PËRFYTYRIM ANALITIK I SUBJEKTIT NGA DISTANCA KOHORE

Remzi Salihi

Remzi Salihi

Romani “Ëndrra e doktorit” Besnik Mustafaj , botim nga Toena, Tiranë 2016.

Bartja e fenomenit dhe subjektit letrar, si mundësi kreative e të shkruarit analitik, nga një kohë në një kohë tjetër, është bërë metodë shumë e preferuar kompozicionale dhe eksperimentuese e epokës së re letrare. Përmes këtyre qasjeve të reja strukturaliste dhe poststrukturaliste shëmbëllejnë, si të veçantë nëpër shkrimet e tyre mjaft autorë të botës, por, tanimë, në këtë formë e model, të përfytyrimit analitik shkrimor, vepron edhe teknika kreative postmoderne e shkrimtarit Besnik Mustafaj. Me anë të kësaj ndërmarrje të preferuar estetike intertekstuale të tij, jepet përvoja interdisciplinore kreative simbolike e tekstit të dhënë si shembull, apo version arti bashkëkohor, ku katapulltonë vëmendshëm shkrimi i temës së trajtuar njëherë, Pastaj në vazhdim të saj, bashkë me motivet e shumta, nxitet me shkas vëmendja e kohezionit njerëzor për ngjarjet e ndodhura njëherë. Kjo formë qasjeje estetike e këtillë sot është bërë metodë ndikuese dhe e arsyeshme në përpunimin letrar të një shkrim të ri. Gjithsesi se ky rrëfim prozaik nga autori tani ndërtohet në mënyrë të vëmendshme interpretuese. Që do të thotë se struktura e romanit, si një motiv simbolik i shtjelluar dhe i kapshëm për lexuesin, flet për një ngjarje të ndodhur apo të shkruar prej një krijuesi tjetër të më mëhershëm, i cili ka nxjerrë në pah kuptimi ndodhi dhe shpalime sistemore koherente të vendit, të njerëzve të dikurshëm me karrierë të rrejshme në shoqëri. Këto ide dhe rrethana ndikuese për shoqërinë kanë ndikuar te autori si valë artistike të mbarështuara mire dhe me vlerë të posaçme shoqërore. Tani të tilla ide përkojnë me efekt të njëjtë kuptimi edhe në kohën tonë, ngase këto motive të zbatuara sot kësi soji, nuk e kanë humbur idenë dhe syzheun kryesor të veprës satirike. Por në romanin e Besnik Mustafajt, vihen në spikamë gjykime edhe anomali psikologjike të reja shoqërore. Kështu, eksperimentaliteti rrëfyes i ngjarjes vendoset me qëllim artistik kreativ, ndoshta kjo bëhet në këtë mënyrë, sadopak për të ndriçuar do fenomene njerëzore që përsëriten në jetë, apo për të vënë në baraspeshë një vlerësim politik e social të dikurshëm, me një situatë dhe një kohë tjetër intime njerëzore, ashtu të ngjashme, si atëherë, duke përfshirë në gjykim kritik apo simbolik të njëjtat mjete, karakteristika dhe imponime kulturore që posedojnë personazhet, si ngarkesa egoje nëpër ngjarje.

