Artisti intelektual Ngadhnjim Mehmeti

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Janë do njerëz që kanë bërë emër të përveçëm me vepra konkrete arti. Ata na bëjnë të ndihemi mirë, pse jo dhe krenarë, sepse kanë korrur dhe korrin suksese brenda dhe jashtë arealit tonë kulturor, sepse vlera e punëve të tyre është e krahasueshme me arritjet më të mira në rajon, sepse krijimtaria e tyre matet ditpërditshëm me kutet e artit që njeh vetëm një nivel: atë të parin. Ata jetojnë shpesh si artistë të lirë, duke shmangur kësisoj varshmërinë prej grosistëve që e kanë molisur jetën me shëmti.

Një mohikan i tillë, që ka pranuar me vullnet të sfidojë vështirësitë e jetës, pa qenë i varur prej gishtave fyes… të punëdhënësve me tipare despotësh, është artisti tetovar Ngadhnjim Mehmeti, me sa e di, i pari shqiptar nga Maqedonia që ka kryer studimet e dizajnit grafik.

Ngadhnjimi është prej vitesh drejtor i studios për dizajn dhe reklama EGGRA, me seli në Shkup. Ai është dhe njëri prej themeluesve dhe aktivistëve më të zellshëm të organizatës ekologjike “Eco Guerilla”, që ka ndërgjegjësuar popullatën e kësaj ane për domosdoshmërinë e ruajtjes së ambientit jetësor dhe jetëve të rrezikuara nga ndotësit e ajrit me substanca kancerogjene.

Ky dizajner i shquar ka arritur të afirmohet atje ku çmohet arti i mirëfilltë. Atë e ka bërë të njohur dhe të kërkuar brenda dhe jashtë kufijve të vendit krijimtaria serioze. CV-ja e tij prej krijuesi është shkruar me vepra arti, të realizuara në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Turqi dhe në vende të tjera. Ai është autor dizajnesh e reklamash mbresëlënëse me larmi gjetjesh e realizimesh të vëçanta. Shërbimet e tij i kërkojnë kompani e institucione serioze dhe personalitete të afirmuar në fushat e tyre. Ndër armët e fuqishme të tij janë pllakatet e karakterizuara nga origjinaliteti, gjetjet e thjeshta, bukuria e baraspeshuar me elementeve të pakta – harmonia kompozicionale dhe forca sugjestive. Në sajë të këtyre tipareve, ato komunikojnë me publikun me gjuhë karakteristike, nganjëherë nëpërmjet një figureje a një fotografie, mbi të cilën vendosen shkronjat pikërisht ashtu si e do kompozicioni i përkryer.

Ngadhnjimi i punon me shumë dashuri pllakatet e shfaqjeve teatrore, të filmave dhe të koncerteve të artistëve të mëdhenj. Me të njëjtin inspirim Ai dizajnon dhe kopertina librash, revista,  kalendare…

Të bukura janë dhe reklamat e shumta të ALBtelecom-it shqiptar, të punuara me nivelin më suprem të mundshëm. Njësoj dhe reklama unikate e postës së Maqedonisë dhe jo vetëm.

Shkurt-e-shqip: Ngadhnjim Mehmeti është njëri prej artistëve të shquar të nënqiellit tonë, njëri prej ambasadorëve të denjë të kulturës dhe artit shqiptar, njëri prej intelektualëve rebelë me guximin qytetar që ta klithë pa frikë e pa zori të famshmen AKUZOJ! të Emil Zolës, njëri prej veprimtarëve më aktivë dhe më konstruktivë në betejat për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe të drejtave të njeriut. Ai është emër i pakompromituar me zuzarllëqe ballkanike, njeri i urtë dhe i përtokshëm, altruist dhe shok model. Pa këtë tip njerëzish bota do të ishte me boshllëqe të padurueshme, ndaj e them pa hezitim se jemi me fat që kemi artistë intelektualë të kalibrit të Ngadhnjimit.

