Tramp: Sanksionet e reja ndaj Koresë Veriore nuk janë asgjë në krahasim me atë çka pritet të ndodh

Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se sanksionet e reja që KB-ja i ka vendosur ndaj Koresë Veriore gjatë kësaj jave, janë vetëm një hap i vogël dhe “nuk janë asgjë në krahasim me atë që do të ndodh”.

“Ne mendojmë se sanksionet janë vetëm edhe një hap shumë i vogël dhe nuk janë kushedi se çka”, theksoi Tramp para takimit me kryeministrin e Malajzisë, Naxhib Razak.

“Nuk e di nëse ka pasoja prej tyre, por do të ishte mirë që të mblidhen 15 vota ‘për’ me asnjë ‘kundër’. Ato sanksione janë asgjë në krahasim me atë çka do të ndodhë”, theksoi presidenti amerikan.

Në ndërkohë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini kumtoi se Bashkimi Evropian do të zbatojë sanksionet e reja të cilat janë vendosur ndaj Koresë Veriore nga ana e KB-së, për shkak të testimit të saj të gjashtë bërthamor dhe se planifikon masa të reja ndëshkuese.

“Tani do t’i zbatojmë sanksionet e KB-së, siç kemi bërë edhe deri më tani. Qëllimi ynë për Gadishullin korean pa armë bërthamore, mund të arrihet vetëm me mjete diplomatike dhe politike. Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë krizë”, potencoi Mogerini.

Koreja Veriore veç më paralajmëroi se do ta shpejtojë zhvillimin e programeve të saj bërthamore dhe raketore, si përgjigje ndaj “sanksioneve me qëllim të keq” që i vendosi Këshilli i Sigurimit i KB-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button