Tema dhe personazhet e këtilla kanë zënë vendin e merituar në historinë e letërsisë shqiptare. Kështu komedia e Çajupit ‘’Pas vdekjes’’ me segmentet e përligjura estetike që ka pasur ndikimit të madh në opinion, tanimë, mbanë peshën e kohës, si vlerë apo si temë e mirëpritur letrare, e që stimulon artistikisht në efektin ndikues në shoqëri. Por ky brumë letrar i shtjelluar dikur, në atë formë satirike të përqasjes së temës nga këndi realist, tani, ngjishet apo trajtohet ndryshe teknikisht për nga ana strukturale e ndërtimit të veprës së Mustafajt. Pa dyshim se kjo formë e rrëfimit të kësaj vepre sot sjell diçka të re për lexuesit e rëndomtë dhe të atyre profesional. Aty, në perceptim të shumanshëm, janë të salduara ndodhitë e kohës, sepse janë ngjarje tipike që mbeten atraktive dhe sensacionale për shoqërinë tonë. Kjo temë e trajtuar nga Çajupi, sot në laboratorin e punëtorisë kreative të Besnik Mustafajt, merr një dimension eksperimental tjetër, të kapjes apo të shtrirjes së gjerë të shprehjes imagjinare kreative. Pasi këtu në këtë kantier letrar, jepen vëmendshëm edhe fiksione meditative të rralla, personale, për shumë faktor jetësor dhe detaje psikologjike që ngarkojnë personazhet, se sa përfaqësimi i tyre i njëanshëm realist artistik, të akteve dhe roleve të tyre vepruese. Sidomos, aty mbetet evidente në qasje ajo ana komike e tyre tërheqëse. Ndaj në roman gjurmohen dhe identifikohen nga autori në mënyrë të veçantë karakteret e figurave të huazuara me një përkushtim eseistikë të thellë. Nga ky kërkim e kënd vështrimi psikologjik, i temave të parapëlqyera, për shtjellim e rrëfim evokues, të gjërave të ndodhura njëherë, do doja të them tani se ky material letrar i dhënë kështu në këtë formë të qasjes preferuar, apo si përsëritje e vëmendshme analitike e tekstit në roman bashkëkohor, tanimë, kuptohet e pranohet bindshëm, si motiv bashkëkohor adekuat, sidomos i atyre faktorëve letrar provokues të përhershëm dhe nxitës, për do ngjarje e karaktere njerëzish të ndodhura sot dhe të ripërtritura mirë te ne nga e kaluara.

Posaçërisht vlen të thuhet se në këtë vepër vihet re prania e metodave dhe teknikave të reja shprehëse, të cilat teknika shkrimore arnohen stilistikisht kuptueshëm, gjegjësisht të ndërthuren mirë me frymën moderne e postmoderne. Kjo ide, e derdhur kështu në këtë formë, është e njohur mirë për lexuesit permanent të zhanrit të romanit, ndaj sot kjo metodë kuptohet dhe merret lehtë në zbërthim adekuat të veprës, si një rrëfim analitik bashkëkohor i kapshëm dhe i stërholluar në dhënien e detajeve të shumta kuptimore, apo të prurjeve spontane të sentencave dhe fragmenteve tipike të parapëlqyera, të cilat, tanimë, zbulojnë me zhdërvjelltësi, do fshehtësi njerëzore të pa thëna më parë. Autori duke ikur me të drejtë nga konvencioni tradicional i të rrëfyerit, në mbarështimin e subjektit të romanit, afron një shtjellim interpretues novator, që përshtatet me kriterin e shkrimit artistik bashkëkohor, gjegjësisht në përputhje me të gjitha normat teorike, letrare të kohës sonë.

Shkrimtari, Besnik Mustafaj, në romanin ‘’Ëndrra e doktorit’’, hynë thellë në llavën e shkultë të karaktereve njerëzore dhe nëpër këto thellësi të nxehta të zhytjes zbuluese të qëllimit estetik dhe të kërkimit psikologjik të tyre, jep të dhëna bindëse për protagonistët e romanit, kryesisht duke na afruar një model gjuhe ironike, apo një trajtim tipik, shoqëror ekzistencialist të jetës, nëpër të cilën përqasje të zhdërvjelltë jetësore, fokusohen në mbamendje argumente të theksuara ekzistenciale njerëzore, siç janë: frika, liria, absurditeti, hiçi, etj. Këto faktor bëhen të kuptueshme, kryesisht, duke i ndërtuar e veshur realisht figurat e tij me një tis të papjekurisë njerëzore, në rrethana e vende të caktuara të jetës, ku grotesku, ironia dhe humori zi, shpalojnë maskën e qëllimit të rrejshëm e idealist të individëve nëpër rrjedhat e kohës. Autori me këtë formë shkrimi, zbërthen në detaje të shumta kategorinë e njeriut jo stabil, të luhatshëm dhe sidomos të atij individi të pa edukuar e të paplotësuar sa duhet moralisht në vete. Ato njerëz e kanë mizën ndër kësulë, që me veprimet e tyre ia thonë tjetrit, pa ngurrim, të shëmtuarën poseduese, por atë të shëmtuar të dukshme dhe të fshehtë e kanë të kultivuar apo të instaluar, si karakter, si defekt njerëzor, kryesisht, që vetëm e vetëm, të mos ua thuash e ngjeshur atyre këtë të metë shpirtërore e egoje të komplikuar,  përçmuese. Kështu ana e brendshme e personazheve, ajo e padukshmja, na kurdis vëmendshëm në qasje të stërholluar dhe në detaje kërkimore të mundshme analitike, për të zbardhur do segmente të posaçme jetësore, psikologjike, e cila mbarështrohet me një tipizim të mirë. Karakteret e tyre dalin në skenë kthjellët dhe lexuesi e kap këtë pasqyrim të afruar e të lakuriqësuar vetish njerëzish, në gjykim të përhershëm kritik, si çështje anomalie tipike, më e përgjithësuar qenësore, ku servilizmi dhe e shëmtuara e egos njerëzore duket në mënyrë reale. Të gjitha ato të dhëna psikologjike të individit, në atë kohë dhe në kohën tonë, janë të lidhura me marrëdhëniet shumta dramatike, konfliktuoze, politike dhe sidomos të atyre lëvizjeve dhe formave tjera jetësore e individuale në shoqëri.

