PARA SE TË VOTOJ…

Para se të votoj i them vetes:

Voto si qenie e lirë, e arsyeshme, aktive!
Voto me përgjegjësi individuale, familjare, qytetare, shoqërore!
Voto me ndjenjë për jetën e përbashkët!
Voto si pjesëmarrës në formësimin e një bote më të mirë e më të fisme!
Voto për ata që kanë ikur, për ata që janë dhe për ata që do të vijnë!

Voto me mendje të kthjellët, me zemër të dëlirë edhe me mbindjesi!
Voto si pjesëtar i kombit dhe jo si pjesëtar i turmës!
Voto duke dyshuar dhe ruhu nga fjalimet e zjarrta e nga euforia!

Ata që bërtasin janë në luftë me mendimet e tyre.

Mos u gënje kur të premtojnë një vend pune!
Pyeti se ku i kanë kompanitë!

Punën duhet ta meritosh dhe jo të ta japin.
Puna e dhënë të shndërron në automat.
Rri larg blerësve të votës!

Blerësit e votës e shesin fatin tënd.
Shitësi i votës bën pazar me lirinë e fëmijëve të tij.
Vetëm robi është shitur dhe është blerë.

Shitësi i votës nuk ka të drejtë as të ankohet.

Vullneti i tij është bërë pronë e blerësit.
Kur e shet votën, më pas, gjithçka e paguan shtrenjtë.
Mos voto prej frikës, se je qytetar dhe nuk je qyqar!
Kërcënuesit janë armiq të lirisë.

Të pandehin si burracak, si qenie pa dinjitet, pa identitet.
Mos i voto poshtëruesit dhe gënjeshtarët!

Ai që ka gënjyer njëherë, do të gënjejë sërish.
Herën e parë të ka mashtruar, herën e dytë të pandeh për budalla.
Mos i voto “certifikuesit” e atdhetarisë dhe tradhtisë!

Askush nuk ua ka dhënë këtë të drejtë.
Mos i voto “certifikuesit” e moralit!

Duhet të kenë bërë ndonjë marrëzi a mëkat.
Mos i voto ata që thirren në emër të flijuesve!

Flijuesit janë në koalicion me përjetësinë.
Mos i voto ata që thirren në historira të lavdishme!
Ata nuk kanë ide për të sotmen.
Mos i voto ata që flasin për bëmat e tyre të kaluara!

Ata nuk kanë qëllime të pastra për të ardhmen.
Luftëtari i vërtetë nuk i këndon këngë vetvetes.

Ai nuk i ekspozon plagët e marra në betejë.
Mos i voto ata që flasin për ideale të mëdha!

Shumë mashtrime janë bërë në emër të tyre.

Mos u nxeh me ata që kanë bindje të tjera politike!

Aty ku të gjithë janë njësoj ndodh triumfi i tiranisë.

Mos i voto ata që kanë shkatërruar familjet e tyre!

Ata nuk mund të ndërtojnë asgjë të re.
Voto për një qëllim të epërm!

Njeriu pa këtë qëllim jeton, por nuk e di përse jeton.
Mos i voto ata që të flasin vetëm për bukën e përditshme!
Njeriu nuk jeton vetëm për gjëra ekzistenciale.

Njeriu duhet të ketë edhe qëllime të epërme esenciale.
Ai ka nevojë edhe për ushqimin e mendjes.
Mos i voto ata që e përçmojnë kombin!

Ata janë speciet më të neveritshme.

Kundërshtoj ata që thonë se nuk ke nevojë për gjuhën, traditat, historinë, kulturën, por për një rrogë më të mirë!

Ata duan të jesh askushi.

Të duan si kampion në garën e hamajve.

Nuk udhëhiqemi vetëm nga kërkesat tona.
Edhe të vdekurit i kanë kërkesat e tyre.

Voto si zotëri dhe jo si rob!

Nëse nuk ka të denjë për votën tënde, atëherë shko dhe bëje të pavlefshme!
Ashtu si do të votosh, ashtu do të trajtohesh!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button