar violinën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button