SHBA përkujtojnë “11 shtatorin” mes shkatërrimit të uraganëve

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara përballen me shkatërrimin e shkaktuar nga dy uraganë të egër në vetëm 3 javë, amerikanët shënojnë këtë të hënë edhe përvjetorin e një prej ditëve më të këqija të historisë së kombit, transmeton Top Channel. 

Mijëra vetë, mes të cilëve të afërm të viktimave të sulmeve të “11 shtatorit”, të mbijetuar, punonjës shpëtimi dhe të tjerë, priten të mblidhen në zonën e ish-Qendrës Tregtare Botërore për të kujtuar sulmin më vdekjeprurës terrorist të ndodhur në tokën amerikane.

16 vite më pas, ritmet e qeta të përkujtimit janë bërë të zakonshme: një lexim i të gjithë emrave të viktimave, momenti i heshtjes dhe tingëllimat e kambanave, si dhe dy trarë ndriçues të fuqishëm që shkëlqejnë deri në mesnatë.

E megjithatë, çdo ceremoni ka përvojat personale. Përgjatë viteve, disa prej lexuesve të emrave të viktimave kanë futur nga ana e tyre mesazhe me tematika universale, si për shembull “gjërat që ne mendojmë se na ndajnë, në fakt nuk e bëjnë këtë”, apo “ne jemi të gjithë pjesë e kësaj bote”, e deri tek ato personalet “të dua dhe më mungon”.

“Faleminderit Nju Jork që vazhdon të nderosh viktimat e 11 shtatorit, e faleminderit për privilegjin për të lexuar emrat e tyre”, shtonte vitin e kaluar Judy Bram Murphy, e cila humbi të shoqin Brian Joseph Murphy.

Afro 3.000 njerëz humbën jetën kur avionë të marrë peng nga terroristët devijuan itineraret dhe u përplasën me kullat binjake tregtare, Pentagonin dhe fushën pranë Shanksville te Pensilvanisë, më 11 shtator të vitit 2001, duke e përfshirë Amerikën në një situatë të re të ndërgjegjshme të terrorizmit global.

Presidenti Donald Trump, një njujorkez i lindur, i cili mbikëqyr ceremonitë përkujtimore për herë të parë si udhëheqës i vendit, pritet të mbajë momentin e heshtjes në kohën kur goditi avioni i parë. Shtëpia e Bardhë njoftn se, bashkë me të do të jetë edhe Zonja e Parë, Melania Trump. Kreu i shtetit ka planifikuar gjithashtu të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në Pentagon. Sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, dhe gjenerali Joseph Dunford, kreu i Shtabit të Përgjithshëm, do të zhvillojnë një ceremoni private në nder të viktimave me të afërm të tyre, rreth orës 9:11 të mëngjesit me atë lokale.

Pas leximit të emrave në ceremoni, do të ketë edhe një organizim publik me vendosjen e kurorave dhe fjalime. Zëvendëspresidenti Mike Pence dhe Sekretari amerikan i Punëve të Brendshme, Ryan Zinke pritet të mbajnë fjalime në Memorialin Kombëtar “Flight 93”, pranë Shanksville. Memoriali është ngritur në fushën rurale, ku njëri prej avionëve u përplas, pasi pasagjerët dhe ekuipazhi luftuan ndaj terroristëve pengmarrës, të cilët synonin ta drejtonin atë drejt Uashingtonit.

Punimet vijojnë në memorialin Shanksville, ku pritet të ngrihet “Tower of Voices” për të nderuar 33 pasagjerët dhe 7 pjesëtarët e ekuipazhit që humbën jetën. Ceremonia, mes pishinave me ujëvara dhe gjelbërimit të pemëve në sheshin e Memorialit Kombëtar të 11 shtatorit pritet të mos ketë nota politike. Politikanët mund të marrin pjesë, por që prej vitit 2011, atyre nuk u lejohet të lexojnë emrat apo të mbajnë fjalime.

E megjithatë vjet, ceremonia e 15-vjetorit u përfshi dashur pa dashur nga fushata përçarëse presidenciale, kur kandidatja demokrate Hillary Clinton u largua papritur, u fut në një furgon dhe më pas njoftoi se ishte diagnostikuar pak ditë më herët me pneumoni. Episodi ushqeu edhe më tej dyshimet e ngritura në mënyrë të përsëritur nga rivali i saj republikan, Trump, mbi gjendjen shëndetësore të Clintonit. Ajo mori 3 ditë pushim për të marrë veten, ndërsa Trump përdori pamjet e largimit të saj në një promo të fushatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button