Ja kush është gatuesi shqiptar që do të mahnitë VIP-at në Kanada me menutë e tij

Kur kërkon një të ardhme më të mirë larg Shqipërisë dhe këmba të shkel jashtë kufirit të saj, e para gjë që mendon është një punë e sigurt, kushte më të mira jetese, mirëqenie, arsimim për fëmijët dhe, natyrisht, të ardhura më të mira. Egoizmi, pjesë e natyrës njerëzore, nuk të lejon të mendosh më gjerë se kaq, por kur vitet ikin njëri pas tjetrit dhe kushtet që ke kërkuar në fillim i siguron dalëngadalë, ndjen se akoma nuk je i përmbushur, shkruan Class.

Është një panoramë e ngjashme për shumicën e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë Shqipërisë, pavarësisht moshës që kanë pasur kur e kanë lënë vendlindjen dhe pavarësisht profesionit që kanë zgjedhur të bëjnë.

E tillë ka qenë jeta edhe për shef Ravajol Hasanin, një kuzhinier i ri në moshë, por me karrierë të gjatë në gastronomi. Sot, pas shumë viteve si shef kuzhine në Qipro, qëllimi i Ravajolit, që të gjithë e njohin si Jorgo Hasani, është më i madh se emri i tij – tani ai punon për të çuar sa më lart emrin e Shqipërisë.

Ambasador i Jamie Oliver, shefi i njohur në të gjithë botën për recetat origjinale të krijuara në terren anekënd globit, Ravajoli (ne të Shqipërisë kështu e njohim) nuk e ka mbyllur qëllimin e tij. As me disa vlerësime ndërkombëtare në fushën e gastronomisë, as me çmimin  më të mirë – Kapelën e Artë për 2016-ën dhe çmimin për restorantin e tij në Qipro si më i miri i vitit 2016, por as me projektin në kinematografi që ka nisur të kristalizohet. Ëndrrat e shefit shkojnë shumë më larg se kaq.

Pak ditë më parë, Ravajoli ka marrë një ftesë speciale për të qenë i vetmi shef nga Europa në një mbrëmje gala në Brossard, Quebec, Kanada.

“Estiatorio Skara”, restoranti madhështor në të cilin Hasani do të ketë mundësi të krijojë recetat e tij për qindra të ftuar, ka fituar të drejtën për të organizuar këtë “Soirée” gastronomike, e cila ka zgjedhur të ketë shef pikërisht një shqiptar që jeton dhe punon prej vitesh në Qipro.

Në një prononcim ekskluziv për revistën Class, Ravajoli tregon se kjo mbrëmje gala që do të organizohet më 9 nëntor është një event i pari i këtij lloji dhe, natyrisht, ai e ndjen veten të privilegjuar. Ftesën, nuk kishte si të mos e pranonte, megjithëse, siç tregon, gjatë këtyre muajve ka qenë mjaft i angazhuar: “Është një event i jashtëzakonshëm, restoranti ndër më të mirët në botë, ndërsa të ftuarit – të gjithë ata që njihni nga ekrani, duke filluar që nga aktorët, këngëtarët, VIP-a nga fusha të ndryshe të jetës, politika, moda, sporti, muzika etj. Të ftuarit do të jenë kryesisht nga Kanadaja dhe Amerika, por nuk do të mungojnë edhe nga Europa e Australia.

Vetë restoranti “Estiatorio Skara” e përshkruan Hasanin si një ekspert të jashtëzakonshëm kuzhine, i njohur nga Instituti i Kulinarisë në Paris, Le Cordon Bleu, ambasador i Jamie Oliver në Qipro, por edhe shef i parë i shumë darkave të rëndësishme ndërkombëtare e programeve televizive në Qipro e në Evropë.

Po çfarë ka përgatitur Hasani në këtë event të niveleve të tilla ndërkombëtare? Duke pasur parasysh se në këtë gala do të jetë i ftuar edhe vetë Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, Hasani ka zgjedhur një menu speciale, e cila do të ketë gjashtë lloje kombinimesh dhe do të shoqërohet me verërat më të mira të importuara nga Greqia.

Për mua është një vlerësim mjaft i madh zgjedhja për të qenë shefi i parë në një natë si kjo. Më erdhi si e papritur, por nuk mund ta refuzoja. Menunë e kam menduar, natyrisht, por nuk mund t’i zbuloj detajet. Ajo që mund t’ju them me bindje është se do të jetë një natë mbresëlënëse. Ka personazhe të njohur, politikanë, biznesmenë, shumë prej të cilëve janë njohës të mirë të kuzhinës dhe dinë të japin vlerësime objektive. Kështu, edhe për mua është një sfidë, jo aq e thjeshtë sa duket. Megjithatë, jam i sigurt se do ia dal.

I gjithë ky angazhim, shton Hasani, ka vlerë kur në fund ata i përmendin emrin dhe thonë origjinën e tij: “Dua ta çoj sa më lart emrin e Shqipërisë”, – thotë ai dhe tanimë ky është qëllimi kryesor jo vetëm i të tilla aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare ku merr pjesë, por edhe i punës së tij të përditshme.

Përbërësit e recetave kanë shumë rëndësi në këtë dhe në çdo event tjetër ku Ravajoli është shefi, por jo aq sa firma e tij në fund: “From Albania”. Vetëm atëherë menuja është e plotë.

Ah, prenotimet kanë filluar. Pagesa për person në këtë event ekskluziv është 125 dollarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button