Me këto veçori të posaçme njerëzore, të ndërtimit të karaktereve tipike dhe sidomos me atë ngritjen e humorit të zi, që na i përkujton shkrimtari tani në roman, përballemi për çdo ditë në jetë. Qëllimi këtu nuk është vetëm te prurja e ilaritetit, gazit apo të qeshurës në vepër, por bëhet edhe bartja anakronike e dukurisë si çështje e madhe psikologjike, sidomos ajo ana patologjike e kulturës së përgjithshme shoqërore. Këto veti karrieriste të personazheve janë integruar sot në masë, si fenomene dhe vese të adaptuara keq, Në shoqëri dhe nën vetëdijen tonë këto të meta fokusohen si përmasë e rëndë, e fenomene të trashëguara devijuese.

Këto faktorë njerëzor përqendrohen, si një sferë jetësore e pranishme, e që sot bëhet e kuptueshme, si diçka e hidhur, e ulët, apo si fenomen i përhershëm i së shëmtuarës ekzistuese në shoqëri, ku njeriu në të shumtën e rasteve e ka të pamundur tejkalimin e vetes apo ikjen e tij nga vesi I keq, Serviliteti i kulturës së rrejshme, ashtu siç është fokusuar edhe në tekst, bashkë me vetitë ekzistuese, të lakmisë, shtirjes, rrenës, improvizimi dhe varësisë së individit nga të tjerët. Këto cilësi abuzive, njerëzore, bien përherë në sy, si forma penguese e të trashëguara shoqërore, ndaj këto prapështi njerëzish, nuk mbeten pa u theksuar e parodizuar, bindshëm edhe te vepra e autorit në fjalë.

Romani i Besnik Mustafajt, ‘’Ëndrra e doktorit’’ sjell në botën letrare po të njëjtin ritëm rrëfimi reformues e provokues, si te disa vepra tjera të shkruara në këtë formë të qasjes dhe të ndërtimit strukturor. Shkrimtari ngërthen në roman një përvojë kreative të tillë artistike e estetike të shkrimit analitik, të ushtruar mirë në këtë decenie të fundit, që, tanimë, vështruar nga këndi teorik, letrar, është shndërruar qëllimisht në gjuhë e stil shtjellimi personal. Ai bëhet më bindës në punën dhe dimensionin e tij të ndërmarrë. Mustafaj bënë koordinim stilistik të idesë së reformuar apo të përgjëruar sistematikisht në art kreativ personal, me bindjen e tij se i është përshtatur qëllimit të gjetur naratorik, me ngjeshje  estetike bashkëkohore. Ai gjithsesi se me këtë renditje e shprehjeje artistike, na fton të kapin edhe disa veçanti emocionale kreative të kulturës së tij letrare, kryesisht të pranuar e të përfituar nga metodat e reja të shkrimit postmodern. Prandaj kjo normë e zbatuar si metodë teorike unike dhe vepruese e tij, sjell edhe efekte dhe nivele shkrimi më të dallueshëm personal. Në këtë rast, pa dyshim mund të themi se në kohën e fundit, kjo ngjizje shkrimore e zbatuar kështu, mban diçka të re në botën e tij letrare. Pos këtyre të dhënave shprehëse psikologjike, gjuhësore, romani me disa referenca të shkëputura nga komedia e Çajupit, plotëson dhe mbarëson drejtpërdrejtë gërshetimin e personazheve me kohën dhe vendin ku jetojnë dhe nga kjo përshtatje e përleshje tekstuale, adekuate, të situatës së dhënë, për efekt provokues të kohës sonë, merr kuptin e vet të duhur. Ideja ndërtohet përmes përzgjedhjes së gjuhës e shprehjes magjike dhe të rrëfimit parabolik të temës dhe ngjarjes së shtjelluar kaherë. Kështu, ky roman i shkruar dhe strukturuar kështu, kështu në këtë formë, adaptohet lehtë në stilin personal të autorit dhe si i këtillë merr një veçanti kreativiteti rrëfyes të dukshëm, kryesisht, si te romani pararendës ‘’Autopotret me teleskop’’.