Në vijim po përmend disa prej veprave që ka realizuar me nivel të lartë artistik: pllakatin (posterin) e shaqjes teatrore: “Dervishi dhe vdekja”, dramatizim i romanit të Mesha Selimoviqit prej Vlladimir Millçinit dhe Sema Ali-ut, në të cilin shihet silueta e një dervishi rrotullues, e sugjeruar me fustanellën tradicionale dhe një gur i zi varri, si sintezë që flet për gjithë dramat dhe tragjeditë e kryeveprës së njërit prej mjeshtërve të prozës narrative evropiane të shekullit XX; pllakati i shfaqjes “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – dramatizim i mbështetur në romanin e famshëm të Ismail Kadaresë, të kompozuar gjithashtu thjesht dhe vetëm nga sfondi gri, që është në fakt torzoja e një ushtari në qafën e të cilit rri varur medaljoni lejenjoftim i spërkatur me dy-tri pika gjaku, mbi të cilin është shkruar titulli i dramës.

Me fare pak elemente dhe me shumë tekst brenda vetes janë edhe pllakatet e shfaqjeve: “Fqinjët” e Henri Adam-it; “Akuariumi” i Refet Abazit, me  regji të Kushtrim Bekteshit; “Darka e thërimeve” gjithashtu e Refet Abazit, me regji të Qëndrim Rijanit; “Shtëpia në kufi” e Sllavomir Mrozhek-ut, e dramatizuar prej Jeton Nezirajt;  “Paraja” e Rej Kun-it , me regji të Ilir Bokshit; komedia “Emigrantët” e Sllavomir Mrozhek-ut me regji të Sofia Ristevskës; “Nën tavolinë” e Roland Topor-it, me regji të Bilge Emin-it; “Miss Xhulia”, e August Strinberg-ut dhe regji të Ben Apollonit; “Kah vetvetja”, e Kim Mehmetit me regji të Gjergj Prevazit; pllakatet e filmave artistikë “Kukumi” me regji të Isa Qosjes, “Falja e gjakut” me regji të Xhoshua Martson-it dhe me skenar të Adamion Muratajt, filmi me metrazh të shkurtë “Prapa territ”, me regji të Arben Thaçit…

Të veçantë janë dhe pllakatet e koncerteve të artistëve të mëdhenj, si puna e sopranos me famë botërore Inva Mula. Njëri prej tyre është ndërtuar vetëm me emrin dhe mbiemrin e saj të shkruar më një kaligrafi origjinale, me kombinime shkronjash me madhësi dhe ngjyrëra të ndryshme, që duket si copëz pikture e bërë nga dora e një mjeshtri, veprat e të cilit nuk të lejojnë as t’u shtosh as t’u heqish diçka, sepse janë të plota.

Ngadhnjimi i pëlqen fort dhe dizajnimet e kopertinave të librit, ndaj i ka përgatitur me dashuri ballinat e veprave: “Koha e dhive” e Luan Starovës, “I kujt ishte Joni?” dhe “Jeta me qira” të Refet Abazit, “Sikur Ana” dhe “Shkrimtarët e shekullit” të Rudina Xhungës, ”Saga ballkanike e Luan Starovës…” dhe “Të jetosh në shkretishte” të autorit të këtij shkrimi, “Dritare e hapur” e autorit Nikolaus Lenau, “Kryengritja e Dervish Carës” e Aleksandër Matkovskit etj.

Për tu përmendur janë dhe dizajnet e disa numrave të revistës për art dhe kulkturë BREZI 9, që u botua përgjatë viteve 1995-2007 dhe u konsiderua ndër më të mirat e atij formati në nivel kombi.

Këto janë në vija të trasha gjërat që më japin të drejtë ta konsideroj Ngadhnjimin sinonim të suksesit, që më bëjnë të ndihem mirë dhe, pse jo: të krehohem me sukseset e tij të vazhdueshme. Aq më tepër kur kam privilegjin ta kem dhe mik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP