ASHAM: Nevojitet debat shkencor dhe profesional për ligjin për gjuhët

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë – ASHAM konsideron se para miratimit të Propozim-ligjit për përdorim të gjuhëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, nevojitet të hapet debat profesional dhe shkencor për disa çështje që i rregullon kjo zgjidhje ligjore me pjesëmarrje të ekspertëve nga profile të ndryshme – linguistë (albanologë,maqedonistë, specialistë nga sfera e linguistikës areale), juristë, sociologë dhe të ngjashëm.

Debati profesional dhe shkencor, siç thuhet në kumtesën nga ASHAM-i, do të kontribuojë që më mirë të kuptohen zgjidhjet e propozuara, të pastrohen disa të pathëna që mund të krijojnë probleme gjatë zbatimit të Ligjit në praktikë, të qartësohen disa interpretime të ndryshme që u paraqitën në debatin e deritanishëm dhe ngjashëm.

Sipas ASHAM-it, për të gjithë çështjet e hapura dhe dilemat lidhur me këtë problematikë deputetët në Kuvend, duke i respektuar mendimet profesionale dhe shkencore, duhet të iniciojnë debat konstruktiv, e bazuar mbi parimet e transparencës, tolerancës, respektimit të ndërsjellë dhe evitim të çfarëdo lloj ultimatumi dhe ekskluzivitet, pa marrë parasysh se nga cila anë ato që të vijnë.

“Pluralizmi gjuhësor është karakteristikë imanente e shoqërisë multikulturore. Prej këtu, janë legjitime insistimet e bashkësive për avancim të së drejtave të tyre gjuhësore. Maqedonasit duhet ta respektojnë këtë dhe të shfaqin interes për gjuhët e bashkëqytetarëve të tyre dhe për avancim të së drejtave të tyre gjuhësore, kulturës dhe traditave. Por, edhe anasjelltas – përfaqësuesit e bashkësive të tjera duhet të tregojnë mirëkuptim, tolerancë dhe respekt për gjuhën maqedonase, si gjuhë e popullit shumicë, dhe për funksionin e tij integrues, bashkues”, qëndron në kumtesën nga ASHAM.

Propozim-ligji për gjuhët, theksojnë nga ASHAM, duke e respektuar parimin e përfaqësimit të numërt të bashkësive, jashtëzakonisht e zgjeron dhe e avancon zbatimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë, me qëllim që të mbyllet një çështje e hapur, e cila krijon tensione ndëretnike dhe pas ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë në vitin 2001.

“Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë fuqimisht qëndron në pikëpamjen se Republikën e Maqedonisë duhet ta ndërtojmë dhe ta zhvillojmë si shoqëri me orientim demokratik, prosperitet ekonomik dhe evropian, multietnik dhe multikulturor”, thuhet në kumtesën nga Kryesia e ASHAM-it me rastin e Propozim-ligjit për përdorim të gjuhëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP