Kosovë, ambasadat ftojnë partitë politike për zgjedhje të lira e demokratike

Ambasadat e shteteve të Kuintit në Prishtinë, ku bëjnë pjesë ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuara, kanë ftuar të gjitha partitë politike dhe kandidatët e tyre që të angazhohen për fushatë të qetë dhe zgjedhje të lira e demokratike, përcjell REL.

Thirrja e tyre është bërë në ditën e fillimit të fushatës për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 22 tetor.

Në deklaratën e përbashkët të ambasadave thuhet se “qytetarët meritojnë një proces zgjedhor të hapur dhe transparent ku të gjithë kandidatët kanë të drejtën që të dëgjohen nga votuesit, ku pjesëtarët e mediumeve kanë të drejtën që – pa kërcënim ose dhunë të shpërndajnë informata për zgjedhjet dhe ku të gjithë votuesit kanë të drejtën që të marrin vetë vendimet e tyre pa presion”.

Aty thuhet po ashtu se liria për përkatësi politike dhe liria e fjalës janë të drejta të garantuara në një shoqëri demokratike.

“Ne fuqimisht dënojmë çdokënd që tenton të ndikojë procesin zgjedhor, apo që përmes frikësimit, kërcënimit dhe presionit tenton të ndikojë në zgjedhjet e bëra nga votuesit. Ne presim nga udhëheqësit e Kosovës dhe nga ata që kanë ambicie për udhëheqësi që të flasin fuqimisht kundër këtij lloji të sjelljes”, thuhet në komunikatë.

Ambasadat kanë inkurajuar policinë vendore dhe prokurorët që të hetojnë çdo raport të frikësimit, kërcënimeve, dhe detyrimit, dhe që të ndjekin penalisht ato raste nëse ka fakte.

Në fund të deklaratës theksohet se ambasadat presin nga kandidatët që t’ju përmbahen standardeve gjatë gjithë fushatës, dhe i nxisin votuesit që të zgjedhin mençurisht ata kandidatë të cilët më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit gjersa shteti synon vazhdimin e rrugëtimit drejtë integrimeve Euro-Atlantike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button