Asambleja e OKB-së, temat e diskutimit dhe mungesat e rëndësishme

Udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Nju Jork, ku do të nisë punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, transmeton Top Channel.

Pjesa më e madhe e vëmendjes do të jetë te presidenti amerikan, Donald Trump, i cili do t’i drejtohet Asamblesë për herë të parë, të martën.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të ketë po ashtu prezantimin e tij të parë në këtë post. Në mesin e atyre që do të mungojnë në Asamble janë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Të dy kanë dërguar ministrat e tyre të Jashtëm. Udhëheqësit pritet të përqëndrohen në disa nga pikat më të nxehta në botë, ku prioritet përbën Koreja e Veriut, me programet e saj të raketave bërthamore dhe balistike.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, e gati të gjitha shtetet individualisht kanë dënuar provat raketore të Penianit. Testimi i fundit ndodhi javën e kaluar, kur Koreja e Veriut hodhi një raketë balistike që fluturoi mbi Japoni.

Udhëheqësit botërorë përballen gjithashtu me krizën humanitare të mbi 400 mijë myslimanëve “Rohingya”, të cilët kanë ikur nga dhuna në Mianmar dhe kanë hyrë në Bangladesh.

Edhe terrorizmi e ngrohja globale pritet të jenë subjekt i diskutimeve të nxehta dhe mosmarrëveshjeve midis udhëheqësve botërorë. Në të kaluarën, Trump ka qenë kritik i zëshëm i Kombeve të Bashkuara dhe ndihmësit e tij thonë se, ai do të bëjë thirrje për “reformim të OKB-së”, duke iu kërkuar anëtarëve të kontribuojnë më shumë në projekte globale, përfshirë operacionet paqeruajtëse, të cilat kushtojnë rreth 8 miliardë dollarë në vit.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i zhvillon punimet deri më 25 shtator.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button