Të kapur në rrjetë

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Gruevski në emisionin Zona e debatit të udhëhequr nga Baton Haxhiu në kanalin Klan Kosova mes shumë gjërave tjera tha që shqiptarët qenkan “kapur në rrjetë” nga ana e LSDM. Sipas tij, LSDM tek maqedonasit e këtij vendi qenka tani më e lexuar, ndërsa shqiptarët nuk paskan arritur ende ta kuptojnë mashtrimin e saj. Me këtë ai deshi të thotë që shqiptarët, janë pak më të ngadalshëm për ti kuptuar faktet, më ngadalë i kapin gjërat dhe më pak kuptojnë se maqedonasit. Prandaj edhe kështu lehtazi “kapen në rrjetë” dhe manipulohen lehtazi nga gjithkush. Si fëmijë të vegjël dhe me pengesa në zhvillim. Dhe kjo fyerje e rëndë kaloi lehtazi, pa asnjë vërejtje ose kundërshtim nga nikoqiri i emisionit.

Shqiptarët e Maqedonisë në fakt gjithmonë kanë ditur shumë qartë ti thonë gjërat dhe të tregojnë qartazi se me ta nuk manipulohet lehtësisht. Këtë gjë më së miri e treguan gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016, gjë që nuk i pëlqeu aspak Gruevskit dhe disa të tjerëve. Për këtë kanë ndihmuar shumë edhe mediumet shqiptare në Maqedoni të cilat kanë ditur të ngrisin zërin kritik, në krahasim me mediumet e propagandës si Sitel dhe TV Nova të cilat me anë të Mirkës, Milenkos e Llatasit kanë aritur të lajnë trurin e shumë maqedonasve që mendojnë që Gruevski është mesia dhe se çdo fjalë që del nga goja e tij është flori.

Shqiptarët në Maqedoni nuk janë kapur në asnjë rrjetë deri më tani. Ajo që nuk e kam të qartë është se si disa medium kosovare janë ngatërruar kaq keq në rrjetën e propagandaës së Gruevskit dhe kanë vendosur ta bëjnë propagandën e tij të cilën kanë rrefuzuar ta bëjnë të gjitha mediumet shqiptare në Maqedoni.

Nuk e kam të qartë si ka mundësi që një kanal televiziv në Kosovë t’i mundësojë kaq shumë hapësirë një të akuzuari për krime të rënda i cili ballafaqohet me më tepër aktakuza për më tepër raste, të ngritura nga PSP si organ tek i cili qytetarët e RM kanë më së shumti besim në krahasim me të gjithë figurat publike në vend, të vazhdojë me propagandën e tij dhe të mundohet t’i arsyetojë të gjitha veprimet e tija të gjertanishme. Nuk e kam të qartë cili është interesi i një mediumi Kosovar të lejojë të shfrytëzohet si forum propagande nga ana e një të akuzuari në kohën e të cilit shqiptarët në Maqedoni ishin pre e një sërë rasteve të montuara që u munduan ti karakterizojnë ata si komunitet radikal, terrorist dhe të kriminalizuar. Për më tepër, në emisionin në fjalë nikoqiri nuk e pa të arsyeshme për asnjë moment që ta vërë sado pak në siklet Gruevskin duke e pyetur për detaje lidhur me këto raste. Gjithçka që nikoqiri e pa të arsyeshme të konstatojë në këtë drejtim ishte se shqiptarët e Maqedonisë më shumë rëndësi i jepkan islamizmit radikal se sa dashurisë për dituri! Konstatim tërësisht tendencioz dhe i pasaktë, pikërisht nga ato konstatime të cilat edhe vetë Gruevski i përhap për shqiptarët gjithandej, duke shfrytëzuar edhe emisionin në fjalë: se nuk kanë arsim kualitativ, se gjendja e arsimit tek shqiptarët është shumë më e dobët se sa tek maqedonasit (duke mos u pyetur nga nikoqiri i emisionit të sqarojë se sa para nga buxheti i RM investohen për arsimin në gjuhën shqipe në krahasim me atë në gjuhën maqedonase), dhe se ministrat shqiptarë kanë qenë gjithmonë më pak të përgatitur profesionalisht nga zëvendësministrat maqedonas, dhe si pasojë e kësaj këta të fundit kanë udhëhequr efektivisht me ministritë. Ne jemi mësuar t’i dëgjojmë këto konstatime shoviniste të shprehura nëpër mediumet e propagandaës në Maqedoni për shkak të të cilave Gruevski nuk është aspak i pranuar tek shqiptarët, por është e papranueshme kur të njëjtën propagandë, pa asnjë tentim të kundërshtimit, e dëgjojmë nga një medium kosovar. Besoni që më lehtë do të humbet besimi tek ai medium se sa që të ndryshohet mendimi për Gruevskin dhe ideologjinë e tij.

