Haradinaj: Demarkacioni shpejt do të marrë një drejtim, qytetarët do të lëvizin pa viza

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se çështja e hapur e demarkacionit, do të marrë së shpejti një drejtim dhe kjo do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në një takim që ka pasur të shtunën me ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, Haradinaj ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, OKB, NATO dhe BE, është i një rëndësie të veçantë.

“Puna në thellimin e reformave të agjendës evropiane dhe të marrëdhënies kontraktuale me BE-në, me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, po përshpejtohet dhe Kosova do t’i zbatojë të gjitha kriteret e përcaktuara me qëllim të përafrimit me BE-në”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Në anën tjetër, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për detyrën dhe theksoi se “ Kroacia do të vazhdojë ta mbështes aspiratën e Kosovës dhe njëkohësisht edhe të rajonit të Ballkanit për integrime euro-atlantike” .

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button