Një jetë e kaluar me fjalën dhe për fjalën shqipe

(Përkujtim për prof. dr. Abdullah Zymberin)

Ishte i lidhur fort me fjalën shqipe, më shkurt tërë energjinë e dashurinë ia kishte falur asaj. Me decenie e kërkonte atë në burim, atje te goja e popullit, atje shkonte t’i gjejë fjalët të cilave u kanosej harresa nga pakujdesia institucionale, shkonte ta dëgjojë si e shqiptonin gjyshet tona, çfarë ngjyre kishte fjala kur dilte nga gurra, çfarë melodie dhe si i shkonte këtij vendi të munduar, por të bukur. Eci me autobusë të arrijë vende që kanë mbetur në margjinat e interesimit institucional, eci në këmbë me kilometra nëpër fshatrat e izoluara malore të gjeografisë etnike shqiptare, vetëm, pa mbështetjen institucionale, duke mbajtur me vete plot skeda, disa lapsa e një diktafon, sepse këto vegla i do fjala e rrallë, fjala e vjetër, fjala e bukur shqipe. Në skedat e tij ajo dilte nga mallkimi, nga dënimi i pamerituar, nga barra e rëndë e pluhurit të harresës, e fitonte përjetësinë dhe i shpëtonte dorës së neglizhencës shtetërore. Gjithkund ky njeri i palodhshëm u prit mirë nga populli, gjithmonë e mbanin në krye të vendit nëpër odat e miqve, sepse edhe atyre u pëlqente puna që bënte dhe thuajse kurrë nuk e lanë të vendoset nëpër hotele, ngase te ai e njohën mikun e tyre të sinqertë, njeriun i cili sakrifikonte shumë për ta mbrojtur thesarin gjuhësor të shqipes të cilin fshatarët tonë fisnikë e ruajnë dhe e përcjellin te brezat tjerë si pasurinë më të vlefshme, si testamentin e vetëm me peshë të madhe të të parëve tonë. Ishte ky leksikografi dhe leksikologu shqiptar, Abdullah Zymberi, i cili ndërroi jetë para dy javësh, por që tërë jetën aktive krijuese ia kushtoi gjuhës shqipe, gurrës së saj, sepse e kishte të qartë se cila është shtylla kryesore e identitetit të këtij populli të lodhur nga përçarjet e grindjet politike, religjioze, partiake, institucionale  e klasore, të rraskapitur nga ndarjet që na i kanë bërë me kufij të hekurt.

Ka qenë e veçantë energjia pozitive e prof. Abdullahut, e cila ishte një energji e cila kishte ndikim te studentët dhe i zgjonte shkëndijat krijuese te ata që e kishin talentin e fjetur në vete. Pastaj, si kalonin ditët, shtohej numri i atyre që donin ta zgjedhin gjuhën shqipe si profesion të tyre. Kjo energji përhapej edhe nëpër ndeja, në aktivitetet sportive (nga të cilat nuk u nda derisa nuk ia zuri rrugën e nuk e pengoi sëmundja, e cila e goditi pa pritur e pa kujtuar), sepse ai e ndiqte me kujdes çdo bashkëbisedues kudo që ndodhej dhe në çastin kur bashkëbiseduesi e thoshte ndonjë fjalë të rrallë, ndonjë fjalë që s’e kishte fjalori (ai thuajse përmendësh e dinte se çfarë kishte brenda kopertinave Fjalori i gjuhës shqipe) gjithmonë ndërhynte: “Prit, prit, të lutem!”… Dhe, derisa bashkëbiseduesi ndalej i habitur, ai e nxirrte notesin dhe lapsin nga xhepi dhe shkruante. “Sa fjalë e bukur!” thoshte dhe biseda pastaj merrte tjetër rrjedhë, shkonte e zhvillohej rreth kësaj fjale gjerë e gjatë. Kështu më ndodhi edhe mua një herë moti. E pata takuar një shqiptar nga viset etnike shqiptare që sot kanë mbetur brenda kufijve politikë të Greqisë, i cili më pat thënë se atje murit nuk i thoshin si ne – mur (natyrisht as zit), por lerdh. Kuptohet që i tregova Abdullahut. “Lerdh”?! më ndërpreu i habitur dhe i entusiazmuar, kur i tregova. Nga emri ler, me prapashtesën dh”, më tha. “Çfarë ndërtimi i bukur”!

Sa herë që kemi udhëtuar nëpër fshatrat e ndryshme bashkë, herë për fjalë të rralla e herë për këngë kapuçash e filxhanash, gjatë gjithë kohës u ikte temave të ndryshme të përditshmërisë duke u ndalur te fjalët e rralla. “Si i thonë te ju, në anët e Tetovës vekut?” më pyeti një herë. – “Razboj”, i thashë. “S’është fjalë shqipe… “Po perajkës”? – “Lasë” – iu përgjigja. “Prit, prit… Lasë”?! “Po, lasë”. “Sa bukur. Nga folja laj, me prapashtesën s. Epo kjo qenka fjala që na duhet për lavatriçen. Lavatriçe koti! Lasë, vëlla, lasë. Lasa ka qenë një makinë e thjeshtë, një vegël me të cilën gratë kanë larë tesha dikur. Epo pse mos t’i themi tash lasë, po lavatriçe! Pse lavatriçe, vëlla, duke pasur lasën”?!

Dhe kështu në një gjendje plot frymëzim që e ndiqte tërë jetën, prof. Abdullahu thjesht ishte një arkeolog i fjalëve që u kanoset vullkani i harresës, fjalë të cilat u ngjajnë atyre qyteteve Herkulanum e Pompejë, të cilët i mbuloi dheu nga shpërthimi i vullkanit. Zbulimi dhe shënimi çdo fjale do të ketë peshën e vet në rezistencën që gjuha shqipe do t’ia bëjë kuçedrës së quajtur globalizim për të mos lejuar që të zhbëhet. Sepse, edhe tash jetojmë pranë një vullkani që quhet globalizim.

Puna e tij është një jetë e tërë e kaluar me fjalën shqipe dhe për fjalën shqipe, një jetë e tërë pranë nxënësve e studentëve, një jetë e tërë e kaluar me pasion, energji e dije dhe me përkushtim absolut. Kjo punë meriton ta kujtojmë me respekt.

Për punën e tij nuk ka marrë mirënjohje që i ka merituar nga institucionet, por ka marrë mirënjohje më të madhe, mirënjohjen e popullit dhe të miqve. Kjo u dëshmua në përcjelljen e fundit për në vendbanimin e amshumeshëm dhe pas saj në të pamë ku erdhën njerëz nga viset e ndryshme të hartës sonë etnike.

Profesor Abdullahu la pas vetes dy fjalorë të fjalëve të rralla shqipe dhe një përmbledhje këngësh të kapuçave a filxhanave (të mbledhur nëpër vise të ndryshme bashkë me autorin e këtij shënimi), shumë skeda të papërpunuara, i mbetën shumë ide fisnike të parealizuara. Dhe, e gjithë kjo do të mbetet e shënuar në historinë e zhvillimit dhe të përsosjes së gjuhës shqipe.

Ky njeri fisnik kaloi një rrugë impozante jetësore, la rezultate me vlerë dhe të qëndrueshme. Jetoi duke punuar dhe punoi duke e dashur jetën me gjithë zemër. Puna që ka bërë është e tillë që të mos harrohet nga brezat që vijnë dhe të jetë model për leksikografët e rinj, të cilët po punësohen nëpër institute.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button