Sulmi në Londër, 18-vjeçari akuzohet për “tentativë vrasjeje”

Sulmi me bombë në stacionin e metrosë “Parsons Green” të Londrës ka tashmë një të akuzuar zyrtarisht me “tentativë vrasjeje” dhe ai është një 18-vjeçar, i cili u paraqit në gjykatë këtë të mërkurë, transmeton Top Channel. 

Ahmed Hassan, nga lagjja Sunbury e periferisë Surrey, akuzohet gjithashtu edhe për shkaktimin e një shpërthimi me synimin për të rrezikuar jetët apo plagosjen e rëndë të shumë personave, në ngjarjen e 15 shtatorit.

Përballë gjykatësve në “Westminster Magistrates’ Court”, Hassan konfirmoi gjeneralitetet, si dhe adresën e banimit. Ai u arrestua dhe u dërgua në paraburgim, ndërsa pritet të transferohet në “Old Bailey” më 13 tetor. Në paraburgim kanë mbetur edhe dy persona të tjerë, 25 dhe 30 vjeç, ndërsa një 17-vjeçar i ndaluar nga oficerët e antiterrorit është lëshuar pa ndërmarrë asnjë veprim ndaj tij.

Ndërkohë, Suleman Sarwar, pronar i një dyqani në Hounslow, tha se është abuzuar dhe është kërcënuar pasi një punonjës i tij është arrestuar si pjesë e hetimeve për sulmin. Gjithçka ndodhi, siç rrëfen ai, pas arrestimit të Yahyah Farroukh, emri i të cilit nuk ishte përmendur nga policia, por ishte publikuar nga mediet. Ky i fundit është liruar gjithashtu pa ndonjë akuzë të ngritur ndaj tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button