100 ditë Qeveri

Kaluan 100 ditët e para të qeverisë së re. Qeveri nga e cila priten shumë ndryshime dhe reforma. Qeveri nga e cila pikë së pari pritet ndryshim i mënyrës së deritanishme të qeverisjes. Raporti i Kryeministrit Zaev lidhur me vepimet gjatë këtyre 100 ditëve të para u kundërshtua ashpër nga lideri i tashëm i opozitës, ish-kryeministri Gruevski si dhe nga opozitarë të tjerë. Gjatë konferencës së shtypit të Gruevskit bile u alivanos një i ri që qëndronte pas tij dhe asnjëri nga shokët e tij nuk e pa të arsyeshme ti ndihmonte. Njerëzit edhe mund të vdesin, por kur lideri kundërshton kundërshtarin e tij, gjithçka tjetër mund të presë. Ajo që Gruevski tha lidhur me këtë incident ishte vërtet jashta çdo standardi njerëzor. Ai komentoi që alivanosja e djaloshit e ka lënë nën hije prezentimin e raportit të Kryeministrit. Kjo vërtet tregon shumë për mënyrën si i sheh gjërat Gruevski dhe se si gjithnjë, instiktivisht, kërkon që ti paraqesë në interesin e tij personal. Të mos harrojmë, që vetëm para disa muajsh, ky person ishte në krye të shtetit dhe kishte në dorë gjithë fuqinë në formën e kontrolluesit kryesor të tij.

Por t’i kthehemi Qeverisë dhe 100 ditëve të para të saj. Nuk nevojiten raporte të detajuara për të pare optimizmin që është prezent në vend dhe jashtë tij, në qarqet ndërkombëtare. Shumëçka ndryshoi në raport me Maqedoninë pas 27 Prillit dhe pas zgjedhjes së qeverisë së re. Të mos harrojmë se vetëm para disa muajsh ishim në prag të luftës civile, kanosje që arriti kulmin me aktin terrorist të sulmit ndaj Kuvendit, deputetëve dhe gazetarëve që ishin prezentë aty. Të mos harrojmë drejtësinë selektive dhe rastet gjyqësore politikisht e etnikisht të mpntuara. Të mos harrojmë gjendjen e izolimit të tërrësishëm ku u humbëm brenda këtyre 11 viteve të kaluara. Të mos harrojmë se sot në Bruksel e në Uashington flitet ndryshe për Maqedoninë, me shumë shpresë, me shumë optimizëm dhe vendosmëri që ky shtet i vogël ballkanik të kthehet në rrugën e drejtë të integrimeve euro-atlantike.

Sa i përket reformave të përcaktuara në Planin 3-6-9 të Qeverisë, mjafton vetëm një lexim i këtij plani për të identifikuar aty të gjitha këshillat dhe vërejtjet e dhëna në raportet relevante ndërkombëtare: Progres Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë për vitin 2016, Raporti Pribesë dhe Prioritetet Urgjente për Maqedoninë, si dhe Rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe OSCE-ODIHR lidhur me pengimin e abuzimit të buxhetit të shtetit gjatë zgjedhjeve dhe ndarjes së shtetit nga partia. Ky plan përfshin shumë pika edhe nga Dokumenti i përpiluar nga organizatat jo-qeveritare aktive në Maqdoni (i quajtur ndryshe Blueprint) dhe është identik në shumë elemente. Veç kësaj, sektori joqeveritar është përfshirë si konsultant kryesor në shumë organe që përgatisin strategji dhe dokumente tjera për organet shtetërore. Vetëm në Këshillin për reforma në gjyqësi ka të paktën 8 përfaqësues nga shoqëria civile dhe qarqet akademike. Strategjia për sektorin e gjyqësisë përfshin shumë ndryshime ligjore që do të mundësojnë një gjyqësor më të pavarur dhe një Këshill gjyqësor më të përgjegjshëm.

Sa i përket ndarjes së partisë nga shteti, Qeveria aprovoi Deklaratën për ndalimin e çfarëdo lloj presioni politik ndaj nëpunësve të administratës publike duke inkurajuar paraqitjen e rasteve të presionit dhe duke përcaktuar që nëse raportet ndërkombëtare konstatojnë forma të presionit të tillë, kjo do të jetë bazë e shkarkimit të personave përgjegjës për mbikqyrjen e procesit zgjedhor. Poashtu, në rast të konstatimit të informimit të pabalancuar në mediumin shtetëror gjatë kohës së fushatës, kjo do të jetë bazë për shkarkimin e Drejtorit të Shërbimit Radio-Difuziv.

Mund të konstatohet që Qeveria të paktën ka shprehur vullnet të qartë politik për të tejkaluar dhe përmirësuar lëshimet ligjore që sollën deri tek barazimi i shtetit dhe partisë, si pasojë e të cilit barazim, në të kaluarën sovraniteti, që sipas Kushtetutës rrjedh dhe i përket qytetarit, i përkiste në fakt partisë në pushtet. Duhet pasur poashtu parasyshë që e gjithë ajo që është shkatruar brenda 11 viteve nuk mund të rindërtohet brenda 100 ditëve.

Mendoj që testi i vërtetë lidhur me atë se sa kjo Qeveri është e vendosur të bëjë reforma të mirëfillta nuk ishin këto 100 ditë. Për të vërtetuar qëllimet e saja dhe vullnetin e mire politik, kjo Qeveri duhet t’i kalojë me sukses dy provimet në vazhdim.

Provimi i parë do të jenë zgjedhjet lokale që po afrohen dhe që do të jenë të parat që do të organizohen nga kjo Qeveri. Raportet e OSCE-ODHIR do të jenë vendimtaret që do të tregojnë nëse ka ndryshim esencial në mënyrën e organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve ose jo, në veçanti sa i përket problemit esencial të ndarjes së partisë nga shteti.

Provimi i dytë është bartja e përgjegjësisë. Përgjegjësi duhet bartur për atë që na ndodhi në dekadën e kaluar dhe askush të mos mund t’i ikë kësaj përgjegjësie. Përgjegjësi duhet bartur edhe për keqpërdorimin eventuale të pushtetit të ri gjatë zgjedhjeve në vijim. Nga mënyra si do të implementohen në praktikë ndalesat e parapara në masat e reja të aprovuara në Qeveri do të shihet serioziteti i së njejtës.

Fundja, edhe deri tani kemi pasur shumë ligje dhe regulla të shkruara bukur në letër, por në praktikë kemi pasur situatë tejet të shëmtuar dhe të padrejtë. Mendoj që dalimi kyç që do të duhet ta bëjë Qeveria e re është implementimi i masave që vetë i ka aprovuar por edhe i ligjeve që vlejnë në këtë vend. Zbatimi i pakompromis dhe i barabartë i tyre, pa selektivitet, është dallimi që duhet bërë e që shpresoj ta shohim e ta ndjejmë të gjithë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button