Basha: Fjalimi i Ramës, reminishencë e së kaluarës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar si paraqitjen “më boshe e sipërfaqësore” fjalimin e kryeministrit Rama në seancën e kësaj të hëne në Parlament.
“Për një brez më të vjetër, ky fjalim ishte një reminishencë e fjalimit që mbahej dikur nga byroja politike. Kjo është e pafalshme për çdo kryeministër, edhe për Edi Ramën”, ka deklaruar Basha, transmeton Top Channel.

Ai është shprehur se, një numër i madh shqiptarësh nuk kanë asnjë pritshmëri nga Edi Rama dhe kjo sipas tij është një turp, sepse ai ka çelësat e qeverisjes në dorë.

“Është ai që nuk tha asnjë fjalë të vetme për 300 mijë vendet e punës që premtoi. Nuk i përmendi, por çoi në mërgim 300 mijë shqiptarë. Jemi një vend me ekonomi të shkatërruar, me çmime të rritura, pa shërbime shëndetësore”, ka thënë Basha.

Për kreun e partisë më të madhe të opozitës, qeveria “Rama 2” bën sikur s’e njeh atë “Rama 1” dhe refuzon të mbajë përgjegjësi.

“Roli i tij është t’iu tregojë shqiptarëve përse në këto 4 vjet e shkatërroi Shqipërinë. Por Edi Rama nuk i ka këto përgjigje. Ai është në krye të aleancës më të rrezikshme në këto vite, asaj të politikës me krimin dhe kjo është një shfaqje e shëmtuar. Ky Parlament është një produkt i aleancës së Edi Ramës me krimin”, ka thënë Basha.

Ai ka shtuar se, misioni i opozitës do të jetë t’u kthejë shqiptarëve shpresën dhe kjo, sipas tij, “nuk mund të ndodhë me këtë teatër kukullash”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button