Besnik Mustafaj duke dashur të bëjë thyerje artistike nga rrëfimi tradicional i tekstit, në rrëfim postmodern, ngjarjen e bart në mënyrë tjetër trajtimi eksperimental, të themi më bindshëm, se nga kjo metodë kërkimi letrar, autori kërkon ndryshe një tension gjuhësor analitik ose interpretim psikologjik nxitës, për veprën e shkruar 100 vjet më parë. Përmes këtij gjykimi të vërtetës së dhënë, në metodën e sendërtuar strukturore të zhanrit të romanit, kuptohet mirë në tekst forma e përmasës përgjëruese e personazhit të tipizuar, e që nga ky kompozicion letrar adekuat, personazhi mund të mbijetoj gjatë, si trajtim tipik i fenomeneve, nëpër suaza e etapa të ndryshme kohore. Sepse secila kohë i ka doktor Adhamudhat e vet. Ato jetojnë me ne, duken dhe rrugëtojnë me të gjitha veprimet e veset e tyre të shëmtuara nëpër ngjarje. Këto personazhe kureshtare me plasticitetin e tyre veprues, subversiv dhe tipik në shoqëri të dyshimta, janë përherë të gjallë, nxjerin krye dhe kanë trajtimin e vet nëpër etapa të ndryshme jetësore. Por tani gabimisht bëhet gjykimi i njëanshëm, kur disa nga lexuesit apo kritikët e këtij romani, këto figura të trajtuara nga autori, ua ngjeshin në mënyrë tendencioze ndonjërit nga autoritetet politike të kohës sonë, por sipas mendimit tim ky gjykim apo trajtim interpretimi, në këtë formë të dedikuar njëanshëm, nuk ka të bënte fare mire, me këtë analogji perceptuese, të njëanshme artistike, të ngushtuar, se ngjajshmërit mund të jenë përherë identike, evidente, por unë nuk pajtohem me një përkufizim të tillë, nga të tjerët lexues, në dhënien e karakterit të kufizuar të personazhit tipik nga autori. Sepse në këtë kontekst mendimi të lansuar njëanshëm, të kufizimit të idesë gjykuese dhe të ngjashmërisë, në përceptim analitik më të thellë, do ta kishte zbeh kuptimin e veprës. Ndaj qëllimi i shkrimtarit nuk duhet përqendrohet vetëm te disa individë të kohës së vet, si alegori e ironi e mundshme, por autori koncentrimin e tij të qasjes e ka vënë te fenomeni i personazhit, si çështje kyçe njerëzore e përgjithësuar, sepse çdo gjë tipike i ngjanë njëherë dikujt, apo merret me intelektin e dikujt, si rast konkret i dhënë në një shoqëri ekzistuese. Sepse këtu në këtë rrëfim, jepen fërkime të njëjta me marrëdhëniet e individit kundrejt shoqërisë së luhatshme, tranzitore, të djeshme, të sotme e të nesërme, nëpër të cilat shoqëri frekuentojnë vese e anomali individësh, posaçërisht nga tundimi i tyre nxitës i përhershëm, për karrierë e veprim të rrejshëm, pastaj duke u përballur me shumë kundërshti tjera, të implikuara në jetë a vdekje, dashuri e intrigë.  Por të gjitha këto të dhëna konfliktuoze, në suaza më të thella të kuptimit të jetës, sjellin në skenë emancipimin e brishtë shoqëror të ngjashëm, sikurse këto fenomene degraduese të na përsëriten dhe të ndodhin përherë në mesin tonë. Adhamudhin, këtë njeri karrierist mund ta ndeshim në çdo skutë e situatë, kurse tani kjo figurë qendrore e veprës, si personazh i trajtuar dhe i universalizuar në këtë mënyrë e formë psikologjike, nga Mustafaj, vepron si stereotip tipik i rrethit tonë. Po të njëjtën gjë të tipizuar e kemi edhe me personazhet tjera në roman, siç është Zeneli, gazetashkronjësi Vurko, apo edhe mësuesja e çupave zonjusha Lulush. Këto qëndrime dhe karaktere njerëzish a nuk na përsëriten përherë në jetë? Shikoni klubet, institutet dhe asociacionet tona sot, partitë, ndoshta edhe udhëheqësit politik, a nuk duken ngandonjëherë, si Adhamudha të ngjashëm, që energjinë e vetë e kurdisin dhe harxhojnë në atë formë veprimi të rrejshëm, me sherr, shtirje e prapavijë të sofistikuar të intrigës, për t’u dukur, për të bërë vazhdimisht selfie nëpër rrjetet sociale elektronike, madje për të lëçitur tjetrin, për të përfituar maksimalisht dhe shfaqur mizorisht ndryshe veten nga ajo veti natyrale që kanë, dhe jo ashtu siç duhej të ishin në jetë reale, me karakter normal,pa servilizëm njerëzor. Posaçërisht këta individë në situata të ndryshme parapëlqejnë veten ose përpiqen të vënë në vete maska kamuflimi të shtirjes, për ta shfrytëzuar e keqpërdorur pozitën që kanë, apo për ta intriguar detyrën e marrë në shoqëri, vetëm e vetëm për të kryer do qëllime të rastit të dhënë, personal, e cila tanimë është e përmbytur nga imagjinata e vet e shkapërderdhur e interesit. Këto veti e vese njerëzore, janë psikologjike, universale, që na përsëriten disa herë në kohë dhe hapësirë, dhe me përsëritjen e këtyre ngjarjeve, na përsëriten edhe karakteret e njerëzve. Personazhet e tilla janë me shumicë dhe duken qartë nën lupë e vëzhgimit normal jetësor, si akte e veprime të bartura tipike. Kështu nga koha në kohë, ngjarjeve të shëmtuara dhe konflikteve të trajtuara u jepet kuptimësi domethënëse shoqërore, se gjërat ndodhin dhe mbeten si të gjalla përherë. Këta njerëz duke vepruar e ndikuar kësisoj në shoqëri, mbeten atraktiv dhe si shembull tipik deri në pavdekësi ose përjetësi.

