Prof.dr.Abdullah Zymberi: model për të rinjtë se si duhet të ruhet e të mbrohet gjuha shqipe

Xhabir Ahmeti

Xhabir Ahmeti

Më 6 shtator pas mesnate, vdiq në Prizren leksikografi i njohur, Prof. Dr. Abdullah Zymberi, linguist dhe patriot shqiptar. Prof. Abdullahu do të mbahet në mend si pedagog i cili tërë jetën e kaloi duke mbjellë farën e dashurisë te nxënësit dhe studentët për gjuhën shqipe. Dyzet vjet punoi palodhshëm në arsim dhe edhe më shumë vite të jetës së tij i kaloi duke vjelë thesarin leksikor të gjuhës shqipe i cili ka mbetur jashtë kopertinave të Fjalorit të gjuhës shqipe. Ai kaloi me qindra fshatra shqiptare, nga Kraja, nëpër vise të ndryshme të Kosovës, në rrethin e Shkupit, të Tetovës e deri në fshatrat shqiptare Kishavë e Ostrec të Manastirit që gjenden mu në kufi të Maqedonisë me Greqinë me qëllim që t’i shpëtojë nga harresa “fjalët plaka” për të cilat ka aq shumë nevojë Fjalori i gjuhës shqipe, pastaj studentët, arsimtarët, intelektualët, mediat dhe institucionet. Kjo punë në fakt ishte një kontribut për forcimin e veçantisë së kombit tonë, për identitetin e shqiptarit, i cili mbështetet kryekëput në gjuhën shqipe.

Prof. Abdullah Zymberi u lind në vitin 1944 në fshatin Ruhot të Pejës, shkollën fillore e mbaroi në Tërstenik dhe Gurrakoc të Istogut, të mesmen në Pejë e Gajkovë, SHLP – gjuhë e letërsi shqipe në Prizren, kurse Fakultetin filologjik në Prishtinë, ku u magjistrua dhe u doktorua, ndërkaq jetën e kaloi në Prizren me familjen e tij, ku punoi si mësues e kryesisht si profesor i gjuhës shqipe, një herë në shkollën e dikurshme normale, në shkollën e mesme të mjekësisë, në Shkollën e lartë pedagogjike e pastaj në Fakultetin e edukimit të këtij qyteti, ku edhe u pensionua.
Gjatë tërë jetës ka qenë aktiv, me një shpirt prej studiuesi, ai me pasion deri në frymën e fundit nuk u ndal së kërkuari fjalën shqipe të mbetur diku në zgrip të harresës, të rrezikuar nga humnera e cila i zhduk fjalët e bukura shqipe. Pa mbështetjen institucionale prof. Abdullahu shkonte fshat më fshat në Opojë, Drenicë, Has, në Derven të Shkupit, në fshatrat e Tetovës e të Gostivarit, në fshatrat e Krajës, të Plavës e të Gucisë, kuptohet edhe të Gjakovës e Pejës etj. dhe me njl laps, plot skeda dhe me një daktofon ai gërmonte pa pushuar dhe dinte me mjeshtrinë e njeriut fisnik t’i nxjerrë margaritarët leksikor nga populli ynë i munduar, por i vendosur ta ruajë testamentin më të rëndësishëm të lashtësisë dhe të qenies shqiptare.

Prof. Abdullah Zymberi ka botuar një sërë punimesh që kanë të bëjnë me leksikografinë dhe leksikologjinë, kurse kurorë e punës së tij janë dy fjalorët e fjalëve të rralla, e vçanërisht ky i fundit me titull FJALOR POPULLOR, me rreth 20.000 fjalë. Natyrisht nuk është e vogël edhe puna e tij pedagogjike në të cilën u angazhua me mish e me shpirt që të nxjerrë kuadro të përgatitura mirë për profesionin e mësuesisë. Njëherësh është përpjekur që të krijojë hulumtues të rinj të cilët do ta vazhdojnë punën e tij për pasurimin e gjuhës shqipe me fjalë të rralla.
Me punën e tij të palodhshme prof. Abdullah Zymberi është bërë model i gjuhtarit të përkushtuar dhe model për të rinjtë se si duhet të ruhet e të mbrohet gjuha shqipe. Ai, po ashtu, e vuri një gur të madh në themelin e krenarisë shqiptare me punën e tij si gjuhtar, pedagog dhe patriot shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP