Parametrat që do të përcaktojnë fituesit e zgjedhjeve

Në vigjilje të zgjedhjeve lokale 2017 skena politike në Maqedoni duket më e ngatërruar dhe partitë politike më të çorroditura se kurrë. BDI sapo ka dalur nga martesa dhjetëvjeçare me VMRO-në dhe në muajin e mjaltit po rinjihet me LSDM-në. Të dyja kanë bërë koalicion parazgjedhor, por duket se ende dyshojnë te njëra tjetra. VMRO ndërkaq e gjen veten në panikë ngase ka mbetur pa partnerë shqiptarë, e këtë e kompenzon me kyçje të disa individëve shqiptarë në rradhët e saj dhe me ture të Gruevskit nëpër televizione shqiptare për të dëshmuar se nuk është vërtetë albanofob. Aleanca sapo u nda nga RDK e Uniteti dhe u tradhëtua nga LSDM, duke mbetur kështu me një këmbë në pushtet dhe me tjetrën në opozitë. Besa mundohet të navigojë ujërat e rrezikshme mes të qenit në opozitë dhe popullaritetit të qeverisë, herë duke e mbështetur e herë duke e kritikuar atë. Në fund PDSH po bën luftë me mish e me shpirt për t’u rikthyer në skenë dhe për të mos mbetur në harresë.

Konfuzioni i partive zmadhohet edhe më nga mënyra e re e sjelljes së elektoratit. Në zgjedhjet e kaluara populli dëshmoi se ka një nivel të ri vetëdijeje politike, se është çliruar nga prangat e partive dhe në fund të fundit voton si të dojë vetë. Tanimë nuk është e sigurtë se simpatizantët e partive do t’i ndjekin pas ato ngado që të shkojnë dhe nuk do të thotë se ata aprovojnë pa fjalë koalicionet që bëjnë partitë e tyre. Ky fenomen është faktor shtesë që i bën këto zgjedhje edhe më të komplikuara dhe të paparashikueshme. Nga sjellja e votuesve dhe raportet e tyre me partitë, më shumë se çdo gjë tjetër, do të varet fituesi i  zgjedhjeve në secilën komunë. Andaj propozoj që t’i shikojmë me rradhë disa nga këto raporte kyçe dhe sjelljen potenciale të këtyre grupeve votuesish.

Shqiptarët e LSDM. 40.000 shqiptarët që në zgjedhjet e kaluara votuan LSDM-në janë elementi më i mistershëm i këtyre zgjedhjeve. Kur bënë koalicion, LSDM dhe BDI me siguri kanë llogaritur se këta votues do të shkojnë në konton e BDI në zgjedhje lokale, por mendoj se këtu hesapi mund t’iu dalë huq. Është e pamohueshme se këta votues shkuan te LSDM nga neveria me BDI-në dhe me siguri nuk iu bëhet qejfi që partia e tyre e re i rikthen në BDI. Sa prej tyre do të ndjekin koalicionin, ndërsa sa prej tyre do të ndëshkojnë LSDM-në për këtë piruetë të shpejtë politike duke votuar partitë tjera shqiptare? Ky është faktori numër një që do të përcaktojë fatin e zgjedhjeve, sidomos në Tetovë, Gostivar, Dibër, Çair dhe Haraqinë.

Maqedonasit e LSDM. Ndryshe nga shqiptarët, votuesit maqedonas të LSDM nuk duken aq të irrituar nga ndryshimi i kursit të LSDM-së dhe ka gjasa që të ndjekin instrukstionet partiake për të votuar BDI-në. Por këtu duhet patur kujdes me gjeneralizime. Mendoj se rol të rëndësishëm do të ketë edhe figura e kandidatit lokal. Një pjesë e maqedonasve të LSDM mund të ndjekin partinë, por një pjesë e madhe mund të marrin vendim kokë më vete, gjykuar nga puna e deritanishme e kryetarëve të komunave.

Një fenomen që nuk i kushtohet shumë rëndësi në këto zgjedhje është fakti që në disa komuna si Çairi, Tetova, Gostivari, Kërçova dhe Dibra kandidatë të vetëm maqedonas janë ata të VMRO-së. Prandaj ka shumë mundësi që votuesit maqedonas të LSDM-së në fund të votojnë në vija etnike dhe t’ia japin votat VMRO-së para kandidatëve shqiptarë, duke e dërguar atë në rreth të dytë. Votimi i këtillë prish përnjëherë çfarëdo lloj matematike që mund të bëjnë partitë dhe bën zgjedhjet edhe më të paparashikueshme.