Këto anë të errëta jetësore, lakmitare të njerëzve, bëhen më vonë fenomene trajtimi  te shkrimtarët dhe neve tani na japin shkas, autori, të kuptojmë se idiotizmi njerëzor ekziston dhe synon nëpër të gjitha kohërat. Këtu në këtë roman eseistik, mbase ngjarjet veprojnë në proces të vazhdueshëm dhe teksti i dhënë, si motiv nxitës, mund të shëmbëllej artistikisht edhe në një kohë tjetër, gjegjësisht, si një shkrim i futur me vëmendje të caktuar në një teleskop perceptimi ironik bashkëkohor. Po ashtu mund të themi se autori në këtë mënyrë përthith vëmendshëm një temë universale nga distanca kohore, por në dhënien e kuptimit të ri apo të vëzhgimit psikologjik të ngjarjes, autori hedh në rreth letrar, një përkufizim adekuat rrëfyes, që subjekti të ngjishet rrjedhshëm në veprim satirik, me të njëjtat probleme shoqërore e psikologjike që i bart me vete vazhdimësia e kohës dhe sidomos ajo jeta e sprovuar e njerëzve në marrëdhënie shoqërore të përhershme. Nga ky konkretizim tematik i qasjes artistike, na imponohet në nënvetëdije një dizajnim i fotografisë së ‘’Palimpsestit’’, apo të themi kështu më kuptueshëm, përsëritja e ngjarjes në formë fragmentare, e cila ngjarje nga autori shfaqet spontanisht në veprim kreativ, kryesisht, duke lënë në ndërtim letrar gjurmë dhe kërkim mjeshtëror të tekstit të dhënë dikur, si material apo lëndë bazë, por me betonim ideor rinovues të sotëm, që tani ajo e dhënë ideore e re të shkëlqej me fasadë arti të kapshëm, krejtësisht, në një tekst tjetër të ri, të ripërpunuar, bile pa e humbur efektin e vjetër ndriçues dhe të kontinuitetit rrëfyes të tekstit komik të mëhershëm.

