PUSI (II)

Xhabir Ahmeti

Xhabir Ahmeti

Në atë çast u dëgjuan të rrahura të forta në derë, pastaj edhe bërtima në serbisht të cilat djali nuk i kuptonte. Nëna u step dhe në njëfarë mënyre priste se çfarë mund të ishte ajo trokitje e furishme. Ajo e dinte  se nga ajo zhurmë nuk vinte diçka e mirë, mirëpo njeriun gjithmonë e mban shpresa se e keqja do të evitohet në çastin e fundit. Qëndronte thuajse e gurëcuar nga llahtari I mbante në përqafim të dy djemtë dhe i shtrëngonte fort. Ishte kjo një pritje e mundimshme, një ankth. Dhe, kjo pritje u zgjat. Një erë e ftohtë nisi të depërtojë nëpër gjethet e pemëve e pastaj u kthye në fishkëllimë. E zënë ngushtë nga kjo e papritur, Nënës, ku ta dish se pse, i shkoi mendja te babai, i cili një herë i kishte thënë: “Dëgjo, bija ime, në jetë gjithmonë të jesh e përgatitur për befasi të këndshme e të pakëndshme”… Dhe, diçka nga brendësitë e shpirtit të saj i dha përgjigje babait: “kjo s’më duket befasi, por hata, baba”…

Pastaj kërciti dera dhe u hap krah e më krah. Brenda,  duke i shtyrë me dipçikë pushkësh, me të rëna e duarlidhur, u futën nja dhjetë shqiptarë nga fshati i Nënës, me kësula të bardha, midis të cilëve ishin gjyshi i djemve dhe babai i tyre, kurse pas tyre një grumbull njerëzish të armatosur, me uniforma e pa uniforma, që të gjithë me mjekra me kokarda. Midis tyre Nëna e njohu Radashinin, një fqinj të tyre i cili dikur shoqërohej me vëllezërit e saj.  Katër a pesë veta u nga hordhia u ndalën te dera të bëjnë roje, të tjerët i shtynin me dipçikë pushkësh shqiptarët duarlidhur dhe po i çonin drejt pusit. Në mes të oborrit i ndalën të shkretët njerëz. I renditën, pastaj i urdhëruan që të bien në gjunjë. Ndërkohë njëri, trupmadh, me kokardë mbi shubarë e pa nënën me djemtë në çardak: “Shiko, shiko një sorrë”! tha. Pastaj i bërtiti Nënës: “Shpejt zbrit poshtë”!  Më kot u mundua i shoqi që me mimika t’ia bënte me dije të shoqes që të bënte diçka e mos t’u binte në dorë këtyre pjesëtarëve të kësaj hordhie. Po ku mund t’i shihte përpjekjet e të shoqit gruaja e mjerë në një situatë kur u gjet brenda një drame kaq të tensionuar në të cilën personazhet tragjike ishin më të dashurit e saj: i ati dhe bashkëshorti, kurse ajo ishte një spektatore e pa takat, së cilës pasiguria i pëshpëriste të kujdesej për djemtë e saj. Gruaja e frikësuar nuk i kuptoi përpjekjet e të shoqit, por asaj i lindi njëfarë shprese kur në mesin e ushtarëve e paramilitarëve serbë e pa fqinjin e tyre Radashinin. Ndoshta, mendoi ajo, do të ketë pak mëshirë Radashini e do t’u ndihmonte të dalin nga ky qorrsokak ku i futi fati, sepse kishin qenë fqinj. Radashini, mendonte Nëna, do të bënte diçka që kjo dramë të ketë hepi end. Medoemos duhej të bënte, se e sa herë e kishin dnihmuar familjen e tij në punë të fushës e saherë që kishin pasur ndonjë hall.

Nëna u hodhi një shikim fytyrave të njerëzve të hordhisë. Vetëm fytyrën e Radashinit kësaj radhe nuk e pa. Fytyrat tjera që të gjitha kishin një shprehje të errët, të rëndë. Nëna pastaj i kërkoi me sy të shoqin dhe babain dhe atëherë shpresa i rritej. “Si mund të vriten këta burra të cilët as mizën nuk e kanë shkelur”, mendonte.

Era tashmë kishte filluar të qetësohet. Mirëpo në këtë atmosferë të nderë Nëna nuk mundi ta shestonte punën e ta analizonte se nga Radashini nuk do të kishte kurrfarë hairi meqë ai nuk kishte bërë asgjë për babain dhe bashkësshortin e saj të cilët i sollën në shtëpi duarlidhur bashkë me disa njerëz të tjerë dhe s’e mendoi edhe faktin që Radashini nuk kishte mbirë rastësisht midis hordhisë. Dhe, Nëna, me djalin për dore zbriti ngadalë dhe u ndal në fund të shkallëve. Qëndroi aty e rrethuar me një heshtje varri.

