Qeveria AKR-PAN nuk mund ta çojë mandatin deri në fund, ja kujt i konvenon marrëveshja

Aleanca Kosova e Re tashmë i ka ndarë rrugët me koalicioni e saj, LDK-në dhe Alternativës, për t’iu bashkuar koalicionit fitues të zgjedhjeve, koalicionit PAN.

Pak orë pas prishjes së koalicionit me LDK-në, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, nënshkroi marrëveshje me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, kandidatin për Kryeministër, Ramush Haradinajn, dhe kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limajn, duke e quajtur kështu marrëveshje në interes të vendit, përcjell botasot.info. 

Sipas Pacollit, shtetndërtimi i Kosovës ka qenë interesi i cili ka bërë që AKR të nënshkruajë me PAN-in marrëveshjen për të qeverisur me vendin.

“Me këtë koalicion do t’i shtyjmë proceset përpara. Jam i bindur se do të kemi harmoni me kryeministrin Haradinaj,” është shprehur Pacolli pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Ai ka shtuar se koalicioni i tyre dëshmon fuqinë për të sfiduar problemet që ka përpara Kosova.

“Kemi sfida për të tejkalu, ato tejkalohen vetëm me mirëkuptim, energji pozitive dhe punë,” është shprehur Pacolli.

Ndërsa, sipas analistëve politikë koalicioni PAN- AKR është marrëveshje që i përshtatet AKR-së, e jo PAN-it.

Sipas analistëve një qeverisje PAN- AKR, nuk ka mundësi ta përfundojë mandatin deri në fund.

Skënder Zogaj, analist politik, ka thënë për “Bota sot” se rezultati i zgjedhjeve është i papërshtatshëm për krijimin e qeverisjes stabile.

Sipas Zogajt, pavarësisht kush e formon qeverinë, do të jetë e gjymtuar.

“Rezultati i zgjedhjeve është shumë i papërshtatshëm për krijimin e qeverisjes stabile, prandaj pavarësisht se kush i bënë  numrat dhe e formon qeverinë, kjo do të jetë një krijesë e gjymtë, një torzo, që do të ketë telashe me vetveten e saj, sepse do të ketë shumë mish të egër në përbërjen e saj! Koalicioni eventual PAN -AKR, është marrëveshje tuxharllëku, që i konvenon AKR-s, por jo PAN-it, sepse duhet ta paguaj shtrenjte “tarrakopa” që nuk i hyn fare në punë. Paramendojeni ministër Labinot Tahirin! Pra, ndaj formimi i qeverisë me koalicionin PAN-AKR-Lista Srpska e pakicat e tjera, do të jetë një kacamak i zënë shkrumë që do të shkaktojë lemza të forta!”, ka pohuar Zogaj.

Ai ka shtuar se qeverisja PAN- AKR nuk do të përfundon mandatin e rregulltë.

“Qeverisja e këtillë nuk e ka asnjë shansë të kryej mandatin e saj deri në fund. Jo nga përballja me opozitën, por nga përballja me vetveten, sepse është në pengun e partnerëve të koalicionit, që do të kërkojnë karramele aq sa nuk do mund të sigurohen! LDK-s dhe VV-s u konvenon mbetja në opozitë, sidomos LDK-s, e cila ka shumë nevojë me shiku nga balkoni!,  ka theksuar Zogaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button