ARLINDA ZYMERI ose Letër Lindës (II)

U njohtuam në nëntorin më të ngrohtë, 2012, rrugës për Panair të Librit në Tiranë. Mbetëm në kontakt përmes sms-ave dhe disa takimeve.

Sivjet i kemi pasur nja njëqind.

Nuk mund ta merrni me mend sa kënaqem në çdo, absolutisht çdo takim me Lindën.  Nuk kam besuar se mund të gjej shoqe te rangut mendor dhe emotiv si Kiki.

  1. është shkrimtare, psikanaliste dhe juriste, me këtë renditje.

Prandaj:

Unë në çdo takim i them se duhet ta braktisë punën në Gjykatën 6,7…ajo qeshet duke u  zbukuruar edhe më shumë dhe ma kthen se ekziston vetëm Gjykata1 dhe 2 (unë, drejt me thënë, haberin s’e kam pasur). Kjo na është bërë një lloj “mantre” saherë që shihemi.  Dhe një tjetër, në minutat e fundit:

– A ke ende kohë?

– Unë veçmë jam vonë, thotë duke vënduar dy duar mbi faqet. Do t’më përzënë.

– Super! them unë.

Dhe e di se një ditë që nuk është larg, duke ndjekur pasionin e vet dhe kompetencën L. do të merret vetëm me psikoterapi, do të bëjë shumë sevape dhe do t’u ndihmojë shumë njerëzve. Në kohën e lirë do të merret me shkrime. Ja si shkruan ajo pasi leximit të një teksti që ia dërgova me këtë link.

“E lexova 5 herë dje Momo Kapor. E dhembshme, porse gjithçka e vërtetë, çdo fjalë. Ma kujtoi çdo rast e moment kur ua thoja troç “shoqeve” shqiptare (mezi e shkrova këtë shqiptare, vërtet, vërtet, vërtet nuk i dua paragjykimet) në disa ndeja kur rastisja, jo se shkoja me qëllim: “Ne nuk kemi sens shoqërimi, aspak. Ja më tregoni rast nga gjenerata jonë që kanë qenë shoqe të afërta dhe pasi kanë gjetur ndonjë “fraer”, janë fejuar, apo të lutem, një rast të vetëm të ndonjërës që është martuar e ka lindur fëmijë dhe ende dëshiron ta dijë se si është ajo shoqja e “afërt”, se e thërret të dalë për kafe, vetëm ta dëgjojë si është dhe si ndjehet ajo në cilëndo fazë të jetës të jenë. Më besoni se sapo të martoheni as ne nuk do të takohemi.” (nuk më gjenin asnjë shoqëri të tillë në gjeneratën tonë)

Të betohem, e dashur, u martuan, njëra ka një fëmijë, njëra 2, tjetra u martua, lindi një fëmijë dhe u divorcua, e shihen vetëm në të përhajrme fëmijësh. Unë, as atëherë”.

Linda sivjet do të konkurrojë në konkursin e Ministrisë së kulturës për botime, për librin e saj debutues.

Ajo këtë ende nuk e din, por unë prej tash e di se do të jetë i lexuar, kurse i dizajnuar nga K. e cila ndërkohë, për të rikthyer tempon e punës, duhet të kalojë ndonjë seancë te L. Mua në një periudhë vetëm dy kafe-muhabete, njëra në Irish ku shkoj për ta hapur ditën, por jo aq shpesh sa përpara, njëra në kafenë e mahallës sime,  më përforcuan disciplinën e shkrimit.

“Linda, i thash sot ne çajtoren tonë, do ta nis një tekst ta shohësh ti para se ta dërgoj në Portalb”. Nuk forvardohet, e lëre më të postohet pa izën, as sms as email.

E lexoi dhe më shkroi një nga emailat më të bukur që kam pranuar ndonjëherë.

Po pse të mos jetë libër me korrespodencën tonë intensive!?

Idea më shkrepi momentalisht.

Se ky shtator është përafërsisht i ngrohtë sa nëntori 2012.

E di se kuptohemi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button