Taravari: Vendimi për kandidaturë për njeriun e parë të Gostivarit, është i imi! (VIDEO)

Me Ministrin në largim, Arben Taravari, biseduam për gjendjet në shëndetësi, për vendimin e tij për largim nga pozita e ministrit, për kandidaturën e tij për kryetar komune dhe për gjendjet brendapartiake, njofton Civil Media.

CIVIL Media: Gjatë gjithë kohës përsëritni se “do ta bëni, do ta bëni”, ndërkohë që e paralajmëruat kandidaturën tuaj për kryetar të Komunës Gostivar. Pse vendosët ta bëni këtë hap?

Taravari: Për mua personalisht ishte një hap shumë i rëndë. Njëzetë vite jam në shëndetësi, dhe këtë e ndjej si shtëpinë time. Tani jam mjeku i parë në Maqedoni, dhe është shumë rëndë që njeriu të del nga profesioni që e do, dhe është shpirtërisht i lidhur me atë. Por të mos harrojmë se unë këtu jam ministër i një partie politike e cila quhet “Aleanca për Shqiptarët”, nuk jam si ekspert, nuk jam si mjeku më i mençur, por jam i deleguari i asaj partie. Në bazë të analizave që i kemi bërë ne si parti, vërejtëm se kredibiliteti ynë do të jetë i rëndësishëm dhe më i madh në Qeverinë e Maqedonisë, nëse ne në këto zgjedhje lokale, marrim disa komuna. Dhe në Gostivar, analizat e të gjitha sondazheve ishin që unë jam i vetmi që mund ta sfidoj dhe ta fitoj z. Bejtën, dhe e kishim shumë me rëndësi, edhe unë edhe z.  Sela, i cili është deputet dhe do të kandidohet përsëri në Strugë, që ti marrim komunat, dhe pastaj të përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kur do që të mbahen, që të kthehemi më të fuqishëm, dhe idenë tonë politike ta bëjmë më kredibile, më të rëndësishme, më të besueshme. Unë, si Arben Taravari asnjëherë nuk jam kandiduar në Gostivar, të shoh sa është vlera ime, të shoh se sa më vlerësojnë qytetarët e mi. Dhe ky është momenti të kthehem në bazën time, të marr verdiktin e popullit, të formoja atje një ekip, e di se unë për kryetar komune nuk jam shumë kompetent por mendoj se skuadrat janë ato që japin rezultate. Dhe këtu në ministri, unë e kam bë skuadrën time, të gjitha këto rezultate nuk janë rezultate të një personi, i cili është para kamerave, por përkundrazi, prapa sukseseve dhe mossukseseve të Arbenit, qëndron edhe skuadra e tij. Në skuadrën time, të gjithë ata që e njohin ministrinë e shëndetësisë, nuk ka ushtarë partiakë,  ka  njerëz kompetentë, ka njerëz profesionalë, të partive të ndryshme dhe përkatësive etnike të ndryshme, por që funksionojnë si një makineri. Me përgjegjësi të plotë e them, se e bisedova edhe me kabinetin tim, që kjo skuadër të mbetet, cilido qoftë që do të jetë i pari i shëndetësisë, mendoj se politikat që i bën Arben Taravari janë politikat e qeverisë dhe të Aleancës për Shqiptarët.

CIVIL Media: Dëshironi të thoni se ky vendim është personalisht i juaji, ose i partisë?

Taravari: Unë jam një nga tre-katër personat kyçë në parti, dhe nuk mund të ik nga kjo, jemi ulur, askush nuk më ka bë presion që të dal. Do të thotë, i demantoj të gjitha lajmet, lexoj se dikush do të më djeg, të më fut në lojë, përkundrazi, vendimi ka qenë personalisht i imi, të garojmë dhe si parti të fuqizohemi. Nëse ne si parti nuk jemi të fuqishëm, nuk e kemi besimin e popullatës, pesha jonë në qeveri është e parëndësishme.

CIVIL Media: Mirëpo e leni për gjysmë punën e filluar në ministri…

Taravari: Nuk është ashtu. Puna që e bëj unë, është rezultat i një skuadre që funksionon pa ndaluar. Njerëz të cilët nuk shihen para kamerave, nuk dalin, por punojnë më tepër se dhjetë orë nëpër zyrat e ministrisë. Ajo skuadër do të vazhdojë, vetëm ministri do të ndryshojë, në vend të Arben Taravarit do të vijë një person i cili gjithashtu është përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët, me të gjitha gjasat menjëherë pas zgjedhjeve, dhe do të vazhdojë me punë me të njëjtën skuadër, me të njëjtin zëvendës ministër, me të njëjtin sekretar të shtetit, kështu që edhe unë do të jem krahu i ministrit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button