QYTETI SI KURTH

Qyteti bëhet më i ngushtë dhe më ngulfatës. Dhunimi i “jashtëm” i tij shkakton traumatizim “të brendshëm”. Qyteti është bërë vetëm vendbanim dhe jo edhe identifikim, orientim, identitet, takim me tjetrin.

Me çka të identifikohemi, kur simbolet e tij janë humbur? Si të orientohemi në kaos, në kurth? Cilët janë shenjat identitare? Cilët janë vendtakimet me të tjerët?

Në këtë shpërfytyrim apo urbanicid ndikojnë shumë faktorë. Ndikojnë politikat përjashtuese dhe djallëzore qeveritare. Ndikon plani i paqartë urbanistik. Ndikon normativa jo adekuate. Ndikon humbja e kontaktit të qytetarit me institucionet e pushtetit vendor. Ndikon mungesa e mirëmbajtjes së hapësirave publike. Ndikon mosfunksionimi i mekanizmave të kontrollit dhe të mbrojtjes së qytetit nga shpërfytyrimi. Ndikon shkatërrimi i hapësirave të gjelbërta. Ndikon ndotja e ambientit. Ndikon ngulfatja e kreativitetit. Ndikon përqendrimi i investimeve vetëm në kryeqendër dhe provincializimi i gjithë qyteteve tjera etj.

Qytetet tona përballen me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore e materiale të tyre. Mbi themele të vjetra janë lartësuar shëmti arkitektonike.

Makuteria e njerëzve të veshur me pushtet i ka fshirë shenjat identifikuese të qytetit, që duhej të na lidhnin me të kaluarën.

Qytetet tona e kanë humbur të kaluarën dhe jetojnë në “të tashmen e përhershme”. Por edhe në “të tashmen e përhershme” kanë humbur shumëçka. Qytetet tona nuk kanë shërbime cilësore shëndetësore. Nuk kanë shkolla, çerdhe e kopshte me tamam. Nuk kanë qendra sportive. Nuk kanë vende pushimi për qytetarët e lodhur nga përditshmëria. Nuk kanë infrastrukturë kulturore. Trafiku është kaotik dhe nëse je vonuar për diku, duhet të nisesh më këmbë për të arritur më shpejt.

“Zhvillimi i transportit dhe i komunikacionit është ndër faktorët kryesorë për zhvillimin e jetës në qytet”, thotë Mumford, kurse sipas Arnold Toynbee-së, “qyteti ku nuk mund të ecësh lirshëm, është një kurth”.

Në këtë kurth ngulfatës, të ngatërruar, në këtë labirint makthi, ka një obsesion: si të shpëtohet prej kurthit. Sa më larg, aq më mirë.

Për shkak të këtij makthi, qyteti perceptohet nga të rinjtë si “stacion i përkohshëm”, si “vendstrehim mizor” pa rregulla, i cili duhet të braktiset sa më parë. Gjithçka për shkakun se njerëzit e veshur me pushtet, në vazhdimësi, e kanë uzurpuar qytetin sa sot shikimi na përplaset në mure ndërtesash.

Bashkë me hapësirën që ngushtohet, nëse i referohemi Dostojevskit, ngushtohen edhe mendimet tona. Aq shumë ngushtohen sa qytetin më e konsiderojmë vetëm si vendbanim dhe asgjë më shumë se sa kaq…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button