OSBE/ODIHR me 336 vëzhgues do t’i monitorojë zgjedhjet lokale

Misioni i OSBE/ODIHR-së e filloi procesin e vëzhgimit të Zgjedhjeve lokale 2017. Zgjedhjet  që do të mbahen në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit më 15 tetor do t’i ndjekin 336 vëzhgues të OSBE/ODIHR-së.

Ambasadorja Odri Glover, shefe e misionit, në konferencën e sotme për shtyp theksoi se 16 ekspertë të OSBE/ODIHR-së tashmë ndodhen në vend, ndërsa atyre këtë javë do t’u bashkangjiten edhe 20 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të sistemohen në tërë vendin, në ekipe nga dy vetë, duke filluar prej 18 shtatorit. Para zgjedhjeve lokale në Maqedoni do të vijnë edhe 300 vëzhgues afatshkurtë të cilët do t’i ndjekin zgjedhjet në të gjitha komunat në vend.

“Me rëndësi është të kuptohet se ne vetëm i vëzhgojmë zgjedhjet dhe se nuk përzihemi në proces, për të cilin vetëm raportojmë”, tha Glover.

Misioni i OSBE/ODIHR-së do ta vlerësojë harmonizimin e këtyre zgjedhjeve me angazhimet e OSBE-së dhe me obligimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe me rregullat vendore.

Vëzhguesit, siç theksoi ambasadorja Glover, me kujdes do ta ndjekin procesin e regjistrimit të kandidatëve dhe votuesve, aktivitetet e fushatave, punën e adminsitratës zgjedhore dhe institucioneve të caktuara qeveritare, rregullativën zgjedhore dhe implementimin e saj dhe zgjidhjen e kontesteve zgjedhore.

Si pjesë e procesit të vëzhgimit Misioni gjithashtu do ta ndjekë edhe raportimin e mediumeve për fushatën.

Janë paralajmëruar takime me përfaqësues të pushtetit, partive politike, me kandidatët për kryetarë komunash dhe për këshilltarë, dhe me përfaqësues të sektorit civil, mediumeve dhe komunitetit ndërkombëtar.

Në ditën e zgjedhjeve vëzhguesit do ta ndjekin hapjen e vendvotimeve, votimin, numërimin e fletëvotimeve dhe mbledhjen e rezultateve.

Misioni do të publikojë një raport periodik gjatë punës së vet, në ditën e zgjedhjeve, do të jepet deklaratë për rezultatet dhe konstatimet fillestare, përderisa raportin përfundimtar për vëzhgimin do ta publikojë rreth tetë javë pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button