ANALIZË: 15 vite pa regjistrim të popullsisë – edhe një cikël zgjedhor pa popullatë të numëruar!

Edhe një cikël zgjedhor do të realizohet pa e numëruar popullsinë. Në prag të zgjedhjeve lokale, është e qartë se ky operacion statistikor, i cili është bazë për të gjitha matjet e tjera, duke e përfshirë edhe listën zgjedhore, do të presë kohë më të mira. Një pjesë e ekspertëve përkujtojnë se Maqedonia, për herë të fundit regjistrimin e ka bërë para 15 vitesh. Garnitura e re në pushtet paralajmëroi se do ta realizojë regjistrimin e popullsisë në vitin 2019, për të cilën gjë do të nevojiten përgatitje të ndërlikuara, mirëpo duhet edhe vullnet politik për t’u fituar pasqyrë e plotë për numrin e popullsisë, strukturën etnike, mirëpo edhe për fuqinë ekonomike, shkruan Portalb.mk.

Akoma ka komuna pa vlerësim për numrin e popullsisë…

Zgjedhjet lokale të tetorit do të mbahen pa regjistrim të realizuar të popullatës. Është e qartë se edhe një cikël zgjedhor do të kalojë pa popullsi të numëruar. Edhe pse nga qeveria thonë se ky operacion do të realizohet sapo të krijohen kushte për këtë, një pjesë e ekspertëve që i konsultoi “Portalb”-i thonë se zgjedhjet lokale do të mbahen pa pasur vlerësim për numrin e popullsisë në madje shtatë komuna.

“Kaluan disa cikle të zgjedhjeve në vend pa pasur të dhëna nga regjistrimi i popullsisë. Regjistrimi i fundit i popullsisë është realizuar në vitin 2002. Nga ajo periudhë e deri më sot, gjegjësisht deri në datën e caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, pra më 15 tetor të vitit 2017, nuk ka në dispozicion të dhëna për numrin e popullsisë në vend edhe për një pjesë të komunave. Mund të themi se kjo do të thotë se tashmë 15 vite bëhen vetëm vlerësime për numrin e popullsisë në bazë të dhënave nga viti 2002 dhe parashikimeve vjetore për rritjen natyrore dhe për lëvizjet migruese” – thotë Donço Gerasimovski, njëri nga drejtorët e mëparshëm të Entit shtetëror të statistikës dhe shton:

“Mirëpo, duhet ditur se për shtatë komuna, edhe atë për: Butelin, Çairin, Shuto Orizaren, komunën Qendër, Aerodromin, Kisella Vodën dhe Sopishten, nuk ka as vlerësime për numrin e popullsisë. Këto të dhëna kanë të bëjnë me numrin e popullsisë në vend, pa i numëruar edhe ata që janë jashtë vendit më shumë se një vit e gjysmë. Kjo do të thotë se nuk ka të dhëna të sakta dhe precize për numrin e popullsisë në vend.”

“Duke pasur parasysh se në krye të Entit shtetëror për statistikë tani gjendet kuadër i BDi-së, gjegjësisht për drejtor u caktua Zirap Asani, ka mundësi që regjistrimi të menaxhohet pikërisht nga partia e Ali Ahmetit, e cila ishte në kurorë politike me VMRO-DPMNE-në deri në tetor të vitit 2011, periudhë kjo në të cilën regjistrimi filloi mirëpo asnjëherë nuk përfundoi. Në fakt, operacioni u ndërpre për shkaqe politike, ndërsa kjo “aventurë” u kushtoi qytetarëve shuma milionëshe të parave të harxhuara nga buxheti shtetëror.

Se politika nuk guxon të jetë pengesë për këtë operacion statistikor, para do kohësh reaguan edhe nga partia “Dinjiteti” (Dostoinstvo):

“Qeveria duhet të angazhohet për organizimin e regjistrimit të popullsisë, kur të krijohen kushte për këtë. Patjetër duhet ta bëjmë regjistrimin e popullsisë, që të shohim se sa jemi, e pastaj të nisemi të ecim përpara, e jo të krijohen ndarje në mesin qytetarëve të Maqedonisë për përqindjet e bashkësive etnike”, deklaroi Stojançe Angellov nga “Dinjiteti”.

Kundrejt kalkulimeve politike, regjistrimi i popullsisë si matje e vëllimshme statistikore, siguron të dhëna të cilat pastaj janë bazë për hulumtime dhe krahasime të tjera. Kështu, nëpërmjet regjistrimit të popullsisë përveç që fitohen informata të sakta për numrin e popullsisë dhe për shpërndarjen e tij territoriale, sigurohen të dhëna edhe për strukturën e tij sipas parametrave demografike, gjeografike, etnike, ekonomike dhe sociale, pastaj numërohen amvisëritë dhe shpërndarja e tyre territoriale, si dhe të dhëna për strukturën e amvisërive sipas madhësisë, llojit, përbërjes familjare dhe përbërjes së gjeneratave. Ky operacion statistikor siguron edhe informata për numrin e vendbanimeve sipas llojit dhe shpërndarjes së tyre territoriale, e për banesat, në kuptim ndërtimor, sigurohen të dhëna edhe për madhësinë e tyre, pajisjen me instalime dhe hapësirat ndihmëse.

“Pa regjistrim të popullsisë nuk ka pasqyrë dhe gjendje të popullsisë së vendit për shumë parametra edhe atë për: numrin e popullsisë në të gjitha nivelet e RM-së, sipas rajoneve dhe komunave, e veçanërisht sipas vendbanimeve ku rreth 10% janë zhvendosur, e poashtu edhe 10% në vitin 2002 kanë pasur popullsi deri në 10 banorë. Nuk dihet gjendja e popullsisë sipas gjinisë, moshës, arsimit, përkatësisë etnike, sociale, ekonomike, gjendjes së banimit, gjendjes bujqësore, etj. Si duhet të planifikohet e ardhmja në infrastrukturë dhe në fushat e tjera.” – thotë Gerasimovski.

Sipas ekspertëve, regjistrimi i popullsisë duhet të jetë prioritet i qeverisë së re për shkak se ai do ta qartësojë edhe një dilemë që ka të bëjë me emigrimin, gjegjësisht shpërnguljen e qytetarëve nga Maqedonia.

Sipas standardeve të Bashkimit Evropian, gjegjësisht sipas Eurostatit, çdo vend duhet të bëjë regjistrim të popullsisë çdo 10 vjet. Për realizimin e regjistrimit të popullsisë vendos Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me shumicë votash.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button