Debati për ligjin e gjuhëve vazhdon, përplasje mes LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së

Edhe sot debati rreth Propozim Ligjit për përdorimin e gjuhëve nxiti polemika midis pozitës dhe opozitës. Deputetët e VMRO DPMNE-së thanë se ky propozim ligj avancon përdorimin e gjuhës shqipe, por diskriminon gjuhët e bashkësive tjera etnike dhe si i tillë do ta thellojë hendekun midis qytetarëve dhe do t’i ndajë ato.

Miratimi i këtij ligji, pa e konsultuar opinionin më të gjerë, pa mendim nga Taki Fiti dhe Akademia e Shkencës, pa mendim nga Fakulteti Filologjik, pa mendim nga Instituti për gjuhë maqedonase, pa dhjetë debate publike, pa shpjegim të këtij ligji në secilën komunë që do të bëhet dygjuhësore, përfshirë këtu edhe Prilepin, Pehçevën, Berovën dhe Kratovën nuk zvogëlohet hendeku, por rritet – tha Dimitar Stevananxhija, VMRO DPMNE.

Pretendimet e deputetëve të VMRO DPMNE-së i hodhi poshtë deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov. Ai tha se ligji nuk pengon përdorimin e gjuhëve të bashkësive tjera etnike, e as nuk parashikon dënimin e fëmijëve maqedonas që nuk dinë shqip. Në këtë drejtim ai kërkoi nga deputetët e VMRO-së të mos shkaktojnë frikë tek qytetarët për interesa të imëta partiake, pasi të njëjtat do të lenin pasoja afatgjate. Ai tha se ky është ligji që siguron ekzistencën e Maqedonisë.

Nuk mund Republika e Maqedonisë të jetë shtet stabil nëse nuk kemi marrëdhënie serioze cilësore midis qytetarëve në shtetin tonë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare dhe nëse doni edhe atë politike. Këto janë marrëdhëniet nga të cilat varet e ardhmja, respektivisht ekzistenca e RM-së si subjekt juridik, si shtet. Kjo është esenca e secilës shoqëri multi-etnike. Nëse këtu qëndrojmë fort, nuk ekziston fuqi që mund ta prish shtetin tonë – theksoi Petre Shilegov, LSDM.

Debati për propozim ligjin për gjuhët në Komisionin për Çështje Evropiane përfundon nesër. Më pas i njëjti duhet të kalojë filtrin në seancë plenare për tu kthyer edhe një herë në komision. Me propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve avancohet përdorimi i gjuhës shqipe përveç në nivel lokal, edhe në atë pushtetin qendror, si gjuhë që e flasin 20% e popullsisë së përgjithshme.

LEXO: Maqedoni, ja detajet çfarë përmban ligji për gjuhët (gjuhën shqipe)

Flamuri evropian i vendosur në propozim-ligjin e gjuhëve në mbledhjen e djeshme ka ngjallur debat të ashpër ndërmjet opozitës dhe pozitës, pasi që e para kërkoi që edhe ky ligj të kalojë në të njëjtat procedura si ligjet tjera, me debat të gjerë.

Sipas të njëjtëve ligji është antikushtetues dhe se do të shkaktojë ndarje më të mëdha në shoqëri, e jo respektim të dallimeve siç vlerësohet me flamurin evropian të vendosur në të.

Në lidhje me këtë çështje, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev vlerësoi se miratimi i ligjit të gjuhëve përshpejton procesin eurointegrues të Maqedonisë.

“Ligji për gjuhët që sot hyri në procedurë kuvendare përmban flamurin evropian pasi që duhet të miratohet në procedurë të përshpejtuar dhe pa debat të gjerë. Kjo është paraparë me Planin 3-6-9 të Qeverisë së Maqedonisë dhe me Programin Nacional të Legjislaturës Evropiane që parasheh integrim të përshpejtuar të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Flamuri evropian është vendosur sepse Evropa i jep rëndësi dallimeve si vlera themelore të BE-së”, tha Zaev.

Ndërkohë që nga Sekretariati për Çështje Evropiane sqaruan se ky ligj mundëson zbatim të Marrëveshje së Ohrit, realizim që mundëson perspektivë të Maqedonisë në procesin euro-atlantik.

“Implementimi i Marrëveshjes Kornizë është i lidhur ngushtë me procesin e integrimit evropian të vendit, për të cilën flasin edhe sërë konkluzionesh të Këshillit të BE-së vitet e fundit, që tregojnë nevojën e shfrytëzimit të implementimi të përgjithshëm të së njëjtës, si gur themel për ndërtimin e mëtutjeshëm të shoqërisë demokratike me karakter multietnik, si kornizë për sigurimin e ardhmërisë së demokracisë në Maqedoni dhe mundësi për zhvillimit të marrëdhënieve më të ngushta dhe më të integruara mes Republikës së Maqedonisë dhe komunitetit euro- atlantik”, tha Osmani.

Nga atje sqaruan se ky ligj miratohet sepse Qeveria merr parasysh Procesin për Stabilizim dhe Asociim, detyrimet e marra me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, si dhe detyrimet nga dialogu për Aderim në Nivel të Lartë dhe Reformat Urgjente Prioritare, përmes të cilave, përgatitja e Propozim-ligjit për shfrytëzimin e gjuhëve u bë pjesë e Planit 3-6-9 për shfrenimin e proceseve euro-integruese, e cila u pranua gjerësisht si nga publiku vendas, ashtu edhe nga miqtë e shumtë ndërkombëtar të Maqedonisë. Sipas rregullores, Qeveria vendosi në këtë Propozim –ligj, si pjesë e procesit të integrimit evropian, të më jep RVP numër 2017.0000.7414. apo i ashtuquajtur status i flamurit evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button