Mogerini: Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane

Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Federika Mogerini nga foltorja në Forumin strategjik të Bledit, porositi se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka perspektivë evropiane dhe mund të mbështetet tek Unioni.

“Qëllimi im personal është të shohim progres real tek të gjithë partnerët e Ballkanit në rrugën drejt BE-së. Kur të jem në fund të mandatit, dëshiroj që ky proces të jetë i pakthyeshëm. Është e rëndësishme që në Ballkan të ekzistojë uri për të ardhmen dhe dëshirë që të tejkalohen sfidat. Kjo është mjaft e rëndësishme për bashkësinë e biznesit dhe për të rinjtë. Mund të mbështeten tek ne”, porositi Mogerini.

Ajo potencoi se Ballkani është pjesë e BE-së, se është në Evropë dhe se çdo partner i Ballkanit ka perspektivë evropiane, ndërsa qytetarët meritojnë mundësi të barabarta.

Mogerini vlerësoi se gjatë forumit të vitit të kaluar pasqyra e BE-së ka qenë më ndryshe – pasqyrë e krizës dhe problemeve të mëdha, ndërsa sot, sipas saj, është më ndryshe.

“Sot shohim se i nevojitemi botës. Ne, evropianët, jemi duke i tejkaluar problemet, gjejmë zgjidhje dhe ky është ky realitet i ri”, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së në Bled, ku po mbahet forumi strategjik me titull “Realiteti i ri”.

Duke folur për realitetin e ri dhe mënyrat në të cilat duhet të përballemi me të, Mogerini potencoi se BE-ja tani është partner i besueshëm dhe i fuqishëm, i fokusuar në unitet, që në mënyrë kooperative i zgjidh krizat e shumta.

“Ne jemi për qasje multilaterale, por nuk jemi naiv dhe nuk jemi laik si politikanë. Evropianët e dinë se zgjidhjet gjithëpërfshirëse janë më të mira”, potencoi Mogerini.

Ajo si shembull e theksoi Korenë e Veriut, duke thënë se hapat e pushtetit në Phenian janë provokim dhe kanosje e madhe.

Sipas saj, BE është duke i ndarë vlerat e bashkësisë ndërkombëtare dhe angazhohet për denuklearizimin – edhe atë jo vetëm në Korenë e Veriut, por në mbarë botën.

“Janë duke luajtur me zjarrin, ndërsa ky zjarr mund të përhapet në mbarë botën. Çështja është si të pengohet kjo. Nuk ka vendime të lehta, duhet të veprojmë me vendosmëri, por në mënyrë diplomatike. Ky është momenti që të bëhet presion ekonomik dhe diplomatik maksimal mbi Korenë e Veriut”, vlerësoi Mogerini.

“Ajo që BE-ja është paqësore, nuk do të thotë se është e dobët”, thotë shefja e diplomacisë së BE-së, duke plotësuar se për këtë çështje nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake dhe se ky është qëndrim i gjithë Bashkimit Evropian.

Ajo potencoi se BE-ja vazhdon të bëjë bisedime me Turqinë.

“Patëm dialog politik para një muaji e gjysmë. Nuk pajtohemi për gjithçka, veçanërisht jo për të drejtat e njeriut, por bisedimet vazhdojnë. Turqia është partner i yni dhe vend kandidat”, potencoi Mogerini.

Në Forumin strategjik të Bledit, i cili mbahet sot dhe nesër nën moton “Realiteti i ri”, do të marrin pjesë rreth 1.000 përfaqësues të lartë të Kombeve të Bashkuara, të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, akademikë, studentë, përfaqësues të bashkësisë së biznesit prej mbi 70 shtete. Në Forum do të marrin pjesë edhe funksionarë nga rajoni, duke e përfshirë edhe shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button