POPULIZMI

Në shoqërinë tonë dhe më gjerë, në korniza planetare, në ciklet zgjedhore dhe në veprimtari të ndryshme shoqërore, shënohet një valë e dukurisë që sociologjikisht quhet populizëm, formë kjo e mobilizimit dhe organizimit, e komunikimit politik që përqendrohet rreth kundërtisë mes “njeriut ordiner” ose popullit dhe një grupi real ose të imagjinuar të “elitave të privilegjuara”. Termi populizëm rrjedh fjala latine populus (populli) që nënkupton „një taktikë politike primitive, e cila ka për qëllim mashtrimin e turmave, manipulimin me to në saje të premtimit të gjërave që janë të parealizueshme dhe të flirtimit demagogjik me turmat“. Në literaturën politike bashkëkohore populizmi përkufizohet si „ideologji ose doktrinë politike që shoqërinë e sheh si të ndarë në grupe homogjene antagoniste: njerëz të ndershëm dhe elita të korruptuara, dhe që pohon se politika duhet të jetë shprehje e lirë e njerëzve (volonté générale).“ Por kjo, sipas punimit të njohur të Kas Mude-s („The Populist Zeitgesit“) nuk i jep përgjigje të plotë pyetjes se çka është populizmi: ideologji, sindrom, lëvizje politike ose stil në politikë? Populizmi është fjalë me shumë kuptime, të cilat mund të përmblidhen në dy: „populizmi agrar“ për lëvizjet radikale dhe doktrinat socioekonomike që sillen rreth interesave të fshatarëve e bujqve të vegjël, dhe „populizmi politik“, qëndrime, aktivitete dhe teknika të bazuara në thirrjen drejtuar njerëzve. Populizmi agrar: Partia popullore amerikane nga vitet 1890, ithtarët e së cilës krijuan termin ‚populist’, ka qenë lëvizje bazë e lindur nga problemet ekonomike të fermerëve të shteteve të perëndimit dhe të jugut. Ata synonin që pushtetin t’ua kthenin njerëzve të rëndomtë, i refuzonin financierët dhe kërkonin nga shteti ndihmë për prodhuesit e vegjël. Kjo lëvizje u shua pas humbjes së V. J. Brayanit në zgjedhjet presidenciale të vitit 1896, demokrat ky që fushatën e vet e pati udhëhequr sipas një platforme populiste. Narodniçestvo është fjalë nga lëvizja revolucionare ruse e shekullit XIX, në kohën e së cilës intelektualët radikalë e idealizonin fshatarësinë dhe shpresonin se do të ndërtonin shoqëri të re socialiste në bazë të traditave të kultivimit komunal që pati mbijetuar në fshatin rus. Në zenitin e lëvizjes, më 1874, intelektualët e rinj shkonin „në mesin e popullit“, nëpër fshatra dhe propagandonin socializmin agrar. Kur fshatarësia nuk u doli në ndihmë, disa narodniçikë u kthyen nga terrorizmi dhe ia dolën ta vrisnin carin. Në Maqedoni shembull i qartë të populizmit agrar pati në zgjedhjet parlamentare më 2006, në të cilat mori pjesë edhe një parti (Partia për ripërtëritje ekonomike) që mundohej të ndizte turmat fshatare përmes ligjëratës për përmirësimin e gjendjes së tyre. Populizmi politik: Thirrje njerëzve kundër elitës, shpesh edhe kundër të huajve. Demokracia populiste është e orientuar armiqësisht kundër përfaqësimit dhe kërkon që pushteti sa më tepër të jetë në duart e njerëzve të thjeshtë. Mjete karakteristike institucionale të populizmit janë referendumi, iniciativa popullore dhe revokimi. Sipas Cas Mudde (2017), populizmi është një përgjigje iliberale ndaj liberalizmit jodemokratik.

Termi ‚populist’ përdoret edhe për diktatorët karizmatikë që fitojnë pushtetin duke i kritikuar politikat paraprake konvencionale dhe që i blejnë turmat me bukë dhe „cirk“. Politikanët mund të quhen populistë nëse flasin në emër të gjithë popullit, në vend që të flasin në emër të një fraksioni ose klase të caktuar. Në mesin e shekullit XX, populizmi agrar është hedhur tej nga ekonomistët liberalë dhe marksistë, kurse populizmi politik është lidhur me nazizmin dhe me kratizmin. Shembuj të populistëve janë Peroni në Argjentinë, Hitleri, De Gaulle, madje edhe diktatori serb Millosheviq. Sot zhvillohen debate nëse Donald Trump është populist ose demagog, madje ai cilësohet si një populist i rrejshëm (phony populist). Ekziston edhe një sintagmë tjetër që ndërlidhet me populizmin, populizmi kulturor, ide sipas së cilës tekstet dhe praktikat kulturore të njerëzve të „thjeshtë“ janë më të rëndësishme se ato të pjesëtarëve të elitës. Populizmi kulturor synon ndërtimin e kulturës nga masat, nga shumica popullore e jo nga „të zgjedhurit“, të cilët përbëjnë një grupim të stërholluar kulturalisht por edhe të tëhuajësuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button