Lista e stërmbushur me burra, a janë gratë në Maqedoni të paafta për udhëheqje?

Publikimi i emrave për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 15 tetorit shpalosi anomalinë e përfaqësimin joadekuat gjinor gjë e parë edhe në pushtetin qendror. Kjo dukuri pamundëson zgjidhjen e problemeve reale në të ardhmen, paraqet jo revitalizim demokratik dhe mosrespektim të të drejtave të njeriut, vlerësojnë për Portalb.mk aktivistet për të drejtat e gruas Gyner Basha Nebiu dhe Gjyla Çeliku.

Gyner Basha Nebiu
Gyner Basha Nebiu

“Pjesëmarrja e femrave në politikë dhe në pozita vendimmarrëse, nuk është vetëm respektimi i interesave të veçanta të femrave kushtëzuar nga rolet gjinore, por një parakusht i domosdoshëm për përmbushjen, revitalizimin e demokracisë, respektimin e të drejtave të njeriut, mosdiskriminim në baza gjinore, tregues i nivelit të civilizimit të një komuniteti, jodominim i vlerave patriarkale, paragjykimeve dhe stereotipave në familje dhe përdorim reciprok i procedurave të pranueshme si për meshkujt ashtu edhe për femrat. Në ligje nuk ka asnjë kundërshtim, mirëpo praktika e demanton ketë. Pjesëmarrja e grave në politikë do të ndihmonte në zhdukjen e “barrierave te padukshme” ku e gjithë shoqëria do të jetë fituese, zgjerimin e fushëveprimit dhe ofrimi i një qasje dhe perspektive të re në zgjidhjen e çështjeve dhe sfidave ekzistuese ne shoqëri”, vlerësoi Nebiu.

Sipas Nebiut “studimet flasin se femrat teorikisht dhe praktikisht mund të jenë më të suksesshme në udhëheqje të çdo profesioni, kjo mund të ndodh edhe në udhëheqjen e një komune”.

Aktivistja Gjyka Çeliku duke u thirr në thënien e Marie Freifrau von Ebner-Eschenbach ku thuhet se “Një grua e mençur ka miliona armiq të lindur, jo të gjithë burrat janë budallenj”, vlerësoi se udhëheqja e një komune nga gratë është punë e vogël që mund të bëhet me sy të mbyllur.

“Komuna nga një grua udhëhiqet me sy të mbyllur sepse janë menaxhere të pashoqe, kurse me sy hapur udhëheqin tërë Maqedoninë”, tha Çeliku.

Si të largohet kjo anomali politike?

Sipas drejtoreshës ekzekutive të Iniciativës Qytetare të Femrave “Antiko”, Gyner Basha Nebiu kjo anomali politike dhe shoqërore mund të largohet nëpërmjet vendosjes së mekanizmave partiak dhe përdorimit të qasjes sistemore duke ndryshuar rolin e gruas në politikë.

“Rol të veçantë ka vendosja e mekanizmave brendapartiake që do ta përforcojnë pozitën e gruas në të, ku Parlamenti dhe administrata publike do të duhet të krijojnë akte normative dhe mekanizma duke mundësuar harmonizim të jetës familjare me atë profesionale e shoqërore. Duhet qasje sistemore dhe sistematike, sidomos në ndryshime që kanë të bëjnë me stereotipat dhe paragjykimet gjinore. Politikanet duhet të vlerësohen sipas aftësive individuale që i kanë dhe jo sipas gjinisë e të bëhen “stoli demokratike”. Duhet të jenë fuqi e mirëfilltë e partisë e cila vjen me vizion të qartë dhe nuk e le veten të margjinalizohet”, tha Nebiu.

Sipas saj “Femrat qysh në fëmijëri përgatiten dhe ushtrohen ta kryejnë këtë rol me sukses, në krahasim me meshkujt kushtimisht i mohohet e drejta qe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në planifikimin, organizimin, udhëheqjen dhe ndarjen e barabartë të punëve”.

Gjyla Çeliku, aktiviste për të drejtat e gruas
Gjyla Çeliku

Ndërkaq, sipas kryetares së Asociacionit Ballkanik “International Woman’s Club” (Klubi Ndërkombëtar i Gruas), Gjyla Çeliku përgjegjësia e parë shkon te gratë partiake, sepse tranzicioni i përzgjedhjes së grave nga pushteti lokal në atë ekzekutiv nuk do të jetë i lehtë dhe kjo kërkon përfshirje prej 50%.

“Përgjegjësia e parë shkon te gratë të cilat janë aktive në partitë politike shqiptare, ku vetë kanë nga një pozitë dhe s’ju interesojnë gratë tjera në parti ose jashtë saj. Ato nuk e ngritin zërin për jopërfaqësimin e denjë të gruas por ato ndjehen të rrezikuara kur ngrihet zëri i grave apartiake, veti kjo me të cilën e mohojnë gjininë femërore dhe përfaqësimin e gruas. Nga gratë e qeverisjes lokale do zgjidhen gratë e qeverisjes ekzekutive. Tranzicioni s’është i lehtë, do guxim dhe përgatitje. Kauza ime është dhe ka qenë gruaja, që të kemi 50% të listës së këshilltareve gra. Meqë edhe pak fillon fushata zgjedhore do të shohim se shumë pak politikanë marrin gratë me vete, unë them se kjo dëshmon harmoninë familjare, duke reflektuar dhe orientuar brezat e ri për të qenë shembull të një familje të shëndoshë. Gruaja mundet, ti duhet ta vlerësosh”, tha Çeliku.

Përndryshe, nga lista e publikuar deri më sot për kryetarë komunash kemi shumë pak emra të gjinisë femërore, gjë e cila dëshmoi se si në pushtetin ekzekutiv edhe në atë lokal nuk do të kemi plotësim të kuatova gjinore që sipas ligjit duhet të jetë 1/3 për kryetar komunash ndërsa për listën e këshilltarëve 1/2.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button