Trump e mohon marrëveshjen për emigrantët

Edhe pse mediet kryesore ndërkombëtare e rreshtuan më herët mes lajmeve të tyre më të rëndësishme të ditës, Donald Trump e mohoi arritjen e një marrëveshjeje me demokratët mbi të rinjtë pa dokumente të rregullta qëndrimi në SHBA, transmeton Top Channel.

“Paketa masive e sigurisë kufitare duhet të marrë ‘dritën jeshile’ në këmbim të pranimit të programit të emigrantëve, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke fashitur kështu shumë shpejt shpresat e rindezura të të ashtuquajturve “Dreamers”, apo “ëndërrimtarët”.

Dy prej figurave më të rëndësishme demokrate në Kongres, Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer e njoftuan vulosjen e paktit pas bisedimeve të zhvilluara me Trumpin mbrëmjes e së mërkurës. Plani, – sipas tyre, – përjashtonte propozimin e shumëdebatuar mbi ngritjen e një muri në kufi me Meksikën.

Kreu i administratës amerikane vazhdon të këmbëngulë se muri do të ndërtohet. Përmes një mesazhi në “Twitter”, ai tregoi se lëshimet mbi fëmijët e emigrantëve do të lidhen me sigurinë kufitare, e për këtë nuk pati një ujdi.

Në fillim të muajit, Trump vendosi mbylljen e programit që mbron gati 800 mijë vetë në SHBA, të cilëve u ofron njëkohësisht mundësi punësimi e studimi. Presidenti deklaroi më 4 shtator se, skema do të mbyllej dhe i la Kongresit 6 muaj kohë në dispozicion për gjetjen e një plani zëvendësues.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button