“Kumanova”, Raufi: DSK e fsheh bisedën e përgjuar mes Mirsad Ndrecajt dhe Ali Ahmetit

“Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ka bërë selektim të bisedave të përgjuara dhe ka fshehur një pjesë të dëshmive të cilat janë me rëndësi kryesore për këtë rast”, akuzoi sot avokati Naser Raufi në fjalën përfundimtare të gjykimit për rastin e “Kumanovës”, njofton Portalb.mk.

Avokati Rafui theksoi se në këtë proces gjyqësor janë lënë me një anë dëshmi kryesore, ndërkaq në mesin e tyre janë edhe bisedat e përgjuara mes strukturave të larta partiake dhe policore, për të cilët, siç tha ai, edhe vet e kanë pranuar se ekzistojnë. Raufi gjithashtu kërkoi që të sigurohen materialet e bisedave të përgjuara mes tanimë të vrarit Mirsad Ndrecaj ose siç është i njohur me nofkën komandant NATO dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Ekziston bisedë telefonike mes Mirsad Ndrecajt dhe Ali Ahmetit, ndërkaq për atë e di edhe i akuzuari Andi Krasaniqi, i cili ka qenë në afërsi kur Ndrecaj ka folur me Ahmetin. Edhe të akuzuarit tjerë kanë thënë se kanë bërë shumë më shumë biseda se sa ato që janë publikuar. Lëshim ka edhe tek ajo që Policia Sekrete (DSK) nuk e ka bërë identifikimin e votave, që është e patjetërsueshme”, tha Raufi.

Sipas Raufit akuza për këtë rast gjyqësor nuk është preciz. Avokati në fjalën përfundimtare përpara Gjykatës ka saqaruar se në çfarë mënyre policët të cilët kanë qenë të plagosur në sulme i kanë marrë lëndimet, dhe theksoi se, ato nuk kanë qenë lëndime të rënda. Vërejtje gjithashtu theksoi edhe tek ajo që, në dy autopsi kanë munguar koha dhe largësia prej ku është gjuajtur nga anëtarët e grupit.

“Sami Ukshini nuk është organizator i grupit, ndërkaq atë e konfirmojnë edhe një pjesë e të akuzuarve. Ukshini ka theksuar se Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj kanë qenë përgjegjës. Të akuzuarit tregojnë se ideja që të hyjnë në Maqedoni ka qenë e djelmoshave të UÇK-së, udhëheqës i të cilëve ka qenë Ndrecaj. Ai u ka thënë se duhet që t’u ndihmohet djemve në Kumanovë, por u ka theksuar se bëhet fjalë për mision paqësor, dhe se do të duhej të publikohet kumtesë për të drejtat e shqiptarëve”, tha Raufi.

Edhe kjo seancë gjyqësore për “Lagjen e Trimave”, ka kaluar me bojkot nga një pjesë e të akuzuarve. Ata kanë theksuar se ngelen në seancë vetëm kur përballë tyre do të jetë prokuror i Prokurorisë Speciale Publike dhe ata kur ta marrin këtë lëndë.

Në seancat paraprake Prokuroria i ka nxjerrë dëshmitë e saj, ku në bazë të tyre, ata kërkojnë dënim maksimal për të akuzuarit, pasi që sipas tyre, “ekzistojnë dëshmi të forta se është kryer vepra penale terrorizëm”.

Gjykimi do të vazhdoj të hënën me fjalët përfundimtare të të akuzuarve të tjerë.

Nndryshe, në rastin “Kumanova – Lagjja e Trimave” akuzohen 37 persona, për veprën “terrorizëm”, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, në të cilën një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

LEXO: Rasti “Kumanova”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button