Diskriminimi i tmerrshëm me festat

Sipas ligjit të festave nëse je shqiptar mysliman do të paguhesh më pak se kolegët. Ky është ligj që bën diskriminim direkt në baza etnike dhe fetare

Ligji i mbrapshtë. Ndër budallallëqet më të mëdhaja të pushtetit të kaluar një vend të posaçëm padyshim zen ligji për festat. Në diskursin politik ky ligj kalon i pavërejtur, i harruar, thuajse nuk ekziston fare; atë nuk e gjen nëpër programe të partive politike, në premtime zgjedhore, nuk i bëhet muhabeti as gjatë fushatave, madje nuk përflitet as nëpër debate publike në mediume. Askujt nuk i bëhet vonë të propozojë ndonjë ndryshim të tij, apo të akuzojë ligjvënësit për diskriminim etnik e fetar, sikur ky të ishte vetëm një rast tjetër çmendurie ballkanike, më tepër objekt talljeje se mekanizëm serioz diskriminimi. E megjithatë ky ligj ekziston dhe është njëkohësisht i pistë dhe idiotesk. Idiotesk sepse është skajshmërisht jopraktik dhe nuk funksionon; i pistë sepse bën diskriminim direkt duke ndarë njerëzit në të privilegjuar dhe diskriminuar, jo ligj i tipit “bjeri samarit t’i kujtohet gomarit” por që i bie direkt “gomarit”, në këtë rast shqiptarëve myslimanë që assesi t’u kujtohet të kërkojnë ndryshimin e tij.

Jopraktik. Përveç festave shtetërore ky ligj i mbrapshtë parasheh një sërë festash fetare dhe etnike. Në ditët e festave të këtilla pjesëtarët e asaj etnie ose feje qëndrojnë në shtëpi, ndërsa të feve e etnive tjera punojnë njëlloj si ditëve tjera. Veçse kjo “si ditëve tjera” duhet marrur me rezervë, sepse në realitet ato ditë në punë shkohet kot. Nëse për shembull jeni shqiptar dhe mysliman, ditët e festave ortodokse do të veni në punë, por rreth jush nuk funksionon asgjë. Nuk janë aty një pjesë e madhe e kolegëve me të cilët ju lidh puna, nuk funksionojnë institucionet shtetërore, bankat e plot shërbime të tjera. Rrjedhimisht nuk mund të kryeni asnjë punë, ndoshta përveç punëve të krahut. E njëjta ndodh me ortodoksët në ato ditë kur pushojnë myslimanët, nëse ju qëllon të punojnë në firma e institucione të udhëhequra nga ta. T’a kemi të qartë, ato ditë në punë shkohet kot; bëhen harxhime pa u bërë asnjë punë. Do të ishte më praktike sikur ato ditë mos punohej fare; kështu të gjithë do të ishin të barabartë dhe do të kurseheshin harxhime të panevojshme.

Diskriminues. Por dimensioni jopraktik është thuajse i parëndësishëm në krahasim me aspektin diskriminues të këtij ligji. Myslimanët e kanë shumë më keq, pasi pjesa më e madhe e festave të ndara janë festa fetare ortodokse. Kështu shqiptarët myslimanë duhet të punojnë pesë ditë më tepër në vit se kolegët e tyre maqedonas ortodoksë, kuptohet për rrogën e njëjtë. Në total, qysh kur është votuar ligji, shqiptarët myslimanë kanë punuar 50 ditë më tepër se kolegët e tyre. Përkthyer në rroga, kjo do të thotë se gjatë këtyre viteve ata për punën e njëjtë kanë marrur dy rroga më pak se kolegët maqedonas ortodoksë.

Që t’a ilustrojmë më mirë këtë lloj diskriminimi po marrim shembullin e dy punëtorëve që bëjnë punë plotësisht të njëjtë, për të cilën paguhen nga 30.000 denarë në muaj. Por njëri prej tyre është maqedonas ortodoks, ndërsa tjetri shqiptar mysliman. Sipas ligjit të festave maqedonasi ortodoks do të punojë pesë ditë më pak çdo vit, pra përafërsisht një gjysëm dite në muaj. Nëse pagat e tyre i kthejmë në paga ditore del se maqedonasi ortodoks paguhet rreth 1360 denarë në ditë, ndërsa shqiptari mysliman 1330 denarë. Pra nëse je shqiptar mysliman me automatizëm merr 30 denarë më pak në ditë. Ky është efekti direkt i ligjit për festa: NËSE JE SHQIPTAR DHE MYSLIMAN DO TË PAGUHESH MË PAK.

Për të punësuarit shqiptarë nëpër disa kompani, si për shembull në disa banka, është edhe më keq. Pasi drejtuesit e kompanisë janë maqedonas e gjithë kompania mbyllet ditët e festave fetare. I punësuari shqiptar nuk do të shkojë në punë edhepse nuk ka festë, por kompania nuk është aspak zemërgjërë edhepse vetë e ka detyruar të qëndrojë në shtëpi. Këto ditë ajo ja llogarit nga ditët e pushimit dhe shqiptari mysliman përsëri ngelet me gishta në gojë. Nëse kolegut të tij maqedonas i takojnë 20 ditë pushime në vit, shqiptarit i ngelen vetëm 15, sepse pesë ditët tjera të pushimit kompania ia ka caktuar me dhunë.

 Zgjidhja. Pikë së pari, rreziku më i madh është se ky ligj perceptohet si qesharak. Atij ja bëjmë me gisht si shembull se çfarë çmendurie mbizotëron te ne, apo si shembull se Maqedonia është banana-republikë me plot festa qesharake. Por duke e përqeshur ligjin, ne në fakt refuzojmë t’a marrim atë seriozisht. Pikërisht këtu është djallëzia e tij; ai na e fut duke qeshur e përqeshur. Prandaj është koha e fundit që të ndalim të qeshurën e t’a kuptojmë njëherë e mirë se ligji i festave është shembulli më eklatant i diskriminimit në baza fetare e etnike.

Pastaj është mëse e domosdoshme që ndryshimi i këtij ligji të vihet në agjendën e partive politike një orë e më parë. Kjo pjesë është tejet e lehtë sapo partitë t’a marrin punën më me seriozitet. Atëherë mjafton që ndonjëra prej tyre t’a parashtrojë atë në parlament me një amendament të vetëm, ku të gjithë festat përnjëherësh barazohen. Ose do punojmë të gjithë, ose nuk punon asnjëri.

Nëse këtë nuk e bëjnë partitë politike, është koha e fundit që të njëjtën t’a bëjnë shoqata joqeveritare ose grupe qytetarësh. Ky ligj diskriminues nuk guxon të qëndrojë ashtu siç është!

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. I nderuari Robert, te pergezoj per analizen e bere, si gjithmone e qarte dhe profesionale. Kesaj analize une do i kisha shtuar edhe diskriminimin qe u behet administratoreve shqiptare nga qytetet per rreth Shkupit (Tetova, Gostivari, Kumanova, Velesi,…) qe udhetojne cdo dite ne pune ne Shkup dhe qe pervec 2 oreve plus nga orari i punes (dmth 10 ore pune), nuk iu mbulohen harxhimet reale te transportit dmth rruges. Si rezultat i ketij “diskriminimi administrativ”, mendoj se nga aspekti ekonomik, shume shpejt do vije ne pikepyetje ardhja ne pune e shume administratoreve. Kjo eshte nje ceshtje shume e rendesishme per te cilen ka nevoj nje analize me e thelle dhe per te cilen politikanet tane deri sot, nuk kane jane munduar aspak te gjejne ndonje zgjidhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button