Gjuha e drejtësisë

Edhe 16 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve hap debate të zhurmshme në këtë shtet. Ky ligj është përcaktuar të kalojë në procedurë të përshpejtuar në kuadër të ligjeve tjera që kanë flamurin Evropian, duke qenë se implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është njëri ndër kriteriumet kryesore politike për integrimin e Maqedonisë në Unionin Evropian. Duke u nisur nga ky fakt, debati parlamentar lidhur me këtë ligj është i kufizuar në 10 ditë. Ka shumë nga ata që mendojnë se 10 ditë nuk janë të mjaftueshëm për të debatuar këtë ligj. Por të njëjtit harrojnë që ky debat zhvillohet gjatë 16 viteve të kaluara dhe i njëjti assesi të mbarojë.

Për më tepër, kjo nuk është hera e parë që sillet një ligj i tillë. Ligji i mëparshëm për përdorimin e gjuhëve u soll në vitin 2008 dhe i njëjti u ndryshua në vitin 2011. Pra, nuk bëhet fjalë për një çështje tërësisht të panjohur, përkundrazi, bëhet fjalë për obligim kushtetues që derivon nga Marrëveshja e Ohrit dhe i cili duhet të realizohet. Sikur të vazhdojme me debate të pafundta për obligimet që lidhen me dokumentet fundamentale mbi të cilat është ndërtuar ky shtet, atëherë marrëveshjet asnjëherë nuk do të realizoheshin, por do të humbeshin në labirintet e debateve të pashtershme. Pacta sunt servanda – Marrëveshjet duhet të respektohen është njëri ndër parimet kyçe të botës së civilizuar.

Ky parim duhet pasur parasyshë edhe kur bëhet fjalë për mënyrën e zyrtarizimit të gjuhës shqipe në këtë shtet. Të kemi të qartë, Marrëveshja e Ohrit dhe Amandamenti V i Kushtetutës së Maqedonisë identik me këtë Marrëveshje nuk parasheh që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare e të gjitha institucioneve në gjithë territorin e Maqedonisë. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është i paraparë për institucionet qendrore të pushtetit dhe për institucionet lokale të komunave ku mbi 20% e popullatës e flet gjuhën shqipe. Duhet bërë dallim mes obligimit të organeve shtetërore për ta përdorur zyrtarisht gjuhën shqipe dhe të drejtës subjektive të shqiptarëve në këtë shtet të përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre amtare. Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta e Maqedonisë e parasheh të drejtën subjektive të qytetarit shqiptar për të përdorur zyrtarisht gjuhën shqipe, gjë që reflektohet edhe në ropozim-ligjin e tanishëm, por këto dy dokumente nuk parashohin dygjuhësi të plotë të të gjitha institucioneve shtetërore në gjithë territorin e këtij shteti. Ky është realiteti i Marrëveshjes së Ohrit që duhet pasur parasyshë kur flitet për kufizimet eventuale që mund ti përmbajë Ligji për përdorimin e gjuhëve. Propozim-ligji që tani gjendet në debat parlamentar shfyrtëzon maksimalisht të gjitha mundësitë që i jep Marrëveshja e Ohrit dhe Amandamenti V i Kushtetutës për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Me këtë ligj definitivisht tejkalohen hapësirat dhe lëshimet e qëllimshme të ligjit paraprak dhe përfundimisht fitohet një zgjedhje adekuate e problemit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në këtë vend brenda kornizave të Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës.

Implementimi i ligjit është çështja tjetër kyçe. Edhe pse duket që sfida kryesore do të jetë kalimi i këtij ligji në Parlament dhe mbijetimi i tij para Gjykatës së tanishme kushtetuese, ne fakt sfida më e madhe do të jetë implementimi i të njëjtit. Pjesa e Ligjit që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore momentalisht është e paimplementueshme për dy arsye.

Arsyeja e pare ka të bëjë me formulimin e përcaktuar në ligj. Gjuha në të cilën zhvillohet procedura gjyqësore rregullohet me ligjet procedurale sistemore, gjegjësisht, me Ligjin e Procedurës Penale dhe me Ligjin e Procedurës Kontestimore. Në ato ligje ka dispozita të veçanta të cilat vlejnë për procedurat gjyqësore dhe këto ligje (që aprovohen dhe ndryshohen me shumicë të kualifikuar 2/3 të votave) përcaktojnë poashtu shkeljet procedurale dhe e bazat e ngritjes së ankesës dhe mjeteve tjera juridike. Duke qenë se aty nuk është paraparë dygjuhësia e plotë e procedurave gjyqësore, kjo nuk parashihet edhe si bazë e ankesës. Duke qenë se Ligjet e procedurave gjyqësore janë burimet primare në ato procedura, ato do të kenë gjithmonë përparësi para Ligjit të gjuhëve i cili kalohet me shumicë absolute të votive 1/2. Pra në këtë aspekt, dispozitat e Ligjit të gjuhëve që përcaktojnë se procedurat gjyqësore duhet të jenë tërësisht bilinguale kur njëri nga subjektet e procedurës është shqiptar dhe nëse kjo nuk respektohet atëherë ky lëshim paraqet bazë për ankesë, për momentin, deri sa nuk ka një ndryshim pasues të ligjeve procedurale, mbeten të paimplementueshme.

Arsyeja e dytë ka të bëje me situatën reale në gjykatoret e Maqedonisë. Kushtet teknike të këtyre gjykatoreve e bëjnë të paimplementueshëm vetë Ligjin e Procedurës Penale ose Civile ku parashihet se seancat gjyqësore duhet audio-vizuelisht të incizohen, për çka nevojitet teknikë e veçantë dhe e kushtueshme. Ky obligim ligjor nuk realizohet në shumicën e gjykatoreve, të cilat nuk janë teknikisht të përgatitura për këtë gjë. Ndërsa Ligji i Procedures Penale është sjellur në vitin 2010 dhe është në fuqi nga viti 2013 pra rreth 4 vjet. Ashtu si nuk ka kushte teknike për audio-video incizim, poashtu nuk ka kushte teknike as për përkthim simultan. Pra për momentin, derisa gjykatoret nuk ekipohen për këtë gjë, këto dispozita të Propozim-ligjit të gjuhëve do të mbesin të paimplementuara.

Këto janë problem të tejkalueshme lidhur me këtë ligj. Ajo që është me rëndësi është të ruhet gjakftoftësia dhe të mos humbemi në naracionet etno-shoviniste të cilat i shikojme të përforcohen këto ditë. Për më tepër, ky ligj do të dërgohet edhe në Komisionin e Venecias i cili do të ketë poashtu vërejtje rreth të njëjtit, të cilat vërejtje duhet të merren seriozisht dhe të inkorporohen në dizpozitat e ligjit.

Përfundimisht, është koha t’u jepet fund diskutimeve të pashtershme rreth temave të zjarrta ndëretnike dhe të fillojmë përfundimisht të preokupohemi me çështjet kryesore që na tangojnë të gjithëve, pavarësisht cilën gjuhë e flasim, dhe këto janë: sundimi i ligjit, implementimi adekuat dhe efektiv i të njejtit dhe bartja e përgjegjësisë për krimet e bëra. Është koha të zyrtarizohet gjuha e drejtësisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button