Takim i Zaevit me përfaqësues të DBM-së dhe të Forumit për Maqedoni Demokratike në Nju-Jork

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov dhe ministri i angazhuar i Diasporës, Edmond Ademi në Nju-Jork, realizuan takime me kryetarin e DBM-së Meto Koloski dhe me përfaqësues të Diasporës së Bashkuar Maqedonase, si edhe me kryetaren e Forumit për Maqedoni Demokratike, Makedonka Trajkovska.

Kryeministri Zaev, siç informojnë nga Kabineti i tij, në suaza të takimit ka mbajtur fjalim edhe para mërgimtarëve në pritjen e organizuar nga FMD, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve të Qeverisë për aktivizimin e diasporës në zhvillimin e Maqedonisë.

“Çdo vend pune e kemi të rëndësishëm, sepse Qeveria ndërmerr një seri të masave ekonomike me të cilat do t’i mbështesë financiarisht ndërmarrjet vendore, motivojmë investime të huaja, përmes trajtimit të njëjtë të investimeve në Maqedoni, ndërsa janë planifikuar edhe lehtësime ligjore për investimet e diasporës në Maqedoni, që do të shkojë si propozim në debat publik që të përcaktohet modeli më përkatës për atë. Me kontaktet tona mund shumë të kontribuoni për lidhshmërinë e investuesve të interesuar dhe pronarë të ndërmarrjeve në Maqedoni. Qeveria është përcaktuar për hapjen e mundësive dhe është e gatshme të jetë partner me diasporën e cila mund t’i ndihmojë Republikës së Maqedonisë, ndërsa në këtë rast, secili nga tanët në diasporë, të ketë edhe motivim personal të punojë apo të bashkëpunojë në, apo me vendin nga i cili e ka origjinën”, tha kryeministri Zaev, thuhet në kumtesë.

DBM dhe FMD, siç thuhet në kumtesë, kanë shprehur interes dhe mbështetje për aktivizim të diasporës në avancimin ekonomik të Maqedonisë, si dhe në hapjen e perspektivave euro-atlantike të shtetit.

Përfaqësuesit e Forumit për Maqedoni Demokratike, kanë shprehur mbështetje për politikat e këtilla qeveritare dhe kanë vlerësuar se Qeveria e re reformuese në Maqedoni hap mundësi të mëdha për qytetarët në Maqedoni, si dhe për përfshirjen e diasporës.

Është biseduar edhe për problemet dhe zgjidhjet rreth modelit përkatës për votimin e diasporës, mundësi për ndërlidhjen e të rinjve nga diaspora me moshatarët e tyre në Maqedoni, me qëllim të këmbimit të ideve dhe mundësive për zhvillim të bizneseve kreative, si dhe mënyrat për lidhshmëri të kompanive vendore me kompanitë nga jashtë, me interes të investohet në Maqedoni.

Kryeministri Zaev ka theksuar se është me rëndësi të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe nga Maqedonia, të cilët e duan shtetin dhe duan të ndihmojnë, të bashkohen rreth qëllimeve strategjike, sepse tani është krijuar momenti për këtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button