Cilët anketues ishin më të saktë në zgjedhje?

Anketuesi më i saktë ishte agjensioni Rejting

Dy muajt e ardhshëm Maqedonia do t’i kalojë përsëri nën ethe zgjedhore. Më 15 tetor dhe më 29 tetor mbahen rrethi i parë dhe i dytë i zgjedhjeve lokale, ndërsa në ndërkohë përsëri do të kemi rastin të përcjellim të gjitha fenomenet që shoqërojnë zgjedhjet. Ndër to janë edhe anketat, zakonisht elementi më konfuz i zgjedhjeve, kryesisht për shkak të papërgjegjësisë, animit të skajshëm dhe percepcionit të gabuar që disa anketues përpiqen t’a projektojnë me çdo kusht në elektorat. Mu për këtë mendoj se është e rradhës që para zgjedhjeve të bëhet një përmbledhje e saktësisë së anketuesve nga zgjedhjet e kaluara, me qëllim që votuesit të jenë paksa më të informuar dhe më syçelë kur lexojnë prognozat e anketave.

Rangimi i anketuesve në këtë situatë të komplikuar politike nuk është aspak i lehtë. Disa anketues për shembull mund të qëllojnë pjesën maqedonase e të huqin atë shqiptare, disa të bëjnë të kundërtën, disa qëllojnë partitë e mëdha e huqin të voglat e kështu me rradhë. Problem shtesë është çështja e daljes në zgjedhje. Me lista të papastruara zgjedhore dhe me numër të madh votuesish në diasporë, që nuk janë të kapshëm për anketuesit, është tejet e rëndë të qëllohet dalja dhe numri i votave që mund të fitojë secila parti. Më tutje anketat nuk janë standarde; disa tregojnë vetëm përqindjet e secilës parti, disa lejojnë opcione si “i papërcaktuar”, “asnjëra”, “nuk votoj” e të tjera. Për këto arsye është më mirë të shikohet nëse partitë kanë arritur të qëllojnë raportin e forcave mes partive, duke lënë anash të papërcaktuarit dhe ata që deklarohen se nuk votojnë.

Me këtë metodë, pra duke marrë parasysh vetëm të përcaktuarit, kam krahasuar prognozat e anketuesve para zgjedhjeve me rezultatin e vërtetë të zgjedhjeve. Në periudhën para zgjedhjeve aktivë kanë qenë gjashtë anketues, ndërsa për secilin kam parasysh vetëm anketën e fundit të tij. Natyrisht kam përjashtuar anketat qesharake nga interneti, që kryhen në baza krejtësisht joshkencore. Ja si duket tabela e prognozave të tyre në krahasim me rezultatin:

Partia Brima-Gallup Rejting Faktor Plus Adria Pavel Shatev Telma (M-Prospekt) Dimitrija Çupovski Rezultatet
VMRO 43.8% 37.6% 36.9% 48.6% 37.6% 47.1% 38.0%
LSDM 28.4% 35.8% 30.9% 28.3% 31.3% 25.1% 36.8%
BDI 11.0% 8.6% 8.3% 8.4% 10.7% 9.5% 7.3%
PDSH 5.1% 3.5% 5.9% 4.0% 5.3% 3.7% 2.6%
Aleanca 4.2% 3.4% 0.0% 2.6% 3.1% 3.0% 3.0%
Besa 5.4% 4.0% 1.3% 5.6% 4.4% 6.5% 4.9%

 

Ndërsa në tabelën më poshtë po jap gabimin e secilës anketë për secilën parti. Shenja minus tregon se anketuesi ka nënçmuar partinë, ndërsa shenja plus se ka fryrë rezultatin e saj, gjegjësisht ka anuar:

Partia Brima-Gallup Rejting Faktor Plus Adria Pavel Shatev Telma (M-Prospekt) Dimitrija Çupovski
VMRO 5.8% -0.4% -1.1% 10.6% -0.4% 9.1%
LSDM -8.4% -1.0% -5.9% -8.5% -5.5% -11.7%
BDI 3.7% 1.3% 1.0% 1.1% 3.4% 2.2%
PDSH 2.5% 0.9% 3.3% 1.4% 2.7% 1.1%
Aleanca 1.2% 0.4% -3.0% -0.4% 0.1% 0.0%
BESA 0.5% -0.9% -3.6% 0.7% -0.5% 1.6%

 

Qysh nga kjo tabelë veçmë vërehen tendenca të caktuara. Në bllokun maqedonas ka patur tendenca të fryrjes së VMRO-së dhe nënçmimit të LSDM-së. Kjo sidomos vërehet te dy anketues që edhe ashtu njihen si tejet të afërt më VMRO-në: Pavel Shatev dhe Dimitrija Çupovski.

Te blloku shqiptar BDI dhe PDSH janë favorizuar gjithkund, ndërsa tek Besa dhe Aleanca rezultati është më i balancuar, diku më pak, e diku më shumë. Anketa më e balancuar gjithsesi ishte ajo e Rejtingut, siç tregon edhe rangimi më poshtë.

Rangimi. Për të bërë një rangim të anketuesve nga këto rezultate nuk mjafton të merret një mesatare e thjeshtë, pasi ashtu plusat dhe minusat anulojnë njëri tjetrin. Pa hyrë në detaje matematikore (vetëm po them se përdoret metoda e katrorëve), ja cili është rangimi i anketuesve nga më i sakti te më i dobëti, shoqëruar me gabimin:

Pozita Anketuesi Gabimi mesatar
1 Rejting 2.1%
2 Telma 7.0%
3 Faktor Plus Adria 8.3%
4 Brima-Gallup 11.3%
5 Pavel Shatev 13.7%
6 Dimitrija Çupovski 15.1%

 

Ndërsa më poshtë po jap rangimin të ndarë për prognozat në bllokun shqiptar dhe atë maqedonas.

Rangimi për partitë shqiptare.

Pozita Anketuesi Gabimi mesatar
1 Rejting 1.8%
2 Pavel Shatev 2.0%
3 Dimitrija Çupovski 3.0%
4 Telma 4.4%
5 Brima-Gallup 4.7%
6 Faktor Plus Adria 5.8%

 

Rangimi për partitë maqedonase.

Pozita Anketuesi Gabimi mesatar
1 Rejting 1.0%
2 Telma 5.5%
3 Faktor Plus Adria 6.0%
4 Brima-Gallup 10.2%
5 Pavel Shatev 13.6%
6 Dimitrija Çupovski 14.8%

 

 

 

 

 

 

Tabelat e mësipërme pra duhet t’ua bëjnë të qartë se cilët anketues duhet marrë seriozisht dhe cilët jo. Anketuesi më i mirë padyshim ishte agjensioni Rejting, si për bllokun shqiptar ashtu edhe atë maqedonas. Pavel Shatev dhe Dimitrija Çupovski duhet marrë me rezervë të thellë për bllokun maqedonas, ndërsa mund të jenë diku më afër te ai shqiptar. Telma, Brima dhe Faktor Plus në përgjithësi dalin anketues mesatarë.

Për fund duhet cekur se rreth dy muaj para zgjedhjeve një anketë publikoi edhe Instituti IPHQM, por ndryshe nga tjerat kjo ishte anketë vetëm për bllokun shqiptar. Pasi nuk dihet saktë numri i votuesve shqiptarë në zgjedhje, është e vështirë të matet saktësia e kësaj ankete. Faktor tjetër komplikues është se anketa u botua në tetor, para se të diheshin koalicionet zgjedhore. Por nëse supozojmë se në votime dolën rreth 250.000 shqiptarë, anketa prognozonte rreth 78 mijë vota për BDI, 58 mijë për Besën, 36 mijë për PDSH dhe 30 mijë për LR-PDSH. Kjo do të thotë se prognoza ishte pak a shumë e saktë, me përjashtim të ndërrimit të vendeve mes PDSH dhe LR-PDSH.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button