Hipertensioni erotik dhe politik i personazhit

Autori, Besnik Mustafaj, me vetëdije të sprovuar gërvisht nëpër këtë thellësi kohe dhe në mënyrë analitike vëmendjen e kurdis në atë plagë të moçme shoqërore, në të cilën ka ndodhur ngjarja, kryesisht për të çjerrë, thumbuar, kamxhikosur, apo satirizuar, pa pardon droje, sot, një maskë shoqërore tjetër, gjoja patriotike të kohës sonë.

Personazhet mishërohen spontanisht në rrjedhat e konfliktit. Kështu ndodh edhe me dialogun provokues, midis Doktorit dhe shoqes së tij. Bisedat e tyre intime, të gjata, për sublimim më të thellë dashurie, familjare e shoqërore. Aton ë diskutim acarojnë marrëdhëniet midis tyre, si diçka e kurdisur dhe me qëllim e prapavijë të caktuar interesi. Vardisja e përhershme e shoqes për të pasur fëmijë, trashëgimtar, apo dëshira e sigurisë bashkëshortore për të ardhmen e saj në njërën anë, kurse kundërshtia permanente e Doktorit për këtë kërkesë normale të gruas së tij, në anën tjetër të kuptimit e të qëllimit ballafaques, e kap konfliktin bashkëshortor nga këndi dyshues i ndarjes dhe frikës, që i vjen si një komplot provokues dhe i organizuar mirë nga hierarkia shoqërore vepruese e kohës, gjoja se kjo vardisje femërore në këtë mënyrë është prapavijë politike, apo ndoshta merrej si një kurdisje e armikut që vepronte sistematikisht kundrejt synimeve të tij të fshehta materiale e politike shoqërore. Këtu, në këtë rrëfim psikologjik, autori na grish të kuptojmë se qenia njerëzore në vete duket, si një mister i pakuptueshëm në rrethana të caktuara jetësore. Adhamudhi i pa përmbajtur, ndër të tjera ngatërresash të shumta që kishte, simpatizon, lakmon edhe Lulushen, kurse humb ndjenjat dhe dashurinë për të shoqen. Nga kjo lidhje e ftohje intime, Doktori, do t’i keqkuptoj lëvizjet dhe dëshirat e gruas së vet dhe, para të tjerëve, vihet në tallje e përçmim nga disharmonia e marrë, intime e dashurisë, apo kundërthënieve dyshuese të rënda të këtyre bashkëshortëve. Prandaj nga ky shqetësim doktori detyrohet të ndërmarrë në jetë diçka më bindëse, më efikase, për ta zmbrapsur kërkesën e gruas së tij, si kërkesë jo normale për rrethanat e krijuara dhe të jashtëzakonshme që jetonte. Ai për të qenë më bindshëm në këtë ndërmarrje sherri e veprimi të keq, bën trillimin e spermës së helmuar, ose shumë trillime të tjera që mund t’i bëjë në vete qenia njerëzore e mbyllur dhe që ka prapavijë për ta arritur qëllimin e kërkuar të interesit dhe të rrugëdaljes së tij të rrejshme në shoqëri. Gjithashtu intrigat e përdorura duken tek ai qartë, si fshehtësi shqetësimesh të brendshme psikologjike, jetësore të vështira. (Këto fërkime intime dhe idesh të dala nga nënteksti, janë shfaqur edhe më parë te autori, sidomos te romani ‘’Vera pa kthim’’, (shiko Gorin me Sanën në intimitetin dhe konfliktin e tyre se si veprojnë e si reagojnë?). Dhe sipas këtyre rrethanave të krijuara familjare, posaçërisht në këtë situatë të ndërlikuar mendore e shoqërore të rëndë, vihet në pah autoriteti dhe kultura e njeriut për rrugëdalje nga situata, si qenie shoqërore, politike që është. Mbase vet doktorin në jetë e shoqërojnë dy shqetësime të mëdha: njëra është shpërfytyrimi i pleqërisë dhe tjetra është frika nga