Arnautët në “tokat serbe”

Ka shekuj që pseudohistorianët serbë shkruajnë për uzurpimin e tokave serbe nga shqiptarët. Më qesharake janë pretendimet se të parët tanë e paskan bërë këtë gjatë kohës së Perandorisë osmane, nga gjysma e dytë e shekullit XVII gjer në gjysmën e parë të sh. XIX. Kështu e shpjegojnë ata prezencën e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, sepse ndryshe, si do t’i justifikonin elaboratet dhe aktet gjenocidiste që nga Garashanini e gjer te Millosheviqi?

Tezën për shqiptarët uzurpatorë dhe kolonizatorë e hasa edhe në fletushkën “Glasnik” të Shoqërisë së gjeografëve serbë të vitit 1914, përkatësisht, në “studimin” e R. T. Nikoliqit, i cili, në momentin kur e ka shkruar shkarravinën, ka munduar se shqiptarët do të mbeten përjetësisht analfabetë dhe në terrin e injorancës. Shi për këtë, ai i grah gënjeshtrës në stilin dardha te kumlla për shqiptarët e egër, hajdutë, vrasës dhe kriminelë, por, si çdo mashtrues, kllumet me të dy këmbët në llofkë, kur, duke shpifur për të vërtetën e Pollogut dhe Malësisë së Sharrit, krahinës së Dibrës, Grykës së Radikës dhe Rekës së Epërme, Kosovës dhe Sanxhakut të Nishit…, përmend

Toponimet, mikrotoponimet dhe emrat shqip të krahinave, vendbanimeve, udhëve, grykave, përrojeve, fiseve, zejeve… “serbe” të uzuarpuara prej zullumqarëve shqiptarë. Po sjellim në vijim vetëm disa prej tyre: Malësia e Dibrës (Дебарска Малесија),  Malësia (Малсије), malësorët (малсијани), Sellca e Keqe (Селца Ке~e), Laket e Xhipve (Лакете Ѕирет), Hurdha e Pelës (Хурда Пелес), Përroi i Xhepës (Прои Ѕeреновес), Kroi i Aleksit (Крој Алексит), Ukallarët (Ујкалари), Kolecët (Колеци), Purrellët (Пурелејеци), Lurët (Лурји), Reçët (Ре~и), Tërstenët (Трсте), Xhigollët (Ѕиголи), kurbeti (Гурбет), fisi (фиси)…

Se serbët e kanë në gjak gënjeshtrën, ashtu siç ka pohuar babai i tyre shpirtëror Dobrica Qosiqi, kuptohet edhe në pjesën ku Nikoliqi bie në kundërshtim imbecil me vetveten dhe shkreton se gjoja në luginën e Mavrovës, që është pjesë e Rekës së Epërme, elementi serb përbën një tërësi të vetme etnike në të gjitha aspektet dhe në gjithë vendbanimet e krahinës, vetëm se në Rekë të Epërme flitet gjuha arnaute, kurse në luginën e Mavrovës serbishtja.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ai zbulon me fund këmbët e shkurta të ekselencës së saj rrenës: Në këto vise edhe sot është ruajtur feja pravosllave, por njerëzit e kanë pranuar gjuhën arnaute dhe me të shërbehen nëpër shtëpi dhe jashtë tyre (ata nuk dinë serbisht, përveç ndonjë fjale)… Sot në Rekën e Epërme gjuha arnaute flitet edhe nëpër shtëpi edhe jashtë tyre – serbishtja njihet pak ose aspak nga bota femërore. Vetëm burrat dinë serbisht, disa fare pak flasin serbisht dhe vetëm me ne, kurse ndërmjet tyre menjëherë vazhdojnë të flasin shqip…

Për paradoks, as kjo nuk është e tëra, sepse pjella garashaniniste i akuzon shqiptarët edhe për konvertimin e “serbëve” në islam!? Imagjino fantashkencën serbe: shqiptarët e robëruar dhe të lënë në terrin e analfabetizmit, pa asnjë fije pushteti, madje mu në kohën kur, siç e thotë historia, i qenë nënshtruar konvertimit në aspektin fetar dhe etnik, i paskan asimiluar serbët dhe ua paskan imponuar gjuhën shqipe edhe brenda shtëpive?! Thënë më thjeshtë: në Rekën e Epërme turqit i paskan kthyer serbët në islam, kurse, paralelisht me turqit, shqiptarët ”e lirë” i paskan detyruar po serbët të shqiptarizohen dhe të flasin shqip?!

Kaq për sot. Le të jetë kjo ftesë për historianët, përkthyesit, klasën akademike e intelektuale që e kanë për borxh demaskimin e pseudohistorisë serbe, sepse diabolizimi shekullor i shqiptarëve zëmekur ka rrezikuar dhe mund ta rrezikojë ekzistencën tonë në vatrat e të parëve.

Natyrisht, krahas kësaj, duhet të shërojmë iletet e brendshme dhe të demaskojmë zuzarët shqipfolës, që predikojnë papengueshëm pallavrat e Nikoliqëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button