Rama në Kuvend: Tryezë me opozitën për çështjet kombëtare

Fjalimin e parë para legjislaturës së re, kryeministri Edi Rama e ka nisur duke shprehur mbështetjen për kryetarin e ri të Kuvendit, Gramoz Ruçi, shkruan Top Channel.

“Asnjëherë s’kam qenë më i sigurt se votimi i dy ditëve më parë i një individi do të sjellë përfitim publik. Jam i bindur se ju nuk do të toleroni në asnjë çast mazhorancën dhe do respektoni barazinë”, ka deklaruar Rama.

Ndër të tjera, Rama është shprehur i vetëdijshëm për gabimet dhe defektet e mazhorancës gjatë programit të 4 viteve të shkuara, “sikurse jemi të vetëdijshëm për barrën e përgjegjësisë këtë mandat të dytë”, ka thënë ai.

“Uroj që kolegët opozitës të jenë bashkëpunues. 25 qershori tregoi se nuk fitohet duke i fryrë zjarrit të konfliktit. Në çdo gjë që bëjmë keq i bëjmë keq të ardhmes së fëmijëve tanë. Shumë më shumë thellësi në reformat që bëjnë shtet në të mirë të fëmijëve. Më shumë vëmendje, energji dhe burime financiare tek shkollat dhe mësimi”, ka thënë Rama.

Duke ftuar opozitën për bashkëpunim, Rama ka nënvizuar se dy palët kanë më shumë gjëra që i bashkojnë sesa i ndajnë.

“Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa na ndajnë. Reputacioni i Shqipërisë në botë është diçka që duhet të na bashkojë. Në asnjë vend një grup politik nuk merr rrugët e botës për të dëmtuar reputacionin e vendit të tij. Të ndërmarrim një nismë të përbashkët, një tryezë të hapur për çështjet që duhet të na bashkojnë e që në peshën e tyre janë paketa e detyrimeve madhore”, ka pohuar Rama, i cili më tej ka prekur edhe çështjen e bashkimit të kombit shqiptar.

“Nuk po flas për Shqipëri të madhe, por për një komb të vetëm shqiptar, që është ende larg së qëni i lidhur, kompakt dhe i unifikuar në të drejtën e tij, siç janë kombe të tjera”, ka thënë Rama.

Një tjetër angazhim i tij, për të cilin ka ftuar edhe opozitën, ka qenë “të bëjmë realitet votimin e emigrantëve në zgjedhjet e vitit 2021”.

Më tej Rama ka uruar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj për detyrën e re, ndërsa ka folur për rritjen e bashkëpunimit dhe për unifikimin institucional.

Rama ka folur edhe për marrëdhëniet me fqinjët e tjerë, të cilat sipas tij duhet të bazohen në një respekt të ndërsjellë.

“Çdo grek që jeton në Shqipëri është anëtar i familjes sonë dhe komuniteti grek është një urë lidhëse për dy vendet tona dhe për ata mbështetja e qeverisë shqiptare do të rritet. Por Shqipëria nuk do të mbyllë gojën për të drejtat e veta”, ka thënë Rama, duke përsëritur zotimin e tij për politikën “zero probleme me fqinjët”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button