vdekja, pa nam e nishan, apo pa autoritet, i lënë pas dore në momentet vendimtare të shoqërisë. Ai donte të bëjë emër, karrierë dhe të jetë përherë atraktiv në çdo moment e situatë. Ngase njeriu nën vetëdije ka pikësynime e dëshira të tilla të mëdha, për të lënë gjurmë jetësore, ose për t’u dukur, si njeri bamirës, si njeri që posedon vlera të posaçme shkathtësie, e që tjerët nuk e njohin, nuk ia shohin nga distanca, apo nuk ia pranojnë e vlerësojnë sa duhet, si vlera të tilla të merituara e të rralla. Tani ky shpërfytyrim i madh apo shpërthim psikologjik i vazhdueshëm njerëzor, i dhënë kështu, si sekret i brendshëm nga autori, tek personazhet, e që të ngacmon përherë ky rast i dhënë kështu, si fenomen i mundshëm dhe, si ves i dukshëm në shoqëri, me shumë fakte të mbledhura nga përditshmëria e jetës. Prandaj sot kjo e dhënë e madhe, poshtëruese, turpërimi, devijimi, e që vjen nga individët e pa plotësuar shpirtërisht, si hipertension erotik e politik degradimi, është kurdisur bindshëm në pjesën më të ndjeshme të kodeksit njerëzor e të autoritetit personal. Kjo frikë e imponuar, ia ka shtuar makthin trishtues personazhit, Doktorit, apo individëve të shumtë që frymojnë kështu njëanshëm, në këtë arsenal ambicioziteti të ndërtuar dhe ndërlidhur tundueshëm në shoqëri. Ajo bindje merr kahe e përkushtim të madh, të zbulimit të kurthit, intrigës, prapavijës, për të mbijetuar, apo sa për të jetuar rrejshëm në rreth elitar politik. Ndaj më në fund kjo ngarkesë e madhe morale Doktorin e rrënonte nga dita në ditë brenda në shpirt, se egoja me potencën e tij karrieriste, të shfaqur, nuk mund ta arrijë qëllimin e synuar në jetë. Nga këto rrethana ai kishte ndërtuar në vete një paranojë trishtuese, të pa përballueshme dhe dyshuese, që e thyen dhe lëndon tërësisht personalitetin e tij, përballë nevojave të drejta e të detyrueshme kombëtare, si një njeri që mendonte se ishte dikush, por tani i papranueshëm si nivel intelektual nga shoqëria që i gjykon ndryshe gjërat. Kjo ndjenjë e brishtë është e lidhur me atë vetëdije të kuptueshme, racionale të çdo njeriu, që autoriteti i individit më parë thyhet nga brenda, sidomos, nga qëndrimi i tij i ulët, përballë shoqërisë, apo nga errësira e misterit të komplikuar dhe ndërtuar rrejshëm në vete, posaçërisht duke u bazuar tërësisht në rrethana e zakone të imponuara nga rrethi e shoqëria. Padyshim se këtu kemi të bëjmë me personazh tipik shqiptar, të atij njeriu të pa emancipuar sa duhet, e që në vete ka trashëguar gjatë jetës paragjykime konservative të vendit të tij. Kështu që Doktori në situata meditimi analitik të vetmuar, shpirtin ia gërryente përbrenda ndërgjegjes frika patologjike, dhe kjo tutë e salduar keq e më keq në karakter, e çon deri në shqetësim të madh veprues e vdekjeprurës, ndërsa për të pranishmit e tjerë, kjo situatë tmerruese kthehet në makth tronditës shoqëror, që vazhdimisht vëzhgohet nga anësh, si defekt njerëzor, si lëvizje apo veprim patologjik, jo normal i individit. Prandaj ai gjithnjë mendonte në vete, se mossuksesi i tij, në realizimin e projekteve të ëndërruara dhe të synuara për vete, i vjenë si rrënim nga brenda, sidomos nga kurthet e instaluara edhe nga njeriu më i afërt i tij. Ngarkesa