Hahn: Turqia është partner kyç i BE-së në një rajon strategjik

Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për zgjerim, Johannes Hahn tha se Turqia është partner kyç i BE-së në një rajon strategjik, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE) janë diskutuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së, negociatat e anëtarësimit dhe marrëdhëniet mes palëve ku dhe është mbajtur një seancë me temë “Marrëdhëniet BE dhe Turqi”.

Hahn në fjalimin hapës të seancës tha se të dyja palët nuk janë të kënaqura nga zhvillimet. “Në bisedimet e fundit me bashkëbiseduesit tanë turq kemi shprehur emergjencën për të kthyer ecurinë aktuale në mënyrë që marrëdhëniet tona të jenë afatgjata”.

“Turqia është partneri kyç i Bashkimit Evropian në një rajon strategjik. Ne jemi partnerë. Është një partneritet i vështirë por ne zhvillojmë bashkëpunime rreth shumë çështjeve themelore. Ndonjëherë në mënyrë të hapur, të sinqertë dhe kritike kemi një dialog konstruktiv dhe ndonjëherë një dialog shumë të ashpër”, tha Hahn.

Ndërsa anëtari rumun i PE-së Dan Preda duke bërë të ditur se në parlament vazhdimisht diskutohet për zhvillimet në Turqi tha se “Këtë vit po diskutojmë për herë të tretë çështjen e Turqisë. Në të vërtetë ka ardhur koha për të vendosur. Nëse heqim nga tryeza objektivin e anëtarësimit çfarë do të vendosim, çfarë objektivi do të vendosim. Si BE duhet të japim në vendim për këtë”.

Kati Piri raportuesja e PE-së për Turqinë tha se “Do të jetë një gabim shumë i madh heqja e objektivit ndaj popullit turk për anëtarësim në BE”. Ajo ka shtuar se populizmi dhe ksenofobia nuk duhet të marrin monopolin në këtë debat.

Edouard Ferrand kritikon qëndrimin e BE-së 

Ndërsa anëtari francez i Grupit të Kombeve Europiane dhe Lirive (ENF) Edouard Ferrand, duke kritikuar qëndrimin e zyrtarëve të BE-së tha: “Një shekull më parë flisnim për Turqinë si njeri i sëmurë i Evropës, por sot mendoj se njeriu i vërtetë i sëmurë është Bashkimi Europian”.

“E keni ftuar Turqinë në tryezën e negociatave ku nuk do të ketë një rezultat. Kërkuat që përballë emigrantëve të ndërronit me anëtarësimin në BE. Populli i Europës nuk dëshiron projektin tuaj fatkeq. Keni gabuar rrugën. Turqia është një vend i madh, është një popull i madh, meriton një gjë ndryshe nga propozimi juaj. I keni humbur kohë edhe Turqisë edhe BE-së në një proces fundi i të cilit dihet”, deklaroi Ferrand duke kritikuar qëndrimin e Europës ndaj Turqisë.

Ndërsa teksa është vërejtur se anëtarët gjermanë në PE kanë hyrë në garë për të marrë fjalën në seancën me temë Turqinë, zv.kryetari i Grupit Social Demokrat (S&D) në PE, Knut Fleckenstein vuri në dukje se thirrjet e kancelares gjermane Angela Merkel rreth Turqisë nuk kanë gjetur mbështetje.

“Nuk mendoj se do të mund të arrijmë një vendim në Samitin e Liderëve të BE-së (që do të mbahet muajin e ardhshëm). Ashkush nuk i ka mbështetur kritikat e Merkelit”, tha ai.

Një tjetër anëtare gjermane Renate Sommer theksoi se “Sikur të kishim një marrëdhënie të ngjashme me ndonjë vend tjetër, qëndrimi i BE-së do të ishte më i ashpër. Nuk mundemi të bëjmë gjë përballë Turqisë. Edhe kjo e vendos në situatë qesharake BE-në”.

Parlamentarja franceze Marie-Christine Vergiat ka theksuar se Merkel në fushatën zgjedhore ka përdorur çështjen e anëtarësimit të Turqisë në BE.

Asambleja e Përgjithshme e PE, me një vendim të marrë në muajin korrik rekomandoi pezullimin e anëtarësimit të Turqisë në BE. Për ti dhënë fund negociatave të një vendi nevojitet miratimi nga të gjitha vendet anëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI MOBIL