Për dallim nga Nëna, shqiptarët duarlidhur, të lodhur e të rraskapitur që kishin humbur çdo shpresë mezi prisnin të përfundojë kjo dramë. Dhe kjo heshtje, sigurisht e planifikuar nga komandanti i hordhisë, e shtonte edhe më shumë mundimin e njerëzve duarlidhur. Nëna vazhdonte të mos heqë dorë nga shpresa.

Por ndodhi një skenë që e ndërroi rrjedhën e ngjarjes. Pas disa çastesh, lopa që po kulloste, e uritur filloi të afrohej. Komandanti e kapi automatikun dhe duke u tundur e mori në shenjë dhe ia shprazi lopës së shkretë një rafal. Kafsha e shkretë ra e përgjakur. “Shpejt ta hidhni në pus këtë coftinë”! u tha pjesëtarëve të formacionit të tij. Pastaj u kthye nga dhjetë shqiptarët: “Po ju, çfarë pritni! Radashin zgjidhjau duart ta hedhin lopën në pus. Dhe, Radashini e zbatoi urdhrin. Babai i gruas, ndërkaq,  nuk deshi të afrohej të merrte pjesë në këtë akt mizor. Kundërshtoi. “S’më detyron ti i mallkuar t’i përlyej duart e mia me gjakun që po e derdh ti!” tha. Mjekroshi shau njëherë, ia ktheu tytën e automatit plakut, por nuk e vrau. Pastaj u drejtua kah Radashini dhe i bërtiti: “Radashin, hiqja flamën këtij shqiptari të fëlliqur”! Radashini, menjëherë e qëlloi plakun e gjorë në kokë dhe plaku ra i mbuluar me gjak. Gruaja e shkretë ia dha vajit, kurse dy djemtë u shtangën. “Sillni edhe këto tri coftina këtu midis coftinave të tjera”! u gërvall komandanti. I sollën edhe Nënën me dy djemtë. Pastaj komandanti e nxori shishen me shlivovicë dhe i çoi disa gllënjka. “Lereni lopën aty ku është”! komandoi dhe renditni këto coftinat rreth murit, tha duke treguar me gisht kah njerëzit e robëruar. Ushtarët e çuan urdhrin në vend. “Edhe këta dy djem t’i shoh aty”! urdhëroi. Nëna e shkretë u step dhe nuk i mbeti më as zë e as një pikë loti. Ndërkohë njëri nga ushtarët i foli diçka në vesh komandantit e ai pohoi me kokë e fill pas kësaj ushtari iu afrua djalit të vogël i foli shqip: shko te shtëpia e Radashinit A e di ku e ka shtëpinë? Ja ajo… I pëshpëriti diçka dhe ia bëri: “Hajt”! Djali i Vogël u largua vrap.

Komandanti u kollit dhe bëri disa hapa para njerëzve të munduar. “Djali mbetet me këto coftinat, kurse kjo leckë”, tha për Nënën le të hipë në çardak, sepse nga lartë mund të shohë më mirë. Dy paramilitarë e kapën Nënën, njëri për këmbësh, tjetri për duarsh dhe e hipën lart. Pastaj komandanti bërtiti: “Radashin! Harxho ndonjë plumb për këta! E kanë merituar”! Kësaj radhe mos e përlyej kamën”! Dhe, Radashini doli para burrave të rraskapitur, shkoi ua lidhi duart atyre që ua kishte zgjidhur, shkoi disa hapa prapa dhe pa i bëlrë syri pët, para gruas, i vrau të gjithë. Kuptohet edhe të tre njerëzit e saj të dashur, babain e saj, bashkëshortin dhe Djalin e Madh. “Merrni dy coftina, atë plakun kryengritës dhe një tjetër”, tha “e hidhni në pus”. I hodhën. Pastaj urdhëroi ta hedhin lopën mbi dy vetat e vrarë. Pas tyre mbi lopën i hodhën edhe të vrarët tjerë. Pastaj shkuan duke kënduar. Ndërkohë u kthye djali i vogël dhe e gjeti Nënën të shtrirë. E vuri veshin e tij në anën e majtë të kraharorit të nënës dhe e dëgjoi se zemra po i rrihte.

Ia ngjiti për dore Nënës, e ngriti. Ajo i hapi sytë dhe përsëri i mbylli. Ndërkohë fryu nj erë e freskët dhe Nëna erdhi në vete. Pastaj tha: “Biri i Nënës” dhe ia dha vajit. Pastaj u ngritën dhe vazhduan rrugën e cila nuk kishte cak.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP