Valltari nga malësia, me krahët si shqiponja

Fshatarët  e Malsisë së Sharrit, shekuj me radhë merreshin me blegtori dhe bujqësi. Ata bënin  jetë nomade. Në pranverë dilnin në stane me bagëtitë dhe me mbarimin e punëve në vjeshtë fillonin dasmat. Ritet dhe traditat e dasmave në këto treva ishin kultivuar dhe trashëguar brez pas brezi. Folklori në këto treva ishte i pasur me valle të vjetra klasike të burrave. Vallet e Malsisë së Sharrit ishin të njohura si pjesë e melosit epic dhe lirik dhe e vlerave virtuoze autentike të folklorit shqiptar. Këto valle të vjetra burrash që vallzonin malsorët nëpër dasma ishin të njohura duke filluar prej fshatrave të Malsisë së Sharrit, të Opojës, Dragashit, Kukësit deri në Bajram Curri. Shembull kallanҫojt në stilin koreografik nuk ndryshonin shumë nga zona në zonë.

Një ndër valltarët e shquar në fshatrat e Malsisë gjatë periudhës së viteve 60-70 është Hebibi me nofkën ‘Bibai i Veshallës’. Pasioni dhe inspirimi i këtij valltari ka qenë  shumë i flaktë. Që kur ishte adoleshent kishte filluar dhe ishte ngritur në valle nëpër dasma. Mungesa e mjeshtrit  të madh në valle nëpër dasma krijonte zbrazëti. Në dasma  sipas traditës vinin krushqit e ftuar nga fshatrat fqinje. Ҫdo fshat prezantonte valltarët të cilët konkuronin dhe garonin si fshatra dhe si valltarë për të marrë vendin e parë. Valltar nga Malsia e Sharrit ishte një burrë zeshkan, trup të gjatë dhe burrëror. Kur kërcente në valle ndizte publikun. Vallja e parë fillonte me kallanҫojn.

Kjo valle ishte e rëndë për valltarin, por edhe për publikun që e përcillnin. Nën oshëtimën dhe bubullimën e daulleve dhe melosin melankonik të surlave valltari me krahë të hapur si shqiponja i skalitur, rrezatonte një art të shkëlqyer. Nga publiku dëgjoheshin zëra si piskama, hajde Biba, luje Biba, dridhe Biba. Edhe daullexhiu me lëvizjet e tij bënte dhe tregonte një art të përsosur. Ai përcillte me kujdes lëvizjet e këmbëve dhe ritmin e valltarit. Pas valles së rëndë pasonin valle të tjera. Valltari tregonte një sens humori me ustallarët.

Nga distanca bënte shenjë me gishta dhe fillonte vallja toske. Me hapjen e shpatullave si shqiponja, rrotullimin e trupit dhe thyerjen e shpatullave  tregonte art virtual shpirtëror. Një mik i valltarit rrëfente se duke u kthyer  nga pazari, pranë një fshati dëgjohej oshëtima e daulleve. Biba më tha kam shumë emocion më dridhen këmbët. Hipur në kalë thithte cigare me gishtin tregues që kishte marrë ngjyrë kënaje. U ngjitëm rrugës dhe hymë në fshat. Ishin valltarët duke kërcyer. Biba ishte zbehur në fytyrë. Pyeti se kush ishte drejtuesi i dasmës. Pasi mbaroi vallja drejtuesi i dasmës tha, kemi një valltar nga Veshalla, që do të vallzojë. Valltari vazhdoi me kallanҫoj, në fund hypi në daulle duke luajtur vallen e kaҫakëve. Njëri nga publiku nxori revolen dhe shtiu në ajër. Në ҫardak gjëmonte oshëtima e daulleve. Zërat e bukur e të hollë të vajzave përziheshin me tingujt e daulleve dhe melosin e surlave.

Valltari dhe artisti i popullit i njohur në Maqedoninë Perëndimore Cen Berisha ishte mik i ngushtë i valltarit nga Malsia Biba i Veshallës. Baca Hysen rrëfen. Ishte muaji gusht 1975, unë isha i ftuar në një dasëm në Viti, kurse Biba ishte te një mik i tij i ftuar në dasëm në Ferizaj. Pasi mbaroi dasma ditën e dielë  nikoqirët na përcollën  deri në stacionin e autobuzave. Befas u takuam dy palët. Ne ishim valltarë të njohur, nuk ishim rivalë. Nuk kishim patur rast të vallzonim së bashku. Ishte hera e parë dhe e fundit, që më ka ngelur në kujtime dhe më jep nostalgji për tërë jetën. Kur pamë daullet dhe surlat njëri pyeti ustain se kush janë valltarët .

Ai bëri me shenjë. Ata na lutën të hedhim valle. Oshëtima e daulleve dhe melosi i surlave ushtonte në gjithë qytetin. Unë dhe Biba u ngritëm në valle. Në ato ҫaste kur ngrita kokën lart, pashë që ishin tubuar me mijëra njerëz. Nëpër ballkone kishin dalë gjithë banorët. Ishin bllokuar linjat dhe tërë rrugët që ҫonin në stacion. Biba duke hedhur vallen i pari ma bëri me shenjë, përfundo vallen. Filluan duartokitjet  fishkëllima, edhe një edhe një. Unë vazhdova edhe një valle dhe në fund u bëra me shenjë ustallarëve, ti mbledhin veglat. Në moment një burrë i veshur me kostum dhe kravatë u afrua dhe tha, ju lutem për hatër të publikut, do të vazhdoni dhe më tej të kërceni. Biba i tha zotëriut që kemi bllokuar gjithë stacionin dhe udhëtarët. Zotëriu u përgjigj unë jam prefekt i qytetit dhe për ҫdo gjë unë mbaj përgjegjësi. Ne vazhduam të vallzonim. Kur erdhi radha e valles kaҫakëve, unë i hipur në daulle, duke thurur cigaren, në fund me dorën lart pa revole imitoja me gisht duke shtier në ajër.

Në moment oshëtima e daulles u përzie me oshëtimën e fishekëve  të zjarrtë si zëra bilbilash. Në moment pashë afër prefektit një njeri me uniformë që shtiu revolen në brez. Më vonë kur erdhi të na përshëndeste pashë që ishte shefi i policisë. Pasi turma u nda prefekti i qytetit më tha se do të ma jepni besën , që ju të dy valltarët, jeni të ftuar vitin e ardhshëm në dasmën time.  Vallzimi ka lindur që kur njeriu shkeli në këtë planet.  Është arti më i spikatur dhe më i bukur i njerëzimit. Duke kërcyer valltari humbet arratiset nga vetvetja dhe shpirti depërton  në transcedentalen dhe ekstazë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button