Sondazhet: Përmirësohet vlerësimi për Presidentin Trump

Sondazhet tregojnë se miratimi për punën e Presidentit Donald Trump nga amerikanët ka shënuar përmirësime në javët e fundit. Sipas disa sondazheve miratimi i punës së Presidentit Trump nga publiku amerikan ka arritur në 40 për qind, në krahasim me rreth 30 për qind mbështetje që ai pati në mesin e muajit të kaluar pas komenteve të debatueshme që bëri në lidhje me protestat e dhunshme në Sharlotsvill të Virxhinias.

Por, a është ky një ndryshim i qasjes ndaj qeverisjes nga ana e Presidentit Trump apo ai thjeshtë është duke shijuar një periudhë të përkohshme të rritjes së miratimit për punën e tij duke marrë parasysh se që nga fillimi i presidencës së tij, sondazhet i kanë dhënë atij vlerësime të ulta, transmeton VoA.
Presidenti Trump kaloi shumicën e javës në Nju Jork, ku ai mbajti fjalimin e tij të parë në OKB, gjatë të cilit i bëri jehonë premtimeve të tij të fushatës presidenciale:

“Si president i Shteteve të Bashkuara, unë gjithmonë do ta vërë Amerikën në radhë të parë”.

Miratimi për punën e Presidentit Trump është përmirësuar pas vendimit të tij për të punuar me demokratët mbi buxhetin dhe reagimin e administratës së tij ndaj uraganeve të fundit.

Por, është e vështirë të parashikohet se sa do të zgjasë kjo qasje dypalëshe e Presidentit Trump, thotë analisti Bill Galston:

“Unë kam hequr dorë nga biznesi i parashikimit të gjërave kur është fjala për Presidentin Trump. Për momentin, ky është një ndryshim i rëndësishëm i strategjisë dhe taktikave”.

Bashkëpunimi dypartiak nuk shtrihet në çështjen e kujdesit shëndetësor, ku senatorët republikanë si Lindsey Graham po bëjnë një përpjekje të fundit për të shfuqizuar dhe zëvendësuar ligjin Obamacare:

“Nuk dua të kthehem në Karolinën e Jugut dhe pa besuar në zemrën time të them se bëra gjithçka që munda për ta shfuqizuar ligjin Obamacare”.

Trump mbështet përpjekjen e re:

“Nëse kjo ndodh, unë mendoj se do të jetë një gjë shumë e mirë për vendin”- thotë ai.

Demokratët, përfshirë ish-presidentin Barak Obama, paralajmërojnë se miliona njerëz mund të humbasin sigurimet nëse shfuqizohet ligji aktual i kujdesit shëndetësor:

“Është një situatë acaruese, dhe e gjithë kjo po bëhet pa ndonjë arsyetim racional ekonomik apo logjik dhe të kuptueshëm.”

Trump mbetet i vendosur t’u tregojë përkrahësve të tij se ai mund të përmbushë premtimin e tij të fushatës për të shfuqizuar ligjin Obamacare, thotë analisti Allan Lichtman:

“Unë mendoj se këta janë njerëz që vërtet po vuajnë, të cilët kanë mbetur prapa në ekonominë e re dhe që mendojnë se një biznesmen i drejtpërdrejtë, i cili do t’u kundërvihet kinezëve dhe meksikanëve, mund t’i ndihmojë ata ekonomikisht”.

Por edhe me përmirësimin e lehtë në sondazhe, miratimi i punës së Presidentit Trump nga publiku amerikan mbetet në nivele historikisht të ulta, thotë anketuesi i firmës Gallup, Frank Newport:

“Në fund të fundit, ai është duke marë vlerësimet me të ulta në vitin e tij të parë se çdo president tjetër i sapozgjedhur në vitin e tyre të parë në detyrë që nga koha e Presidentit Dwight Eisenhower”.

Një votim në senat për planin e fundit të republikanëve për kujdesin shëndetësor pritet të ndodh para 30 shtatorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button