Poashtu, nuk e kam të qartë si ka mundësi që disa mediume të shkruara në Kosovë, si për shembull “Gazeta Exspress” të shpërndajnë më tepër lajme lidhur me kandidatët e VMRO-së për prefektë në komunën e Gjorçe Petrovit, Ohrit e të tjerë, ndërsa lajmet lidhur me kandidatët për komunat shqiptare t’i kenë skajshmërisht margjinale, të pasakta dhe tendencioze. Thjeshtë nuk e kuptoj këtë tendencë të arsyetohet, lahet e shpërlahet VMRO-DPMNE dhe Gruevski, të cilët vetëm para disa muajsh desh na sollën në luftë civile me përfshrijen e tyre direkte në ngjarjet e 27 prillit. E di që ka relativizatorë të tillë që mendojnë se me vetë faktin që LSDM dhe Zaev patën përkrahje relevante nga votuesit shqiptarë në zgjedhjet e fundit parlamentare tani mund të arsyetohet një propaganda e tillë shqiptare pro-VMRO. Por ka dallim mes këtyre gjërave. Shqiptarët e përkrahën LSDM-në pikë së pari për të kontribuar në mënyrë direkte në rënien e regjimit të VMRO-së, atë regjim që Unioni Evropian në raportin e vetë në mënyrë diplomatike e quajti “shtet i robëruar”. E tani kjo propaganda pro-VMRO që paraqitet ka për qëllim riinstalimin e po atij shteti të robëruar dhe të regjimit paraprak. Sepse VMRO dhe Gruevski nuk tregon asnjë shenjë se ka ndryshuar, Gruevski, edhe pse i akuzuar në shumë raste nga PSP vazhdon të jetë kryetar i pakontestueshëm i partisë, ndërsa në shumicën e komunave ai kandidon kandidatët e vjetër, dhe kërkon fitore për të vazhduar të bëjë atë që bënte. E vetmja gjë që ai ka ndryshuar është qasja ndaj mediumeve shqiptare të cilat ka vendosur ti shfrytëzojë për larjen dhe shpërlarjen e figurës së tij. Normalisht, duke shfrytëzuar edhe etjen për pushtet të disa politikanëve dhe partive politike shqiptare që do të ishin të gatshëm për të koalicionuar me atë, pavarësisht se nuk ka andërmend të ndryshojë asgjë nga sjellja e tij.

Shqiptarët, pavarësisht mendimit të Gruevskit, nuk kanë problem për ti pare gjërat ashtu siç janë. Ata do të dalin në votime në zgjedhjet lokale të 15 tetorit në numër më të lartë se gjithmonë, pikërisht për shkak se Gruevski pret nga ata që të abstinojnë dhe të mos dalin. Në fakt kjo është pikërisht ajo që ai don ta arrijë. Duke e ditur që shqiptarët shumë vështirë do t’i japing përkrahje parties së tij ose kujtdo që e përkrah atë, gjëja më e mire që mund të ndodhë është që shqiptarët të abstinojnë dhe të mos i shfrytëzojnë të drejtat e veta qytetare. Por e ka shumë babim, sepse shqiptarët do të tregojnë edhe një herë se as Gruevski dhe askush tjetër nuk do të mund të manipulojë me ta. Kjo përpjekje e tij do të jetë e pasuksesshme dhe nuk do të kalojë. Ose si që do të kishte thënë Fatime Fetai: No passaran!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

One thought on “Të kapur në rrjetë

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP