Dëshprim total i një të akuzuari

E ndiqja emisionin debativ “200” të kësaj jave dhe nuk më besohej se ç’po shoh. Gruevski në Alsat, në emisionin e krijuar për nder të njëqindvjetorit të ditës së pavarësisë dhe të flamurit shqiptar, në përpjekje për ta bindur votuesin shqiptar se urrejtja ndaj tij dhe ndaj partisë VMRO-DPMNE na qenka thjeshtë çështje perceptimi. I gjori, paskësh qenë victimë e propagandës armiqësore që është zhvilluar kundër tij. E paimagjinueshme! Njeriu që krijoji dhe faktorizoi fashizmin shovinist të Mirkës, Llatasit dhe Milenkos akuzon të tjerët për propagandë armiqësore kundër tij! Perceptim i gabuar qënka ky i joni për të, ai në fakt na respektuaka sa s’ka më, bile kishte bërë shumë për mirëqenien tonë, shumë më tepër se çdokush tjetër në këtë botë.

E dëgjoja dhe habitesha se ku paskemi jetuar. Sipas fjalëve të tij, shqiptarët e këtij vendi jetojnë në kushte zvicerane dhe në standard skandinav. Me 75% rritje të vendeve të punës në qytetet e banuara me shqiptarë, me subvencione millionëshe për bujqit, me vende pune të reja në administratën shtetërore (të mendojë njeriu sikur vetë Gruevski ka qenë ideator i Marrëveshjes së Ohrit, nga ajo bindja e thellë e tij që vëllezërit shqiptarë duhet ti kenë të gjitha të drejtat që u takojnë), bile edhe me Kosovën e njohur zemërgjerësisht gjatë kohës së qeverisjes së tij. Po neve kishim jetuar në parajsë e nuk e kishim ditur. Evropianë të vërtetë në djepin e civilizimit. Ashtu është vërtetë, Gruevski nuk gënjen. Shqiptarët e këtij vendi po që jetojnë në kushte zvicrane, diku në Cyrih ose Lozanë, ata sigurisht që shijojnë standardin jetësor skandinav në Osllo e Kopenhagë, atje ku kanë shkuar si pasojë e faktit që për kohë shumë të gjatë nuk kanë parë asnjë perspektivë për fëmijët e tyre këtu. Por sa i përket vendlindjes së tyre që Gruevski paturpësisht e përshkruan si Gjermani ose Danimarkë, eh aty punët ndryshojnë.

Aty shqiptarët ballafaqohen me problem elementare të cilat assesi të zgjidhen. Ballafaqohen me mungesë të ambientit të pastër për të jetuar dhe helmohen vite me radhë nga tymi i kombinateve si Jugohromi e Osllomej të cilave qeveria e Gruevskit ua vazhdonte lejen vit pas viti për të kryer ekocid në qytetet tona. Ballafaqohen me mungesë të kanalizimit atmoferik në shekullin e 21. Ballafaqohen me qytete të ndara dhe të getoizuara më keq se Berlini para vitit 1990, ku kufijtë mes pjesës shqiptare dhe asaj maqedonase janë të dukshme, ndërsa udhëtimi i përditshëm i nxënësve me autobusë paraqet aktivitetin më të rrezikshëm në botë, duke pasur parasysh incidentet e dhunshme të urrejtjes që ata i përjetojnë në baza ditore e të cilat qeveria e Gruevskit nuk e pa të arsyeshme asnjëherë ti trajtojë duke inkurajuar ndjekjen penale të tyre si krime të urrejtes të cilat janë të ndaluara dhe dënohen ashpër sipas Kodit Penal. Ballafaqohen me shkolla të rrënuara ku fëmijët shqiptarë duhet të mësojnë në kushte parahistorike, sepse qeveria e udhëhequr nga Gruevski asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme të lëvizë një gurë në ato shkolla. Edhe kur mbahet mësim aty, nxënësit shqiptarë mësonin libra historie të cilët ata i karakterizojnë si barbarë të zbritur nga mali, të dyndur nga Shqipëria në periudha të ndryshme kohore, përshkrim ky që përkon saktësisht me klasifikimin e ministres së brendshme të kohës së Gruevskit e cila na quante “Indijanë” e çka jo tjetër.

Por Gruevski thotë që nuk e ka dëgjuar Jankullovskën të na thërrasë me ato emra. Njëherit thotë që duhet të kemi parasysh që edhe njerëzit e LSDMsë nuk na thërrasin me emra më të mirë në bisedat e tyre private. Pra sipas kësaj, shqiptarët në këtë vend nuk kanë nevojë tu besojnë veshëve të tyre, dëgjon Gruevski për ta dhe u tregon se si qëndrojnë punët dhe kush çka mendon për ta. Shqiptarët në këtë vend nuk kanë nevojë as të shohin: sheh Gruevski për ta dhe i bind nga thellësia e shpirtit që kriminelin e gjykuar në Hagë për krime lufte, Johan Tarçullovskin, në fakt ai nuk e ka parë t’i drejtojë dhunuesit e 27 prillit drejt sallës së shtypit ku duhej të kryenin linç ndaj Zijadin Selës. Nuk ka rëndësi që ne e kemi parë në inçizimet e kamerave që u bënë publike, me rëndësi është që Gruevski nuk e ka parë, dhe prandaj ai tani është kandidat për prefekt të komunës Kisela Voda në Shkup. Nuk na duhen neve sytë kur kemi Gruevskin që na e do të mirën dhe kujdeset mos të na mashtrojë LSDM me Ligjin e Gjuhëve. Nuk na duhet as mendja kur është ai aty të mendojë për ne. Sa shumë duhet ta çmosh bashkëqytetarin tënd për ta trajtuar për kaq idiot? A nuk është kjo ofenduese për inteligjencën e çdo shqiptari që ai do tani ta joshë pasi që u vërtetua se pa pëlqimin tone ai asnjëherë nuk do të vijë më në pushtet?

Sa i përket respektit të tij të pafund ndaj shqiptarëve, mjafton ta kujtojmë kërkesën e tij gjatë kampanjës së vitit 2016. Ai kërkoi nga maqedonasit që t’i sigurojnë 63 deputetë në mënyrë që të mos ndihet i kushtëzuar nga shqiptarët. Kur kjo nuk pati sukses, ai filloi të flasë për fitoren e tij “të pastër si loti” duke iu referuar votave maqedonase që i kishte fituar, përkundër fitores “së ndytë” të LSDM-së së e cila mori numër relevant të votave shqiptare. Kështu ai qartazi na bëri me dije bindjen e tij se vota e qytetarit shqiptar në këtë shtet është shumë më pak e vlefshme se vota e qytetarit maqedonas. Kur nuk i kaloi edhe kjo bindje dhe mbeti pa koalicionuar me partnerin e vet të gjeratëhershëm, atëherë iu drejtua LSDMsë duke i ofruar koalicionim me gjithsej 89 deputetë, shumicë e lakmueshme parlamentare me të cilën edhe vetë Kushtetuta do të mund të ndryshohej, duke i defaktorizuar tërësisht votat shqiptare dhe partitë politike shqiptare. Kur edhe kjo nuk pati sukses, ai i thirri maqedonasit të dalin në rrugë dhe ta mbrojnë shtetin nga armiku shqiptar i përfaqësuar nga ajo që ai e quante “Platforma Tiranase”. Në ndërkohë deputetët e partisë së tij për më shumë se 50 ditë e mbajtën peng Parlamentin dhe nuk lejonin transferrin demokratik të pushtetit. Kur shumica e re parlamentare zgjodhi Talat Xhaferin për kryetar të Kuvendit pasuan ngjarjet e përgjakshme të 27 Prillit kur për pak shpëtuam nga lufta civile. Dhe për asnjë nga këto Gruevski nuk shprehu pendim, përkundrazi, edhe më tej kërkoi të na bindë që zgjedhja e Xhaferit paska qenë kundërkushtetuese, ndërsa sjellja e gjertanishme e VMRO-së, tërësisht brenda Kushtetutës! Dhe pas gjithë kësaj ai merr guximin të dalë në emision shqiptar dhe të flasë për respekt ndaj shqiptarëve, bile edhe të shpresojë në koalicionim me ndonjë parti shqiptare në këto zgjedhje ose në të ardhmen?! Ai mund të na trajtojë si të vrarë nga trutë, por vallë, a jemi të tillë? Sinqerisht nuk besoj të jemi mazohistë të tillë sa të besojmë vërtetë në këtë lloj “respekti”.

Gruevski tha që ishte edhe viktimë e proceseve të montuara poltike kundër tij. Kulmi ironik i absurditetit është kur njeriu në kohën e të cilit e gjithë etnia shqiptare u karakterizua si radikale dhe terroriste përmes rastit “Monstra” ku njerëzit u dënuan me burgim të përjetshëm në bazë të dëshmisë së dyshimtë të dëshmitarit të mbrojtur thirret në procese të montuara politike kundër tij! Edhe pas gjithë kësaj kohe ai i karakterizon bisedat e përgjuara si “të prera, të ngjitura dhe të montuara” nga shërbimet e huaja. Dhe nuk ndjen asnjë farë pendese, sërish do i kishte bërë të gjitha gjërat që i ka bërë gjersa ishte në pushtet. Sepse njeriu për 11 vjet edhe mund të gabojë, por tek ai mbisunduakan bëmat pozitive mbi ato negative, ai na paska qenë shenjtor e ne nuk e paskemi ditur!

Por do e mësuakemi së shpejti edhe këtë, sepse me 15 tetor qytetarët do treguakan se ai paska pasur të drejtë, dhe ai do ktheheshka sërish në pushtet. Sigurisht, për të vazhduar persekutimin politik të mbi 2000 vetave në këtë shtet që i mbylli pas grilave në mënyrë spektakolare dhe për të cilët verdikti ishte shkruar muaj të tërë para se të ishin të dyshuar. Për të vazhduar pasurimin e tij në dëm të qytetarëve dhe për të na ngarkuar neve, fëmijët dhe nipat tanë me borxhe të huaja që asnjëherë nuk do mund ti kthejmë. Për të na larguar edhe pak më shumë nga Evropa dhe Amerika dhe për të na afruar drejt Rusisë, ashtu siç kishte filluar. Për të na bërë përsëri të heshtim dhe asnjëherë më të mos guxojmë të kritikojmë as qeverinë e as “madhërinë e tij”. Me 15 tetor ne të gjithë do të shikemi se çka do të ndodhë.

Ajo që duhet të ndodhë shumë më herët se 15 tetori është që ai të hyjë në paraburgim si i akuzuar që është për shkak të rreziqeve të shumta për përsëritje ose përfundim të veprave penale. E kuptoj që dëshpërueshëm kërkon të kthehet në pushtet dhe të shpëtojë nga ndjekja penale, por mjaft ishte! Mjaft më i dëgjuam gënjeshtrat e tija, mjaft më i dhamë hapësirë për të tentuar të na lajë trurin me “respektin” e tij të pafund. Është koha kur drejtësia përfundimisht duhet të fillojë të funksionojë, dhe gjithkush ta gjejë vendin e tij ashtu siç e meriton.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button