Maqedonia feston 26 vjetorin e pavarësisë (FOTO)

Republika e Maqedonisë sot e shënon 26-vjetorin e referendumit të zbatuar me sukses në të cilin qytetarët e Maqedonisë u prononcuan për shtet të pavarur dhe sovran.

Shumica absolute, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendum, pozitivisht iu përgjigjën pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e një pjese të bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë, Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, e më pas pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina…

Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

Subjektiviteti ndërkombëtaro-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore.Megjithatë për shkak të kundështimeve dhe presioneve të Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të Maqedonisë, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Nën patronatin e KB-së , Shkupi dhe Athina filluan bisedimet për zgjidhjen e problemit që ka me Greqinë me emrin kushtetues të Maqedonisë, që ende vazhdon.

 

Gjatë 26 viteve të kaluara të pavarësisë Maqedonia kaloi një sërë probemesh dhe vështirësish. Inflacioni treshifror në fillim të viteve të 90-ta, embargoja greke, kriza kosovare e refugjatëve dhe konflikti në vitin 2001 ishin sfida të vërteta dhe kërcënime për shtetin e ri të Maqedonisë, që e ngadalësuan rrugën e saj drejt realizimit të qëllimeve strategjike – përforcimin e demokracisë dhe integrimin në strukturat euro-atlantike. Dy vitet e fundit i shënoi edhe kriza politike e cila shkaktoi ngecje në procesin e eurointegrimeve, ndërsa pritet të tejkalohet me plotësimin e Marrëveshjes së Përzhinos, zgjedhjet e dhjetorit dhe prioritetet urgjente reformuese.

Edhe përkundër plotësimit të të gjitha kritereve për anëtarësim të barabartë në NATO në Samitin e Aleancës në Bukuresht në prill të vitit 2008, Republika e Maqedonisë mori vetëm ftesë të kushtëzuar për anëtarësim, pasi Greqia për shkak të kontestit për emrin e bllokoi pranimin.

Në vitin 2005 Maqedonia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa vjet edhe rekomandim nga KE-ja për fillimin e negociatave paraqasëse me Unionin, gjë që u përsërit edhe sivjet. Greqia pas shembullit me NATO-n e bllokoi edhe eurointegrimin e Maqedonisë, duke kushtëzuar me zgjidhjen paraprake të çështjes për emrin.

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, një delegacion i Qeverisë së RM-së i kryesuar nga kryetari i Qeverisë Zoran Zaev në varrezat në Butel do të vendosë lule në varrin e ish presidentëve të shtetit Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, ndërsa delegacioni i kryesuar nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska do të vendosë lule para përmendores “Çlirimtarët e Shkupit”.

Me moton “Së bashku në majë” sot në Krushevë në organizim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Zyrës për ndërlidhje të NATO-s organizohet ngjitje në Malin Busheva. Ngjarja e simbolizon lidhshmërinë e Maqedonisë me vendet partnere dhe qëllimin e strategjisë së saj – anëtarësimi në NATO Aleancën. Është paralajmëruar prania e ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, shefit të zyrës për ndërlidhje të NATO-s, kapitenit të Marinës Gorazd Bartol, si dhe ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, atashetë e mbrojtjes në Republikën e Maqedonisë, pjesëtarë të MM dhe të ARM-së dhe përfaqësues të shoqatave civile.

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë do të ndahet pmimi shtetëror “* Shtatori” i cili ndahet në dy kategori – për vepër jetësore dhe mirënjohje për realizimet në fushën e sportit.  Çmimi për vepër jetësore është Ivan do t’i ndahet Ivan Koçovskit Xhajo, ndërsa mirënjohje për për realizim në fushëm e sportit  do t’u ndahen karateistit Petar Bellistojanovski, notuesit Aleksandar Kocevski Xhajo, hendbollistit Risto Magdinçev dhe lundruesit me kaike Gjokica Nikollovski. Çmimi shtetëror për vepër jetësore paraqet pension sportiv i cili do t’i paguhet bartësit deri në fund të jetës, ndërsa katër mirënjohjet e tjera shtetërore paraqesin pagesë të njëfishtë në shumë prej dhjetë pagave mesatare në Republikën e Maqedonisë.

прослава 8 септември

Festimi qendror me rastin e Ditës së Pavarësisë u mbajt dje në pllajën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë nën slloganin “Maqedonia e lirë, e lirë jeton”. Nikoqir i festimit ishte Qeveria, ndërsa para të pranishmëve fjalim mbajti kryeministri Zoran Zaev.

Shënimi i Ditës së Pavarësisë filloi të mërkurën pasdite me ngjarjen sportive “Vrapo, luaj, aktivizohu” në organizim të Agjencisë për Rini dhe Sport.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button