Maqedonia drejt NATO-s dhe BE-së, sa ka bazë të shëndoshë optimizmi i Zaevit?

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev kohëve të fundit shprehet me mjaft optimizëm sa i përket rekomandimit nga KE dhe në deklaratën e fundit ai tha se gjasat janë reale që në vjeshtë Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. Njohësit e çështjeve politike thonë se optimizmi i kryeministrit Zaev është pozitiv dhe se tani është koha që Maqedonia të shfrytëzojë rastin që Evropa po ia jep.

Selim Ibrahimi, drejtues i Qendrës për Studime të Sigurisë, thotë për Portalb.mk se karta mbetet tek Shkupi dhe Athina e sidomos tek diplomacia e Maqedonisë në zbutjen e tensioneve dhe dhënien e garancive ndërkombëtare.

“Ambiciet e qeverisë së re janë që Maqedonia të bëhet anëtare e 30 -të e NATO-s dhe një ditë anëtare e BE-së. Pengesa kryesore ka qenë emri dhe çështjet e hapura me shtetet fqinjë. Në fakt ka qenë qeveria e Maqedonisë e cila pas vitit 2008 me politikat pro ruse dhe anti perëndimore. Aktualisht kemi një moment të ri në Evropë dhe kjo duhet shfrytëzuar. Zv.presidenti amerikan Mike Pence në Podgoricë i dha mbështetje Maqedonisë dhe qeverisë së re në rrugën drejt NATO-s dhe reformave të brendshme.
Megjithatë karta mbetet tek Shkupi dhe Athina e sidomos tek diplomacia e Maqedonisë në zbutjen e tensioneve dhe dhënien e garancive ndërkombëtare. Për sa i përket atmosferës së Fuqive të Mëdha dhe qëndrimeve rreth kësaj çështje do të thoja se është pozitiv dhe mbetet që autoritetet Shkupit të punojnë drejt anëtarësimit në NATO”, tha për Portalb, Ibrahimi.

Ai u shpreh se përveç faktorëve të jashtëm ,Qeveria e re duhet ti plotësojë edhe disa kushte tjera për të arritur stabilitetin e përhershëm.

“Argumenti tjetër që duhet veçuar është se invadimi rus në Krime në vitin 2014 solli një rend të ri në Ballkan dhe njëkohësisht duke e dinamizuar rolin e NATO-s në gadishull. Balanca në Maqedoni dhe Ballkanin Perëndimorë mund të luhatet nëse Maqedonia do të vazhdojë të qëndrojë në “zonën e neutrale” të preferuar nga rusët me politikat e tyre ekspansioniste dhe me strategjinë e dytë të quajtur “Rusia Ballkanike”. Maqedonia e ndodhur në mes dy platformave të sigurisë do të përjetonte presion të jashtëzakonshëm nga rusët ashtu si gjatë viteve 1948-1949 Lufta e Ftohtë solli një dimër ballkanik. Andaj Maqedonia dhe Kryeministri i ri bashkë më forcat politike shqiptare nuk duhet ta lëshojnë këtë rast. Për më shumë ,përveç faktorëve të jashtëm ,Qeveria e re duhet ti plotësojë edhe disa kushte tjera për të arritur stabilitetin e përhershëm” shtoi Ibrahimi.

Nga ana tjetër Andrea Stojkovski nga Qendra maqedonase për arsim evropian, thotë për Portalb.mk se Zaev mund të di diçka më shumë se ne, dhe duke pas parasysh proceset intensive, kjo gjë edhe mund të realizohet deri në fund te viti.

“Kryeministri Zaev me siguri di më shumë seç dimë ne, ështu që shpresa e tij dhe deklarata e fundit që gjasat janë reale që Maqedonia deri në fund të vitit të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s, nuk është e paarsyeshme. Duke e pare nga ana e jashtme, si një person i cili ka njohuri dhe ndjek proceset në rajon, pa informacione të hollësishme, mund të pret realizim të këtij procesi më së voni në qershor të vitit të ardhshëm, gjegjësisht mes periudhës mars-qershor. Ajo që pritet të ndodh është vazhdimësia e ndërtimit të dialogut mes dy shteteve, i cili tani më veç se ka nisur në mënyrë intensive, pasi që kishte vizita si në Athinë ashtu edhe në Shkup të ministrave të jashtëm, si dhe ndërkohë u realizuan shumë takime tjera, u nënshkruajtën marrëveshje bashkëpunimi dhe kjo do të thotë proces intensiv. Pritet në të ardhmen të ketë hapa konkret të Maqedonisë në drejtimin e ndërtimit të besimit që presioni të jetë mjaft i madh dhe i arsyetueshëm që Greqia të tërheq bllokimin e saj që Maqedonia mos të anëtarësohet në NATO”, tha për Portalb, Stojkovski.

Gjithashtu Zaev në fjalimin e tij i theksoi masat të cilat i ka ndërmarrë Qeveria e kryesuar nga LSDM të cilat, siç tha, nevojiten për hyrje në familjen evropiane./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button