Osmani: Optimizmi rajonal evropian paraqet shans të papërsëritshëm për të gjithë vendet e Ballkanit

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani sot ishte nikoqir i Komitetit të tretë të përbashkët të Republikës së Maqedonisë dhe Malit të Zi, i cili u mbajt në Shkup, në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim mes dy Qeverive në procesin e integrimeve evropiane.

Delegacionin e lartë malazez, njoftojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane, e kryeson ministri për Çështje Evropiane dhe negociues kryesor i Malit të Zi në negociatat me BE-në Aleksandar Andrija Pejoviç.

Zëvendëskryeministri Osmani në  konferencë e përbashkët për shtyp ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e vazhdueshëm midis dy vendeve, e  në veçanti faktin që përmes këtij Komiteti të përbashkët krijohet baza e këmbimit të përvojave dhe njohurive të fituara, që kanë ndikim në avancimin e procesit euro-integrues në gjithë rajonin.

“Maqedonia, për shembull, e para në rajon ju qas procesit për Stabilizim dhe Asociim, që në vitin 2001, dhe në periudhën në vazhdim kishte progres të fuqishëm në aderimin kah BE. Përvojat tona, i ndanim me të gjitha vendet e rajonit mes të cilave gjithsesi ishte edhe Mali i Zi. Sot, pas një periudhë më të gjatë ngecjeje në progresin kah BE, përvoja e Malit të Zi, si vend i cili ka hapur dhe me sukses po përparon në negociatat me BE-në, pa dyshim paraqet një përfitim të rëndësishëm, si për Maqedoninë, ashtu edhe për vendet tjera – aspiruese të rajonit”, ka theksuar Osmani.

Krahas përfitimeve nga këmbimi i ndërsjellë i përvojave, në takim u hapën edhe tema më të gjëra rreth bashkëpunimit rajonal, në veçanti në kontekst të bashkëpunimit rajonal në kuadër të fondeve të BE-së, por edhe iniciativat e tjera siç janë procesi i Berlinit, iniciativa për bashkëpunim ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor etj.

“Progresi i procesit të euro-integrimeve të Republikës së Maqedonisë, fatmirësisht, nuk paraqet një rast të izoluar në Ballkan, por është në kahjen e njëjtë me frymën e re të optimizmit evropian rajonal, e cila është zgjeruar edhe në vendet anëtare të BE-së. Ky progres, posaçërisht është i dukshëm në Mal të Zi, ku krahas fillimit të negociatave me BE-në, ky vend u bë edhe anëtar i NATO-s. Kjo paraqet një bazë të mirë, si për progresin tonë ashtu edhe për progresin e përgjithshëm rajonal, por gjithsesi, për ne është shumë e rëndësishme, që në këtë rrugë kemi mbështetjen e vendeve tona mike, siç e konsiderojmë edhe mbështetjen e Malit të Zi”, ka potencuar zëvendëskryeministri Osmani.

Para takimi të Komitetit të përbashkët mes Republikës së Maqedonisë dhe Malit të Zi, janë mbajtur dy takime të këtilla, prej të cilëve i pari është mbajtur në Shkup, ndërsa i dyti është mbajtur vitin e kaluar në Bar të Malit të Zi. Qëllimi i këtyre takimeve është këmbimi i përvojave midis dy vendeve rreth procesit të integrimit evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button