HRW bën thirrje për sanksione kundër ushtrisë së Mianmarit

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të vendosin sanksione mbi ushtrinë e Mianmarit, e cila akuzohet për shpërnguljen e mbi 400,000 myslimanëve Rohingya.

Thirrja bëhet në ditën kur nis punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Eksodi i myslimanëve Rohingya ka nisur në fund të muajit të kaluar.

Refugjatët kanë akuzuar forcat e sigurisë në Mianmar dhe turmat budiste për djegien e fshatrave të tyre, ndërsa Qeveria ka thënë se forcat e sigurisë janë duke iu përgjigjur një sulmi të militantëve Rohingya kundër postblloqeve policore, që ka ndodhur më 25 gusht.

“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe vendet e interesuara duhet të vendosin sanksione dhe embargo armësh mbi ushtrinë e Mianmarit, për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik kundër myslimanëve Rohingya”, tha përmes një deklarate Human Rights Watch.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim konfirmoi se numri i myslimanëve Rohingya, që kanë ikur nga Mianmari dhe kanë hyrë në Bangladesh, ka kaluar mbi 400,000.

“Kemi 409,000 njerëz që kanë ikur në tri javët e kaluara”, tha Christopher Lom, zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.

Udhëheqësja ‘de fakto’ e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, ka tronditur komunitetin ndërkombëtar me indiferencën e saj ndaj situatës së komunitetit Rohingya.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se Suu Kyi ka “shansin e fundit” për të ndaluar krizën në vendin e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button