U fal namazi i Kurban Bajramit, qytetarët urojnë për harmoni e prosperitet (VIDEO)

Besimtarët myslimanë festën e Kurban Bajramit në Kosovës e kanë nisur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmed Fatih”, ku kanë bërë faljen e namazit të Bajramit. Drejtues të Medresesë “Alaudin” në Prishtinë dhe kryeimam kanë adresuar mesazhe urues me rastin e kësaj feste. Festa e Kurban Bajrami është një nga festat më të shënuara për botën islame që shënon dhe fundin e ritit të haxhillëkut i konsideruar si proces bindjeje, paqeje dhe sakrifice. Simbolikë tjetër e kësaj feste është therja e kubanëve dhe dhuratat ndaj të varfërve.

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora në mesazhin e Kurban Bajramit tha se sot me tepër se kurrë bota ka nevoje për paqe dhe harmoni. Ai ka ftuar dhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës që të punojnë më shumë për fuqizimin e shtetësisë.

“Nga ky vend i bekuar i ftoj të gjithë udhëheqësit tanë politike dhe qytetarët e Republikës se Kosovës që të punojnë dhe kontribuojnë edhe më shumë për ndërtimin dhe fuqizimin e mëtejmë të vendit tonë. Kontributi ynë për ndërtimin e një shteti funksional ku do të respektohet e drejta e çdo individi është amanet mbi amanetet dhe është detyrë e shenjtë”, tha Bajgora.

Në xhamin e madhe në Prishtinë, në ligjëratën e tij, për fenë dhe festën e Kurban Bajramit, Jakup Çunaku, drejtor i Medresesë “Alaudin” në Prishtinë, tha se qytetarët në Kosovës në këtë ditë feste duhet të tregohen solidar për familjet në nevojë.

“Ju sot përmes sakrificës tuaj që do të bëni, do të mundësoni që festën e Kurban Bajramit ta gëzojnë edhe jetimët, skamnorët njerëzit në nevojë, sepse vetëm kështu i shtohet kuptimi kësaj feste të shenjtë. Dobitë e fesë janë të panumëruara dhe njëra nga to është vlera e përmendjes së Zotit”, tha Çunaku.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, besimtarët islamë i kanë uruar edhe udhëheqësit e institucioneve më të larta dhe ata të partive politike. Në urimin për këtë festë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se “kjo festë e solidarizimit, humanizmit dhe bashkimit të qytetarëve, uroj që të sjellë sa më shumë gëzime, mirëkuptim dhe harmoni në familjet tuaja”,ka shkruar Thaçi në faqen e tij në rrjetin social Facebook. Ai ka shkruar po ashtu se “Kosova dhe qytetarët e saj krenohen me tolerancën ndërfetare dhe vlerat tjera që po kultivohen në shoqëri”.

Kurse, kryeministri i Republikës së Kosovës në largim Isa Mustafa, me rastin e festes ka uruar besimtarët myslimanë dhe Bashkësinë Islame të Kosovës.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ai ka thënë se “Festa e Kurban Bajramit e gjen shoqërinë tonë në përpjekje e sipër për të zhvilluar e forcuar rrugëtimin tonë, për zhvillim, paqe dhe integrime euroatlantike, tashmë të dëshmuar si të drejtë e të dobishëm për vendin tonë dhe qytetarët tanë”, thuhet në mesazhin e kryministrit Mustafa duke vazhduar se “Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë pandalshëm angazhimin për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave të dëshmuara për të mirën e lirisë, barazisë dhe tolerancës për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button