Migrantët, pjesë e fushatës në zgjedhjet lokale

Kriza e para dy viteve me valën e madhe të migrantëve, pritet të zë një vend të rëndësishëm në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale më 15 tetor. Edhe pse numri i migrantëve shënon rënie, frika nga një fluks i ri vazhdon të rritet, në veçanti në ato komuna ku ditën e zgjedhjeve do të organizohet referendum kundër ngritjes së kampeve, apo banesave për strehimin e migrantëve, shkruan REL.

Referendume do të mbahen në shtatë komuna që drejtohen nga VMRO DPMNE-ja opozitare, e cila pretendon se me strategjinë e qeverisë për ballafaqim me krizën e migrantëve, parashihet ngritja edhe e qendrave të veçanta të strehimit për migrantët.

“Në këtë referendum, qytetarët do të ketë mundësinë të deklarohen për ose kundër integrimit dhe vendosjes së migrantëve në territorin e komunës sonë. Mendoj se kjo është një çështje e rëndësishme, për të cilën mund dhe duhet të vendosin qytetarët dhe askush tjetër. Këtu nuk ka gisht politika, por shqetësimi i qytetarëve lidhur me njoftime se mund të ngrihen kampe për pritjen dhe integrimin e tyre në shoqëri”, thotë Nikolla Dimeski, kryetar i Këshillit të Komunës së Prilepit, një nga shtatë komunat ku pritet të mbahet referendumi.

Nga Qeveria thonë se opozita po manipulon me opinionin, pasi nuk bëhet fjalë për ngritje të kampeve, por për një strategji që paraqet vazhdimësi të asaj që edhe ishte deri më tani. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, thotë se Maqedonia do të vazhdojë të ketë qasjen e njëjtë ndaj migrantëve.

“E gjithë kjo që po tenton opozita ta imponojë në opinion, është gënjeshtër dhe manipulim klasik me qytetarët, pasi frikë nga migrantët nuk guxon të ketë në Maqedoni. Nëse lexojmë raportet e UNHCR-së, do të shohim se as që pritet ndonjë valë e re e migrantëve, e as që Maqedonia përballet për momentin me krizën e migrantëve”.

“Gjatë krizës nëpër Maqedoni kanë kaluar transit më shumë se 1 milion migrantë dhe tani në vendin tonë nuk ka më shumë disa dhjetëra migrantë. Kjo flet se nuk ka nevojë për kampe, apo diçka të ngjashme, thjesht bëhet fjalë për tendencë manipulimi për pikë politike”, thotë Carovska.

Se numri i migrantëve që aktualisht janë në Maqedoni është i vogël, e konfirmojnë edhe nga organizatat që merren me kujdesin e refugjatëve gjatë krizës së para dy vjetëve.

Ne, si organizatë joqeveritare jemi të pranishëm në brezin kufitar në Llojan pranë Kumanovës, në kufirin me Serbinë, ku kemi një punkt humanitar dhe mund të them se nuk kemi ndonjë frekuentim të madh të migrantëve. Numri me të vërtetë është i vogël, bëhet fjalë për disa persona, të cilët janë kthyer nga Serbia, apo ndonjë vend tjetër”, thotë Mersiha Smailloviq nga organizata “Legis”

Njohësit e çështjeve politike, thonë se debatet e tilla në fushatë zgjedhore janë të rrezikshme pasi, pos që ndjellin frikë, ato rrisin edhe dozën e urrejtjes dhe të ksenofobisë.

“Fushata është e papërgjegjshme, e rrezikshme, krijon ksenofobi për llogari të kalkulimeve afatshkurtra politike, andaj edhe nuk mund të arsyetohet pasi bazohet në lajme të rrejshme, në politika për fitimin e pikëve në fushatë zgjedhore”, thotë Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button