Maqedonasit e VMRO. Nëpër komunat e mëdha shqiptare VMRO vërtetë ka kandidatë, por ata kanë pak gjasa që të shkojnë në rrethin e dytë. Kështu votat e VMRO-së do të jenë të lira në rrethin e dytë, madje në disa komuna mund të përcaktojnë rezultatin. A do të përkrahin këta votues partnerin e deritanishëm BDI, do t’a ndëshkojnë pasi ndjehen të tradhëtuar, apo do të qëndrojnë anash në stilin “president tung e ki”? Personalisht mendoj se VMRO nuk është naive të qëndrojë anash, por nuk mund të thuhet se kë do të mbështesë. Me gjasë ajo do të veprojë ndryshe në komuna të ndryshme, sipas raportit dhe bashkëpunimit që ka patur në nivel lokal me BDI-në.

Raportet Besa-Aleanca. Koalicioni më i natyrshëm përsëri dështoi të bëhet. Është fakt që Besa dhe Aleanca askund nuk janë konkurente me njëra tjetrën, por janë gjithkund konkurente me BDI-në. Po të ishin racionale ato do të kishin koalicionuar që në rrethin e parë, por në mungesë të kësaj duket se sipas rrethanave lokale do të mbështesin njëra tjetrën në rrethin e dytë. Nëse ky lloj bashkëpunimi bëhet me sukses, ai mund të rezultojë me përfitime të majme për të dy palët; në të kundërtën ata mund t’ia hanë kokën njëra tjetrës siç kanë bërë partitë opozitare shqiptare në të kaluarën. Me një fjalë të dy partitë kanë fatin e njëra tjetrës në duart e veta. Pas sjelljes së votuesve shqiptarë të LSDM-së, mendoj se ky raport është më i rëndësishmi për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve.

Raportet BDI-Aleanca. Megjithëse janë bashkë në pushtet, raportet BDI-Aleanca nuk janë aspak komode, as në nivel elitash partiake, as më poshtë te votuesit. Megjithatë ata do ja kenë nevojën njëra tjetrës, sidomos në Strugë ku do të nevojitet mobilizim i përgjithshëm në rrethin e dytë. Konkretisht ka gjasa që raportet BDI-Aleanca të acarohen edhe më tej nga gara në komunat tjera dhe fakti që Aleanca mund të bashkëpunojë me Besën. Në këtë rast a është e sigurtë se BDI do të mobilizohet pas Selës në Strugë në rrethin e dytë për të mposhtur VMRO-në, apo do tentojë t’a fundosë atë dhe Aleancën pasi edhe ashtu e ka zili popullaritetin e tij personal? Është kjo një pyetje që nuk parashtrohet fare, por që mendoj se është tejet valide.

Votuesit e PDSH. Për fund duket se PDSH përfundimisht është zbehur, por votuesit e saj do të ngelen tejet relevantë dhe nyje kyçe në disa komuna në rrethin e dytë. Konkretisht, nëse PDSH dështon në rundin e parë, sjellja e votuesve të saj do të përcaktojë fituesin në disa komuna ku PDSH është akoma e fuqishme, si në Tetovë dhe komunat rurale rreth saj. Votuesit e PDSH poashtu do të kenë fjalë të rëndësishme në Strugë.

Si do të sillen ata? A do të mbështesin në rrethin e dytë kandidatët e Besës dhe Aleancës për të ndëshkuar kundërshtarin e kahmotshëm BDI? Apo këtë rradhë do të ndihmojnë BDI-në që të fundosin Besën dhe Aleancën, me një fije shprese se kështu do të rikthejnë edhë një herë vendin e dytë? Mendoj se më racional është varianti i parë, por skena fluide politike nuk përjashton as mundësitë tjera.

 

Sidoqoftë fjalën e fundit për këto dilema e kanë vetë votuesit. Mendoj se këtë rradhë ata do të injorojnë në masë të madhe kalkulimet që bëjnë vetë partitë dhe kryesisht do të votojnë me kokë të vete. Mu për këtë këto zgjedhje janë më të paparashikueshme se kurrë dhe besoj se populli përsëri do të befasojë ashtu siç bëri në zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button