mendore përkufizohej dhe shumëzohej, nga dita në ditë, në dukjen e tij formale, si njeri i pasur dhe i shkathtë që di ta fitoj paranë, por në personalitetin e tij ka edhe faktor tjerë tronditës, që e pengojnë dhe nuk e lënë të qetë. Ato faktorë tjerë ngacmues janë detyrimet e shumta të kohës dhe të ngjarjeve që ia plasonin nën vetëdije rrejshëm nevojën autoritative të elementit patriotik, ashtu siç e ngacmonte  thirrja e tij intelektuale e mundshme, për t’u kyçur edhe ai si intelektual në çështjen e madhe të kombit. Pasi këto kërkesat kombëtare, në hapësirë të caktuar, ishin dhe janë, si detyra të përgjithshme shoqërore aq të theksuara e të ndërlikuara për kohën, saqë edhe njeriun më indiferent e detyronte të angazhohej në veprim konkret, për shërbim patriotik madhor. Doktori e dinte këtë vlerë të përgjithshme, prandaj ishte vënë në përpilimin e abetares, ku nga ky rast i dhënë, do të përfitonte autoritet të dyfishtë. Do ta bënte të famshëm nga aspekti kombëtar, por edhe materialisht të pasur me shitjen e librit të botuar. Dhe këto dy mundësi kohore, përfituese, donte ta shfrytëzoj maksimalisht nga të tjerët. Ai shkon deri aty me pangopësinë e tij të karrierës dhe të dukjes, sa që donte të di edhe reaksionin e popullit të vet pas vdekjes. Reaksioni dhe sherri i veprimit të tij në këtë rast është i shkathë, por edhe qesharak, kryesisht për ta keqpërdorur shoqërinë dhe të afërmit e vet. Doktori ka kryer drejtësi, mjekësinë dhe merret me përpilimin e abetares, kështu ai i futë hundët edhe në gjuhësi. I shfrytëzon të gjitha mundësitë dhe metodat profesionale të rastit, për ta arritur qëllimin e dëshiruar. Jep edhe para për të korruptuar individë, vetëm e vetëm të mbërrijë në dëshirën dhe vendin e caktuar të pozitës së dëshiruar karrieriste. Ky veprim politik i bëhet sëmundje e pa shërueshme, sa që bie në vendime të errëta, groteske, qesharake, servile e përçmuese për rrethin. Na duket se ky subjekt romani është tipizuar mirë se edhe sot kësi lloj personazhesh janë të pranishëm në një shoqëri të këtillë, ku mossuksesi individual lidhet me tradhtinë që i bëhet pas shpine nga të tjerët, në këtë rast të veçantë edhe nga gruaja e tij. Prandaj çdo lëvizje e gruas në momente të caktuara, mendonte se bëhej me qëllim e paramendim, për ta rrënuar atë si personalitet me ambicie të mëdha patriotike, shoqërore e materiale. Lëkundjet e tij shirtërore shfaqen në një çast kur donte ta shkatëronte sistematikisht të shoqen për pabesi dhe tradhti. Edhe pse ‘’dyshimi I tij bazohej vetëm në hamendje, se nuk kishte fakte konkrete, për një gjendje të tillë, kështu dote thotë autori për personazhin e tij.  Tamam personazh frojdian. Këtu në këtë funksion ideor të autorit, më duket se ndërlidhet xhelozia me egoizmin e tepëruar të Doktorit, prandaj shihet qartë shpirtngushtësia e tij ndaj të tjerëve. Sipas kësaj del se personazhet e veprës ‘’Ëndrra e Doktorit’’, i kanë të gjitha mundësitë dhe arsyet të bëhen fenomene ngazëlluese dhe tipike për lexuesit, ndaj sipas kësaj bindjeje të qëndrueshme në roman, vëmendja na grish edhe për shumë raste tjera të ngjajshme jetësore, që janë të pranishme nëpër të gjitha kohët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP