Pacolli nisi takimet në Podgoricë për demarkacionin e kufirit
Zëvendëskryeministri njëherit edhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka nisur sot vizitën e tij zyrtare në Mal të Zi.
Atje kryediplomati kosovar është pritur nga homologu i tij malazez, Sërxhan Darmanoviq.
Në këtë takim, Pacolli e Darmanoviq pritet të flasin për bashkëpunimin në mes të të dyja vendeve.
Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Pacolli do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin njëherësh ministër i Drejtësisë, Zoran Pazhin, kryeparlamentarin Ivan Brajoviq, presidentin Filip Vujanoviq si dhe drejtues të partive politike shqiptare.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit kosovar-malazes është nënshkruar në Bruksel nga fundi i gushtit të vitit 2015. Koalicioni paraprak qeveritar nuk e pati shumicën e nevojshme të dy të tretave për ratifikimin e tij.
Ramush Haradinaj, ditën e parë pas zgjedhjeve të Qeverisë, si kryeministër, e shkarkoi komisionin i cili e përgatiti dokumentin dhe formoi të ri.
Nga ana tjetër kryetari i Komisionit malazes për shënimin e kufirit me Kosovën, Milan Paunoviq, këto ditë deklaroi se pret që kjo çështje të përfundojë sipas tashmë marrëveshjes së arritur nga të dyja palët.
Versionin aktual të marrëveshjes e përkrahin edhe diplomatët e huaj në Prishtinë.