Finalizohet Programi i Qeverisë së Kosovës 2017-2021

Qeveria e re e Kosovës finalizoi programin qeverisës katërvjeçar dhe pritet ta miratojë nesër në mbledhjen e tretë.

Pas mbledhjes së dytë, të zhvilluar të premten pasdite, u bë e ditur se, “anëtarët e kabinetit qeveritar janë njoftuar me materialin e punës për hartimin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021 i cili do të përfundohet deri të hënën”.

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se, “pas finalizimit të Programit të Qeverisë dhe rishikimit të Programit Legjislativ, Qeveria do të fokusohet në procesin e rishikimit të buxhetit të vitit 2017, që do të ndodhë deri në fund të javës së ardhshme”.

Qeveria e re e Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.

Për të debatuar lidhur me “Parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021”, Kuvendi është mbledhur në 10 shtator në seancë të jashtëzakonshme, sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues. Por, në sallë ishin të pranishëm vetëm 31 deputetë nga gjithsej 120 dhe pas një debati seanca është ndërprerë për të vijuar pasi Programi i Qeverisë të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button